Politike

Basha sulmon për herë të parë Ilir Metën: Pjesë e trekëndëshit të Bermudës, i ka ditët e numëruara

Ajo që tërhoqi më shumë vëmendjen sesa debati me tone folklorike mes Edi Ramës dhe Lulzim Bashës, ishte atakimi për herë të parë dhe i drejtpërdrejtë i kryetarit të opozitës ndaj Presidentit të Republikës, Ilir Meta.

Debati që fillimisht ngacmoi nënkryetarin e LSI-së, Petrit Vasili, i cili i kërkoi kryetares së Kuvendit që të ndërpriste replikat Rama-Basha, vijoi me një qëndrim të drejtpërdrejtë të Lulzim Bashës ndaj Ilir Metës.

Fillimisht duke e cilësuar atë si pjesë e trekëndëshit të Bermudës, apo i njohur ndryshe si “trekëndëshi i djallit” dhe më pas duke e etiketuar atë direkt si pjesë e treshës të së keqes “Meta-Rama-Berisha”.   

“Ke hallin ti tek Partia Demokratike,  ke hall ti sesa demokratë mbledh unë. Të ka marrë malli ty? Të ka marrë malli?

Thuaj më ka marrë malli për Sali Berishën dhe Ilir Metën, thuaje ta dëgjojnë të gjithë.

Shko dhe ti në foltore, ose fillo foltoren tënde. Bëni trekëndëshin e Bermudës dhe qani hallin bashkë  të tre nëse i keni të njëjtat. Unë jam këtu për të qarë hallet e shqiptarëve, as të tuat as të Sali Berishës dhe as të Ilir Metës. As të atyre që ju rrinë nga mbrapa ju. Kështu që, ti të paktën dil hapur, mos u fshi. A do ta plotësojnë dëshirën ty demokratët të na kthesh pas? Të jesh i sigurt që jo. Jo, s’kanë për ta plotësuar, mua do më kesh përballë, jo Sali Berishën”, tha Basha, duke e përsëritur qëndrimin e tij.

Duke folur për raportin e FMN-së që sipas Bashës ishte kritik për qeverinë, kryetari i PD-së, nënvizoi se koha e trekëndëshit të Bermudës ka marrë fund.

“...Mos u kap kot pas trekëndëshit të Bermudës, megjithëse je njëri nga brinjët e trekëndëshit.

Koha e trekëndëshit të Bermudës ka marrë fund.

Misioni im dhe i partisë më të bukur të lindjes është që mos të përsërisim gabimet e 92 as të 97 dhe as të 2009 dhe të mos bëjmë më asnjë kompromis me të keqen. Qoftë kjo për hir të zgjedhurit të një presidenti, apo krijimit të një koalicioni apo të dhënies të besimit të një njeriu që nuk duhet të ishte as në politikë. Dhe në fakt e kam dhe unë pjesën time të fajit që je aty, por pjesën më të vogël se pjesën tjetër e kanë 2 brinjët e tjera të trekëndëshit të Bermudës”, vijoi ai.

“Trekëndëshi i Bermudës i ka ditët e numëruara! Kështu që jepini gajret njëri-tjetrit sa të doni, por shpëtim nga ajo për të cilën i keni hyrë në hak shqiptarëve ti i pari dhe mbi të gjithë, nuk keni për të pasur. Gjërat kanë ndryshuar një herë e mirë. Një pas një, brinjët e trekëndëshit të Bermudës do të bien”, nënvizoi Basha.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë