Politike

Basha i moderuar dhe Meta si një revolucionar opozitar

Presidenti dhe opozita janë kthyer në qendër të vëmendjes duke marrë role të ndryshme sa i përket përplasjeve me mazhorancën. Prej ditësh po shikohet një president i irrituar dhe që po kundërshton fuqishëm çdo përpjekje të mazhorancës, duke mbajtur deklarata të forta dhe duke sulmuar kryeministrin. Protesta dhe betejë kundër grushtit të shtetit është thirrja e presidentit Ilir Meta, i cili tashmë ka shpallur 2 marsin ditën e kundërpërgjigjes ndaj komplotit të mazhoracnës, që ai pretendon dhe thirrjet tashmë janë që nga ato patriotike dhe tipike revolucionare.

“Ju ftoj të gjithëve në 2 Mars, në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” t’i japim paralajmërimin e fundit kësaj bande që nuk ka ditë që nuk përdhunon Kushtetutën dhe ligjet e vendit. Nuk ka forcë në botë t’i kthejë shqiptarët 30 vite pas për të zbrazur Shqipërinë nga rinia jonë e mrekullueshme dhe për t’ia dorëzuar mafies ndërkombëtare të ardhmen e Atdheut tonë. Ndaj në 2 Mars të bëjmë një Besëlidhje të Re për t’ia kthyer sovranitetin e humbur popullit shqiptar dhe rivendosur demokracinë, llogaridhënien dhe sundimin e Kushtetutës”, është apeli më i fundit. Ndërsa nuk munguan as videot me postimin e figurave të njohura të artit dhe sportit, që bëjnë simbolin e shqiponjës dykrenare dhe përbetimet për Atdheun, me këngën e Mentor Xhemalit në sfond “Për ty Atdhe”.

Ndërsa ana folklorike e tij është paralajmërimi ndaj Ramës që të përgatitet të veshë poture të gjëra se reagimi popullor i 2 marsit në këtë revolucion ndaj asaj që e cilëson si agresioni pushtues i Rilindjes ndaj të gjithë institucioneve të pavarura do të jetë i paimagjinueshëm.

Kjo është hera e parë në historinë e Shqipërisë post 90-të, që një president bën thirrje për të mbledhur shqiptarët në shesh kundër qeverisë, ndërsa këtë gjë e kanë bërë sistematikisht opozitat e majta e të djathta, me qëllim për të rrëzuar atë që ka qenë në krye të qeverisë.

Disa ditë më parë, presidenti Meta pati edhe një takim në zyrën e tij me liderin e opozitës Lulzim Basha. Në takimin e 18 shkurtit, zëdhënësi i Metës paralajmëroi se “Presidenti bëri të qartë se do të bëjë çdo gjë për të ndalur dhe për të shpartalluar grushtin e shtetit, duke i dhënë përgjigjen më shembullore që meriton”.

Por, Basha pas mbledhjes së aleatëve të tij, në të cilën bën pjesë edhe partia që e ka krijuar presidentit Meta, nuk iu përgjigj thirrjes revolucionare të kreut të shtetit. Në deklaratën për mediat, kryedemokrati u shfaq i moderuar dhe se dukshëm i dha sinjal Metës se rotacionin e pushtetit që ai pretendon nuk do ta kërkojë me revolucion.

“Unë mbetem i përkushtuar që procesin ta përfundoj me mjete politike, për hir të vendit, për hir të stabilitetit, për hir të këtyre familjarëve, fëmijëve të tyre, duhet që kjo të vijë pa kosto për shqiptarët. Boll kanë paguar kosto, 30 vjet kosto rotacion pas rotacioni. Do të bëj gjithçka që kjo të vijë me koston më të vogël për shqiptarët. Por bashkimi ynë do të jetë i madh. Do të jetë i pandalshëm”, do të deklaronte Basha.

Ndryshimi dhe rotacioni janë të pashmangshëm. Unë mbetem i përkushtuar që këtë proces ta përfundoj me mjete politike, për hir të vendit, për hir të stabilitetit. Do të bëj gjithçka që rotacioni të vijë me koston më të vogël për shqiptarët. Bashkimi ynë do të jetë i madh dhe i pandalshëm.

Gepostet von Lulzim Basha am Dienstag, 18. Februar 2020

Meta tashmë ngjan i vetëm në këtë betejë dhe po merr rolin e një lideri të opozitës, ndërsa shkëndija të zjarrit të lëshuara për një ashpërsim të situatës e ngjashme të vitit të shkuar, po i “hedh ujë” për t’i shuar ambasadorja amerikane Yuri Kim, e cila menjëherë zhvilloi dje takime me presidentin Meta, kryeministrin Rama dhe kryedemokratin Lulzim Basha. Ndonëse deklarata e ambasadës amerikane theksonte se qëllimi i takimit ishte për konferencën e Donatorëve për rindërtimin e zonave të prekura nga tërmeti i 26 nëntorit, dukshëm mes rreshtave shprehej shqetësimi për këtë situatë të re të tensionuar dhe porosia se “janë nën vëzhgim e duhet të sillen mirë”.
“Përveç konferencës së donatorëve diskutova edhe për hapat e rëndësishëm që Shqipëria duhet të ndërmarrë në javët e muajt e ardhshëm, duke treguar pjekuri, respekt për institucionet dhe besim në proceset demokratike. Presim që udhëheqësit shqiptarë të sillen në mënyrë të tillë që të jetë e përgjegjshme dhe për të mirën e popullit shqiptar. Ne e sigurojmë popullin shqiptar se ne do të jemi aty për të vëzhguar dhe kontribuar”.

Ambasadorja amerikane gjatë takimit me presidentin Meta


Por përse Meta shihet më revolucionar dhe Basha më i tërhequr në qëndrimet karshi mazhorancës? Mund të lidhen disa argumenteve që ndajnë presidentin dhe liderin e opozitës, që veç rivalitetit për dominimin opozitës, apo për ngritjen e kauzave të ndryshme që nuk mund të jenë pjesë e axhendës së tyre politike. Çështja e parë që Basha mban një rol më të moderuar është fakti se opozita po pret realizimin e reformës zgjedhore, mes PD-së dhe PS-së kanë nisur negociatat për ndryshimin e Kodit Zgjedhor dhe ata më në fund u ulën në tryezë pas një krize të starzgjatur dhe me negocim të gjatë të ndërkombëtarëve.
Një pakt mes PD dhe PS, apo mes Bashës dhe Ramës si ai i vitit 2017 mund të nxjerrë jashtë loje LSI-në, e cila e provoi në kurriz sulmet në zgjedhjet parlamentare të tre viteve më parë. Frika e goditjes së kësaj partie kanë nxjerrë në skenë sërish presidentin, i cili ka treguar se politika është ADN-ja e tij.

Koalicionet zgjedhore dhe aleatët e PD-së

Afrimi i LSI-së me PD-në shihet me xhelozi nga aleatët e tjerë tradicionalë të demokratëve si PR, LZHK, PBDNJ apo PAA. Ndaj skema e daljes në një koalicion të përbashkët i nxjerr jashtë loje këto parti, pasi votat dhe më pas mandatet në zgjedhjet e ardhshme do t’i përfitojnë PD dhe LSI, të tjerët rrezikojnë të mbesin jashtë. Për t’i paraprirë këtij eliminimi politik, aleatët e vegjël të PD-së kanë propozuar një formulë tjetër koalicioni, që shmang LSI apo partitë e tjera në ato zona kur ato ndjehen të fuqishëm. Në draftin e hartuar nga PR e Fatmir Mediut, i cili mori më pas edhe mbështetje nga Duka, Shehi, Dule dhe Ndoka kërkohej që brenda koalicioneve politike të mund të krijohen edhe ‘grupime politike’ me dakordësi brenda aleatëve të të njëjtit koalicion. Kjo mund të shihet edhe si një kërcënim për LSI-në, edhe pse parimisht është shprehur dakord. Realizimi i reformës zgjedhore brenda 15 marsit, duket se ka stepur PD-në në mbajtjen e një qëndrimi radikal ndaj mazhorancës.

Basha liderët e partive aleate

Negociatat dhe raporti me 2 mars

Arsyeja tjetër që Basha po kërkon të mbajë një profil më të moderuar mund të lidhet edhe me vendimin për negociatat me BE-në. Sinjalet për çeljen e tyre janë pozitive dhe se më 2 dhe 3 mars Komisioni Europian pritet të nxjerrë raportin për t’ia kaluar më pas Këshillit Europian për marrjen e një vendimi. Vende skeptike si Franca kanë pranuar se nëse raporti është pozitiv mund të votojnë pro çeljeve të negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Për të mos u bërë “pengesë” apo ndikuar në këtë vendim, opozita duket se ka “harruar” nisjen e protestave deri në shpalljen e këtij vendimi. Por Meta e ka vendosur përpara faktit të kryer, pasi vetë ai ka paralajmëruar një tubim në formë proteste më 2 mars, pikërisht në ditën kur në Bruksel do të diskutohet për hapjen e negociatave.

Mes Metës dhe Bashës mund të ketë një raport të ri marrëdhëniesh dhe se 2 marsi mund të diktojë edhe agjendën politike të PD-së, e cila është e rrethuar disi nga Presidenti. Ndërkaq, Basha po punon me partinë e tij, duke zhvilluar takime në rrethe dhe kryer edhe sondazhe për peshën politike të PD-së dhe për të angazhuar strukturat për zgjedhjet e ardhshme. Madje prej ditësh ai vjen me një imazh të ri dhe të kuruar, më pranë njerëzve, u troket në shtëpi, i takon në vendet e punës dhe u jep premtimet në emër të PD-së kur do të vijë në pushtet. Po ashtu Basha ka tone të tjera krahasuar me një vit më parë, kur opozita ishte ne shesh dhe protestat e saj kundër qeverisë Rama i shoqëronte molotovi. Tashmë në pamje të parë duket që rolin e Bashës dhe Kryemadhit e ka marrë Meta për këtë vit, i cili padyshim pret që LSI dhe PD t’i dërgojnë njerëzit e tyre në shesh në 2 mars.

Më Shumë