Politike

Ambasadorja Kim takohet me Metën, Ramën dhe Bashën: Silluni me përgjegjshmëri

Rritja e tensionit politik dhe përshkallëzimi i deklaratave mes presidentit Ilir Meta dhe mazhorancës, e konkretisht me kryeministrin Edi Rama ka tërhequr vëmendjen e ndërkombëtarëve, të cilët janë venë menjëherë në lëvizje për të shuar përplasjet ndërinstitucionale. Ambasada e SHBA publikoi pasditen e së mërkurës një deklaratë të ambasadores Yuri Kim, e mbajtur pas takimit me tre udhëheqësit kryesorë të politikës shqiptare, presidentin Ilir Meta, kryeministrin Edi Rama dhe liderin e opozitës, Lulzim Basha.
"Sot u takova me Kryeministrin Edi Rama, Presidentin Ilir Meta dhe Kryetarin e Partisë Demokratike Lulzim Basha për të diskutuar mbi zhvillimet e fundit dhe pritshmëritë e Shteteve të Bashkuara", thuhet në deklaratën e Kim. Më pas ambasadorja ka bërë publike kërkesën që klasa politike të tregojë maturi.

Foto arkiv, ambasadorja ne takimin me kryeministrin Edi Rama


"Përveç konferencës së donatorëve, diskutova edhe për hapat e rëndësishëm që Shqipëria duhet të ndërmarrë në javët e muajt e ardhshëm, duke treguar pjekuri, respekt për institucionet dhe besim në proceset demokratike. Presim që udhëheqësit shqiptarë të sillen në mënyrë të tillë që të jetë e përgjegjshme dhe për të mirën e popullit shqiptar. Ne e sigurojmë popullin shqiptar se ne do të jemi aty për të vëzhguar dhe kontribuar", deklaroi Kim.
Fillimisht ambasadorja është treguar e kujdesshme, duke theksuar se qëllimi i këtyre takimeve ka qenë vendimi i marrë nga ana e konferencës së donatorëve dhe më pas dhënë mesazhin direkt për klasën politike shqiptare.
"Për sa i përket specifikisht, konferencës së donatorëve në Bruksel, ne besojmë se ajo pasqyron solidaritetin, mbështetjen dhe dëshirën e komunitetit ndërkombëtar për ta ndihmuar popullin shqiptar në përpjekjet e rindërtimit pas tërmetit. Diskutuam gjithashtu edhe për pritshmëritë për transparencë dhe llogaridhënie përgjatë gjithë këtij procesi", theksoi ambasadorja.
Takimet e ambasadores amerikane vijnë menjëherë pasi presidenti Ilir Meta deklaroi se do të organizonte një tubim më 2 mars si kundërpërgjigje të asaj që e ka cilësuar të grushtit të shtetit nga ana mazhorancës me kapjen e institucioneve kushtetuese.
Gjithashtu qëndrimet më të fundit të Metës ishin edhe si një paralajmërim për të nxjerrë ndonjë dekret për shpërndarjen e Parlamentit. Një ditë më parë presidenti Meta pati një takim edhe me kryetarin e PD-së, Lulzim Basha, ndërsa ky i fundit pas një takimi me aleatët do të paralajmëronte edhe nisjen e protestave dhe duke shtuar se "asnjë nuk e ndalte rotacinin politik". Situata politike është tensionuar për shkak të ligjit të miratuar nga mazhoranca me të cilin e zhvesh disi presidenti nga kompetencat sa i përket betimit të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Ndërkohë që këto përshkallëzime dhe paralajmërimet e mundshme për protestë po shënohen në prag të vendimit të Komisionit Europian sa i përket çeljes së negocitave me Bashkimin Europian.

Për takim me ambasadoren Kim, kryeministri Edi Rama mbajti një postim në rrjetet sociale, duke e falendëruar për ndihmën që SHBA po i jep për rindërtimin, pavarësisht se nga konferenca e Donatorëve kishte vërejtje për fondet e pakta.
"Falenderoj ambasadoren e SHBA për lajmin e mirë se SHBA do ta rrisin shumën e deklaruar në Bruksel për Rindërtimin. Nisja e punës së përbashkët për Akademinë e Transparencës realizon një kërkesë tonën ndaj miqve të çmuar për ta bërë Rindërtimin shembull edhe në këtë aspekt", shkruan Rama në rrjetet sociale.

https://twitter.com/ediramaal/status/1230198736644640770


SHBA ka premtuar se do të japë fonde për ngritjen e Akademisë së Transparencës, e për këtë ka akorduar 5 milionë USD. Ky institucion do të sherbejë për monitorimin e fondit prej 1,15 miliardë euroe të mbledhur në konferencën e donatorëve që do të përdoret për rindërtimin e zonave të prekura nga tërmeti.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë