Presidenti Ilir Meta doli pasditen e së enjtes në konferencën për shtyp për të nxjerrë faktet e reja të asaj që ai i cilëson si grusht i shtetit të mazhorancës sa i takon emërimeve të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Me anë një ekrani të madh të vendosur dhe me videoprojektor, Meta ia la fjalën këshilltarit të tij juridik, Bledar Dervishaj për të paraqitur provat e reja, ku kësaj here komploti i zbuluar përfshin Ministrinë e Drejtësisë, Kuvendin dhe Këshillin e Emërimeve në Drejtësi.
Ky komplot sipas Presidencws, bën fjalë për vendimin e KED-së që u botua në Fletoren Zyrtare ku përcaktohej se Arta Vorpsi duhej të ishte shpallur automatikisht anëtare e Gjykatës Kushtetuese. Por Dervishaj u shpreh se botimi në Fletoren Zyrtare ishte jo ligjor, pasi vendimet e KED-së sipas ligjit botohen vetëm te faqeja zyrtare (ëeb) i Gjykatës së Lartë. Presidenca ka zbuluar edhe se cili institucion i ka dhënë urdhër që vendimi i KED-së të botohej të QBZ-ja.
"Kjo është shkresa që Kuvendi i dërgon Etilda Gjonaj, numër protokolli 7576, datë 9 nëntor 2019. Kalojmë te shkresa që Ministria e Drejtësisë i ka përcjellë Qendrës së Botimeve Zyrtare me numër protokolli 7575, datë 9 nëntor 2019.Ministria e Drejtësisë, edhe ditë pushimi, të shtunën, e ka përcjellë për botim aktin pa marrë ende një njoftim nga Kuvendi. Letra e Kuvendit ka ardhur vetëm në mbështetje të veprimit antiligjor të Ministrisë së Drejtësië. Kemi të bëjmë me lajthitje? Jo është më keq se kaq, falsifikim. Për gjithë këto akte Presidenca po përgatit kallëzim penal shtesë për t'iu drejtuar SPAK, ka bashkëpunim duket qartë, është prokuroria që duhet të ketë fjalën dhe të thërrasë për të marrë në pyetje të gjithë personat e përfshirë në këtë çështjen", theksoi Dervishaj.
Për këshilltarin e presidentit, Dvorani kishte deklaruar në takimin me ekspertët e Venecias se nuk kishte dërguar për botim vendim te Qendra e Botimeve Zyrtare. E kjo rriti interesin e Presidentit për t'iu drejtuar këtij institucioni për t'u njohur me praktikat e botimit të vendimit të KED-së që rezultoi se pas saj qëndronte ministria e Drejtësisë.
Kam 20 vjet jurist por eksperiencë më të shëmtuar të një juristi nuk kam parë. Të dërgojë për botim Ministria e Drejtësisë një akt që nuk është i lejueshëm të botohet në Fletoren Zyrtare, një akt që e ka prodhuar një organ tjetër.
"Brenda të njëjtës ditë përderisa Kuvendi dhe Ministria e Drejtësia kishin dalë në punë del dhe Qendra e Botimeve Zyrtare, e shtunë 9 nëntor, boton një vendim të KED që e kishte para dritën e botimit në faqen e Gjykatës së Lartë që në 22 shtator, një vendim që nuk botohet në Fletoren Zyrtare, botimi është një shkelje e rëndë e ligjit. Edhe KED kishte thënë ndryshe", theksoi Dervishaj.
Pas këtij prezantimi një orësh, presidenti Ilir Meta tha më pas se deri më datën 2 mars do të prezantonte çdo ditë fakte të reja dhe se sulmoi Parlamentin dhe një pjesë të deputetëve që nuk po reagojnë ndaj mënyrës se si po veprohet. "Presidenti nuk ka afat 30 ditor, Parlamenti po e ka një tillë. Afati 30 ditor i presidentit nis kur Parlamenti zgjedh kandidatin e parë si anëtar të Gjykatës Kushtetuese", theksoi Meta. Kreu i shtetit aludoi se letra e Dvoranit që iu dërgua tij dhe jo Parlamentit, ishte e qëllimshme, pasi synonte që ti jepeshin prova komisionit hetimor për shkarkimin e presidentit.
Të gjithë këto theksoi Meta tregojnë se qeveria e përdori ministrinë e Drejtësisë për të rrëmbyer anëtarin e Gjykatës Kushtetuese, që ishte kompetencë e presidentit.
"Shqipëria nuk do të bëhet më as mavi as mavri. Kanë krijuar idenë se shqiptarët janë lodhur dhe janë dorëzuar. Këta nuk e dinë akoma se ky është një popull shqiponjash dhe sorrat kurrë nuk do të bëhen Shqiponja. Dhe shqiponjat do të mblidhen të gjithë këtu në 2 mars për ta bërë Shqipërinë Kuq e zi. Unë i ftoj shqiptarët për fëmijët e tyre. Në qoftë se është Shqipëria kështu, sot kemi shpopullim jo largim. Të marin këta dhe të rrëmbejnë në mënyrë mafioze dhe Gjykatën Kushtetuese, ju e kuptoni se çfarë ndodh këtu; kapja e shtetit dhe grushti i shtetit. Këtu pastaj do kemi një Shqipëri pa shqiptarë. Këta që i ndërruan emrin stadiumit “Qemal Stafa” ia ndërrojnë emrin dhe Shqipërisë. Përditë do të kemi konferenca shtypi me konferenca të tilla. Nga 2 marsi Shqipëria fillon e bëhet kuqezi, siç e duan të gjithë shqiptarët, siç ka qenë jetë e mot", theksoi Meta.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.