Politike

Të gjitha rastet kur mund të shpërndahet Parlamenti

“Parlamentin do e shpërndajë populli. Presidenti vetëm do të zbatojë vullnetin e tij. Dhe dekretin për kthimin e ligjit për grushtin e shtetit do e vendosë populli. Presidenti vetëm do e firmosë në emër të tij”. Kështu do të deklaronte Meta me anë të zëdhënësit, duke paralajmëruar se mund të nxirrte dekretin “kërcënues” që del në skenë sa herë që rritet temperatura e përplasjeve mes tij dhe mazhorancës, duke shpërndarë Parlamentin.
Një kërcënim që ka nisur që prej mëse një viti, që kur mazhoranca krijoi komisionin hetimor parlamentar për shkarkimin e presidentit, pasi ky i fundit anuloi zgjedhjet lokale të 30 qershorit me dekret. Vitin e shkuar, Meta në betejën e tij kundër Parlamentit iu drejtua KQZ-së për t’u njohur me mandatet e deputetëve dhe se sa vende ishin plotësuar. Fakti që Parlamenti është me 122 nga 140 deputetë (që duhet të ketë normalisht) shihet si një argument që Presidenti duhet të shpërndajë këtë institucion, pasi i mungon legjitimiteti dhe kjo mbështet edhe nga opozita.

Meta në konferencën për shtyp

Tre rastet kur mund të shpërndahet Parlamenti

Analistët e konstitucionalistët janë të ndarë në lidhje me të drejtën e presidentit për shpërndarjen e Parlamentit. Kushtetuta ia mundëson presidentit kompetencën për shpërndarjen e Legjislativit vetëm në katër raste të parashikuara nga ligjit themeltar i shtetit shqiptar, por që janë të ndërvarura nga akte të tjera që nuk lidhen në mënyrë direkte me presidentin. Të gjitha këto dispozita kalojnë nga Kuvendi në pamundësinë numerike të votave të këtij institucioni. Këtu përfshihet edhe një rast tjetër: Kur Parlamenti nuk arrin të zgjedhë presidentin pas pesë raundesh votimi, atëherë shpërndahet automatikisht dhe vendi shkon në zgjedhje të parakohshme.

Në një botim të konstitucionalistëve dhe juristëve Aurela Anastasi, Xhezair Zaganjori dhe Eralda Çani “Shteti i së Drejtës në Republikën e Shqipërisë”, parashikohen tre rastet kur presidenti shpërndan Parlamentin. Rastet janë të parashikuara: në nenin 96, kur vendi i kryeministrit nuk zgjidhet dhe mbetet vakant, në nenin 104 kur mocioni i besimit votohet më pak nga gjysma e të gjithë anëtarëve të Kuvendit, me kërkesë të kryeministrit të paraqitur 48 orë nga votimi i mocionit. Në këto dy raste presidenti nxjerr dekretin për shpërndarjen e Parlamentit.

Rasti tjetër është shtuar së fundmi me ndryshimet kushtetuese të vitit 2008 kur lidhet me mocionin e besimit ndaj kryeministrit. “Kryeministri ka të drejtë t’i paraqesë Kuvendit mocion besimi ndaj Këshillit të Ministrave. Në rast se mocioni i besimit votohet nga më pak se gjysma e të gjithë anëtarëve të Kuvendit, Kryeministri, brenda 48 orëve nga votimi i mocionit, i kërkon Presidentit të Republikës shpërndarjen e Kuvendit. Presidenti shpërndan Kuvendin brenda 10 ditëve nga marrja e kërkesës. Pra, kërkesa për mocion besimi nuk mund të paraqitet gjatë periudhës së shqyrtimit të mocionit të mosbesimit, sipas nenit 105. Votimi i mocionit nuk mund të bëhet pa kaluar tri ditë nga paraqitja e tij”, thuhet në këtë dispozitë.

Seancat e Parlamentit. Gazeta "Si", 18 shkurt 2020

Por tre juristët janë ndalur edhe te vendimi i marrë nga Gjykata e Kushtetuese në vitin 2002 kur në atë kohë Parlamenti refuzoi të votonte dekretet për ministrat e qeverisë Nano, e kjo si rezultat i luftës mes liderit socialist të asaj kohe me Ilir Metën dhe mbështetësit e tij brenda PS-së. Atje u shtrua çështja, nëse mos votimi i dekretit të presidentit përbën arsye apo argument për të shpërndarë Parlamentin. “Kushtetuta shprehet qartë duke mos lënë hapësira për të tjera interpretime, se cilat janë këto raste, pra Presidenti nuk mund të ushtrojë kompetencën e shpërndarjes së Kuvendit përveçse në rastet e parashikuara. Neni 94 i Kushtetutës parashikon shprehimisht se: "Presidenti i Republikës nuk mund të ushtrojë kompetenca të tjera përveç atyre që i njihen shprehimisht me Kushtetutë dhe që i jepen me ligje të nxjerra në pajtim me të”, thuhet në botimin e konstitucionalistëve.

Faksimile e botimit

Duke konsideruar që nuk ka ndonjë ligj që të jetë miratuar për të rregulluar kompetencën e Presidentit për shpërndarjen e Kuvendit, tre autorët shprehen se të vetmet raste janë ato që parashikohen në nenet e ligjit themeltar të shtetit dhe se nuk mund të lëvizet jashtë këtyre dispozitave të lartpërmendura.
Sa i përket çështjes së funksionimit të Parlamentit me 122 dhe jo me 140 deputetë dhe kjo tezë e presidentit nuk mund të qëndrojë për faktin se me numrat aktualë sigurohet kalimi i ligjeve me shumicë të cilësuar me 84 apo 93 vota, e kjo madje dhe për shkarkimin e Metës nga posti i kreut të shtetit. Për të gjitha rastet, interpretimi për të drejtën e shpërndarjes së Parlamentit mund të jenë objekt i Gjykatës Kushtetuese.

Rastet kur shpërndahet Parlamenti sipas Kushtetutës:

  • kur Kuvendi nuk arrin, në fillim të legjislaturës, si dhe kur vendi i Kryeministrit mbetet vakant, të zgjedhë Kryeministrin e ri, Presidenti i Republikës shpërndan Kuvendin - N. 96 i Kushtetutës;
  • kur mocioni i besimit votohet nga më pak se gjysma e të gjithë anëtarëve të Kuvendit, me kërkesë të Kryeministrit paraqitur brenda 48 orëve nga votimi i mocionit, Presidenti i Republikës shpërndan Kuvendin brenda 10 ditëve nga marrja e kërkesës - N. 104 i Kushtetutës.
  • kur mocioni i besimit votohet nga më pak se gjysma e të gjithë anëtarëve të Kuvendit, me kërkesë të Kryeministrit paraqitur brenda 48 orëve nga votimi i mocionit, Presidenti i Republikës shpërndan Kuvendin brenda 10 ditëve nga marrja e kërkesës - N. 104 i Kushtetutës.

Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë