Ne rrjet

Grusht shteti kundër … vetes. Rastet nga Rusia e Amerika Latine

Presidenti Ilir Meta ka akuzuar kryeministrin Edi Rama për grusht shteti, duke habitur jo pak opinionin publik. Në kuptimin e tij tradicional, grusht shteti quhet një rrëzim i papritur dhe jokushtetues i qeverisë, nga një grup i vogël i klasës që synon pushtetin, zakonisht ushtarak. Duke u nisur nga ky fakt, për shumë qytetarë mund të duket e habitshme që një kryeministër apo president të orkestrojë një grusht shteti kundër… vetes, por në fakt ky është një fenomen që ka ndodhur me dhjetëra herë, sidomos gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe Luftës së ftohtë.

Një auto-grusht shteti (ose "autogolpe" nga spanjishtja) është një formë e grushtit të shtetit në të cilin udhëheqësi i një shteti, pavarësisht nëse ka ardhur në pushtet me mjete ligjore, shpërndan ose e bën të pafuqishme kushtetutën kombëtare dhe merr në mënyrë të paligjshme kompetenca të jashtëzakonshme që nuk i jepen në rrethana normale. Kur një kryeministër apo president (në varësi të sistemit qeveris) bën auto-grusht shteti mund të anulojë kushtetutën e një shteti, të pezullojë gjykatat civile, duke marrë nën kontroll gjithçka dhe duke pasur fuqi diktatoriale.

Presidenti Ilir Meta, Gazeta Si, 2020

Rusi
Një nga auto-grushtet më të famshme në botë ishte ai i presidentit rus Boris Yeltsin në vitn 1993, kur u shënua një përplasje e fuqishme politike midis dhe parlamentit dhe presidentit që eskaloi në përdorimin e forcës ushtarake. Rusia është Republikë Presidenciale dhe presidenti është kreu më i rëndësishëm i shtetit. Marrëdhëniet midis presidentit dhe parlamentit ishin përkeqësuar. Lufta për pushtet arriti kulmin më 21 shtator, kur Presidenti Yeltsin synoi të shpërndante legjislaturën e vendit, megjithëse kushtetuta nuk i jepte fuqi. Yeltsin i justifikoi urdhrat e tij me rezultatet e referendumit të prillit 1993. Në përgjigje të tij, parlamenti e shpalli të pavlefshëm vendimin e presidentit, shkarkoi Yeltsin dhe shpalli nënkryetarin Aleksandër Rutskoy si zëvendësuesin e tij.

Grusht i Shtetit në Rusi, Gazeta Si, 2020

Më 3 tetor, demonstruesit hoqën kordonet e policisë rreth parlamentit dhe, të thirrur nga Yeltsin, morën zyrat e kryetarit të bashkisë dhe u përpoqën të sulmojnë qendrën e televizionit Ostankino. Ushtria, e cila fillimisht kishte deklaruar neutralitetin e saj, sulmoi ndërtesën e Lartë Sovjetike në orët e para të mëngjesit të 4 tetorit me urdhër të Yeltsin dhe arrestoi krerët e rezistencës. Rusia ishte në prag të luftës civile. Konflikti dhjetëditor mund të bëhej ngjarja më vdekjeprurëse në historinë e Moskës që nga Revolucioni Rus. Sipas vlerësimeve të qeverisë, 187 njerëz u vranë dhe 437 u plagosën.

Grusht i Shtetit në Rusi, Gazeta Si, 2020

Guatemalë

Po atë vit, në Amerikën Qendrore do të shpërthente një tjetër auto-grusht. Në Guatemalë, presidenti i atëhershëm Jorge Serrano Elías u përpoq të orkestronte një auto-grusht. Ai pezulloi në mënyrë të paligjshme kushtetutën, shpërndau Kongresin dhe Gjykatën Supreme dhe u përpoq të kufizojë lirinë civile. Gjithçka ai e vendosi në orët e para të mëngjesit të së martës, 25 maj të vitit 1993, duke e shpallur veten diktator për dy vjet e gjysmë. Ai pezulloi gjithashtu 59 nene të Kushtetutës së Guatemalës. Në të njëjtën kohë, Serrano i bëri thirrje Gjykatës Supreme që të thërrasë zgjedhjet për një Asamble Kombëtare Kushtetuese brenda 60 ditësh.

Grusht i Shtetit në Guatemale, Gazeta Si, 2020

Përpjekja për auto-grusht shteti ishte e ngjashme me atë të kryer nga ish-presidenti guatemalas Alberto Fujimori, por ndryshe nga Fujimori, Serrano nuk kishte asnjë mbështetje popullore. Përpjekja e tij u prit me protesta të forta nga shumica e shoqërisë guatemalase, e kombinuar me presionin ndërkombëtar. Përballë këtij presioni, Serrano dha dorëheqjen si president dhe iku nga vendi.

Largimi i Serranos provokoi një krizë tjetër kur më 2 qershor një tjetër prej përkrahësve të tij, Zëvendës Presidenti Gustavo Espina Salguero, shpalli veten President. Espina u ndalua të merrte detyrën mbrëmjen e 2 qershorit, kur vetëm 44 deputetë morën pjesë në Kongres për të aprovuar betimin e tij. Më 4 qershor, Gjykata e Kushtetutës vendosi që Espina nuk ishte i pranueshëm për presidencën për shkak të mbështetjes së tij për grushtin e shtetit të Serranos. Gjykata urdhëroi Kongresin që të rivendoste dhe të zgjidhte një President të ri brenda 24 orësh

Presidenti Jorge Serrano

Venezuelë

Presidenti Nikola Maduro ka organizuar në fakt jo një por dy auto-grushte shteti, një në vitin 2017 dhe një në vitin 2010.

Më 29 mars 2017, Gjykata Supreme e Drejtësisë e Venezuelës mori përsipër kompetencat legjislative të Asamblesë Kombëtare (parlamentit). Gjykata, e cila është nën urdhrat e Presidentit Nicolás Maduro, gjithashtu kufizoi imunitetin e anëtarëve të Asamblesë, të cilët i përkisnin kryesisht opozitës.

Shpërbërja u konsiderua nga opozita si një auto-grusht shteti, Shtetet e Bashkuara të Amerikës e quajtën po ashtu një "auto-golpe". Vendimi u dënua nga disa media me analistë që e cilësuan si një kthesë drejt autoritarizmit dhe sundimit të një njeriu.

Presidenti Nicolás Maduro

Politikanët në të gjithë Amerikën, si dhe drejtuesit nga Kombet e Bashkuara, shprehën shqetësimin për vendimin dhe kërkuan përmbysjen e tij, megjithëse qeveria e Venezuelës deklaroi se nuk kishte ndodhur ndonjë grusht shteti dhe në vend të kësaj justifikoi vendimin si një reagim ndaj "veprimeve të ngjashme me grushtin e shtetit" kryer nga opozita.

Më 1 prill 2017, Gjykata ktheu vendimin, duke ia rikthyer fuqitë Asamblesë Kombëtare. Pakënaqësia e publikut me vendimin vazhdoi megjithatë, me forcimin e protestave kundër Maduros.

Grusht i Shtetit në Venezuelë, Gazeta Si, 2020

Por dy vite më vonë, opozita e Venezuelës ka akuzuar sërish presidentin Nicolás Maduro për organizimin e një "grushti" të paligjshëm parlamentar, pas shkarkimit të Juan Guaidó duke e zëvendësuar atë si kreun e parlamentit të kontrolluar nga opozita e vendit.

Guaidó u zgjodh president i Asamblesë Kombëtare të Venezuelës dhe e përdori atë pozitë për ta shpallur veten udhëheqësin e përkohshëm legjitim të vendit. Ai kishte shpresuar të zgjaste udhëheqjen e lëvizjes anti-Maduro duke u rizgjedhur si presidenti i asamblesë për një vit tjetër. Por skenat e kaosit dhe konfuzionit pushtuan parlamentin pasi forcat e sigurisë bllokuan ligjvënësit e opozitës dhe gazetarët të hynin në ndërtesën e parlamentit në kryeqytetin e Venezuelës, Karakas.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë