Biznes

Baret dhe restorantet s’janë gati: Protokolli i paqartë dhe kostot shtesë të mëdha

Çelja e bareve dhe  restoranteve po pritet me shumë ngazëllim nga shumë syresh, veçanërisht të nostalgjikëve, që ditën nuk mund ta kuptonin pa u ulur sikur një herë të vetme në një bar.

Është e çuditshme, por e vërtetë se për të shkuar në një bar a restorant do të jetë një rutinë ndryshe, e bezdisshme, dhe duke sakrifikuar; që nga dorashkat, maskat, dezifektimi i duarve dhe matja e temperaturës.

Kurse sipërmarrësve të bareve dhe restoraneteve, temperatura ka kohë që u “është ngritur”.

Ata thonë se nuk janë gati të çelen të hënën, por frika e falimentimit dhe pushimi i punonjësve, i ka bërë të shtrëngojnë dhëmbët dhe të përgatiten për të nisur më datën 18 maj.

“Ne e kemi tashmë një protokoll sigurie të urdhëruar nga qeveria dhe jam dakord që shëndeti duhet mbrojtur me padiskutim, por çështja është që protokolli është i paqartë dhe me shumë kosto. Nuk e ka të përcaktuar se kur mbahen maskat dhe kur hiqen në bar e restorant. Nëse unë ulem për të ngrënë a për të pirë duhet ta heq maskën, por protokolli nuk e ka të përcaktuar. Po ashtu edhe për dorezat, veçanërisht në kuzhinë. Teksa kuzhunierët i mbajnë duart tërë kohës në ujë, me doreza duhet ti ndërrojnë pas çdo produkti që kapin; e para nuk janë higjenike, mbajnë shumë pisllëk dhe e dyta janë kosto”- shprehet Enri Jahaj kreu i shoqatës së Bareve dhe Restoranteve.

Ai thotë se llogaritet që restorantet dhe baret me masat e marra të punojnë me 25 të kapacitetit të mëparshëm.

“Fitim as që nuk llogarisim”- thotë ai.

Jahaj tregon për Gazetën “Si” se vetëm një dezinfektant kushton nga 5000 lekë deri në 750 euro dhe “në këtë situatë që jemi, sigurisht nuk mund të zgjedhim më të shtrenjtin”.

Baret dhe restorantet të hënën çelin dyert me mesatarsisht 50 mijë lekët minus që nga  dezinfektimi total i mjediseve, lyerja, termometri elektronik që kushton 100 euro, blerja e maskave, dorezave, adezivëve për shenjat që ruajnë distancimin social dhedezinfektantët e duarve.

“Përpos dezinfektimit të parë përpara se të hapemi, ne duhet të bëjmë të njëjtin dezinfektim një herë në dy javë i cili kushton 4500 lekë për 100 metër katrorë. Plus duhet të lajmë me detergjent dhe dezinfektant mjedisin dy herë në ditë, ndërsa do të punojmë me çerekun e kapacitetit dhe me orar të shkurtuar. Llogaritë bëjini vetë”- thotë Z. Jahaj.

Nga bisedat që ai ka bërë me sipërmarrës, anëtarë të shoqatës, thotë se 50% e tyre kanë shkurtuar staf, pjesa tjetër do të shohin ecurinë se si do të shkojë.

Situatën e përshkruan të pafavorshme edhe kreu i shoqatës së biznesit të vogël Albert Nasto.

Ai është akoma më pesimist. Ai paarshikon që bizneset do të falimentojmë në 50 % të tyre, “është vetëm çështje kohe. Do nisin të gjitha dhe do ta provojnë se sa do të rezistojnë në këtë situatë. Bizneset duhet të zbatojnë disa masa që kanë kosto shtesë. Ndërkohë që dy muaj e ca kanë arkëtuar zero. Kanë bërë shpenzime për fillimin dhe nuk do të kenë punë në këtë situatë frike. Disa do falimentojnë pas një muaji, disa pas disa muajsh. Deri në fund të vitit do kenë falimentuar gjysma. Ne që kemi nisur punën kemi vetëm 5% punë krahasuar me kohën para pandemisë. Bar- restorantet nuk janë gati. Situata është konfuze dhe protokolli gjithashtu. Këta e bëjnë të gjithë këtë që të mbajën më këmbë bizneset që kanë interes”- thotë Z. Nasto për gazetën “Si”.

Por a do të turren kafedashësit dhe pijedashësit e qeflinjtë e restoranteve drejt “oazeve” të tyre të kënaqësisë?

Jahaj mendon që fillimi mund të jetë disi entuziast, por “kur të përballen me bezdinë e masave shtrënguese ; që nga matja e temperaturës, nuk do të vijnë më shpesh.”.

Nga bisedat e përditshme me kolegë dhe njerëz të tjerë Jahaj percepton frikë dhe gjykon që situata nuk do të jetë më  si më parë. Pavarësisht dëshirës për të bujtur në bare e restorante, do të ketë tutje, thotë ai.

Viti 2018, sipas statistikave të INSTAT shënoi sërish rritje të numrit të bareve, pavarësisht falimentimit të shumë prej tyre. Sipas të dhënave zyrtare numri i aktiviteteve që ofronin shërbim të pijeve arriti në 14,776 gjatë vitit 2018, duke u rritur me 4% në raport me një vit më parë, pas një rënieje në vitin e mëparshëm.

Në raport me popullsinë, Shqipëria numëron 518 bare për çdo 100 mijë banorë, duke kapur rekord jo vetëm në Europë, por edhe në botë. Ndërsa lë shumë pas vendet e Ballkanit Perëndimor.

Ky material nuk lejohet të kopjohet, apo riprodhohet pa miratimin e Gazetës “Si”. Ai është pronë intelektuale e gazetasi.al dhe si i tillë mbrohet nga ligji


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë