Para

Banorët e pallateve do të paguajnë për ashensorët me defekte

Sabina Veizaj- Tre vite më parë 29 vjeçarja Drilona Durici humbi jetën në ashensorin e pallatit ku banonte në zonën e Freskut.

Sipas informacioneve të asokohe, një shkarkesë elektrike shkaktoi zjarrin i cili u ndihmua nga vajrat lubrifikantë të ashensorit, që do ti ndiznin flakët menjëherë, pa i dhënë mundësi viktimës të përpiqej të dilte prej andej.

Ashensori kishte një depozitë të madhe vaji, i cili do të binte menjëherë në kontakt me zjarrin.

Ashensori i atij pallati nuk ishte kontrolluar kurrë, si të gjithë ashensorët e instaluar në pallate këto 30 vite, megjithëse ka ligje që e detyrojnë një proces të tillë.

Julian Llupo, Inspektoriati Shtetëror i Mbikqyrjes së Tregut


“Prandaj në mungesë informacioni, nuk ka siguri”- do të thoshte kreu i Inspektoriatit Shtetëror të Mbikqyrjes së Tregut Julian Lupo (sot, të enjte) në një tryezë për tu prezantuar ndërtuesve detyrimet që u dalin atyre sipas ndryshimeve në bazën ligjore për garantimin e sigurisë së jetës dhe plotësimin e kërkesave ligjore.

Ndryshime ligjore që janë nxitur, sipas zv/ministres së financave Belinda Ikonomi prej aksidenteve të shumta me këto makina transportuese dhe prej problemeve të theksuara që dolën në pah nga tërmeti, do të detyrojnë që të gjithë ashensorët stok në përdorim, ashtu edhe ata që do të instalohen në ndërtimet e reja nga 2020 e në vazhdim do të duhet të kalojnë përmes një ekzaminimin fillestar që do të marrë vulën e trupave të autorizuara, e mandej do të regjistrohen në ISHMT.

ISHMT ka një databazë prej 15 mijë ashensorësh stok në përdorim, të pallateve të banimit, po ashtu edhe të bizneseve.

Ekzaminimi fillestar ka nisur në 200 subjekte, por asnjë prej tyre sipas Lupos nuk mund të marr markimin CE dhe certifikatën sipas ligjit. Për këta ashensorë stok do të synohet vetëm siguria, kurse ata që rezultojnë me probleme të rënda u është vënë shiriti.

Për ashensorët që do të instalohen në ndërtimet e reja duke nisur nga 2020-ta, ndërtuesi nuk do të marrë lejen e shfrytëzimit, pa kaluar në proces ekzaminimi fillestar ashensorin, i cili do të ketë një dokumentacion të plotë të përgatitur nga instaluesi i ashensorit duke plotësuar standarded europiane CE dhe të certifikohet nga trupa e autorizuar, mandej kalon tek ISHMT pranë Ministrisë së Financave për regjistrim.

“Ashensorët që instalohen rishtazi është e qartë që kostoja i bartet ndërtuesit. Kurse stoku i ashensorëve ekzistues ndahet në disa kategori; për pjesën që ka kaluar bashkëpronësia për pallatet e përbashkëta pesë vite, nga 2015 e më tej në pronësi të banorëve, gjithë kostoja i kalon banorëve të cilët duhet të kryejnë ekzaminimin e plotë fillestar dhe ekzaminimet periodike. ”- shpjegon për gazetën “Si” Lupo.

Çmimi për ekzaminimin fillestar të një ashensori është deri në 300 euro, por “meqenëse është tregu i hapur dhe mund të futen në treg për këtë proces edhe trupa të tjera të autorizuara përpos atyre të dyjave që po merren me procesin, çmimi do të variojë.”- thotë ai.

Pra shkeljet e ndërtueseve këto 30 vite, do ti paguajnë familjet, të cilat pasi kanë kaluar 5 vite në kur kanë marrë pronësinë e apartamentit, përpos se do të paguajnë kuotën mujore të shërbimeve të mjediseve të përbashkëta, kuotën e ekzaminimit fillestar dhe periodik të ashensorit, do të detyrohen të paguajnë edhe paisjet e mundshme të dëmtuara gjatë viteve që shkojnë deri në mijëra euro. Përgjegjësia ligjore sipas ndryshimeve në mjediset e përbashkëta i bie administratorit të licencuar të pallatit.

Mirëmbajtja e detyruar e ashensorëve do të kryhet çdo muaj, kurse ekzaminimi i plotë për ashensorët e pallateve 1 herë në 10 vite, kurse për biznesin1 herë në 6 vite.

“ Inspektoriati duke parë situatën 30 vjeçare dhe pjesët e tjera kryen kontrolle mbi bazë risku. Ecim me ata ashensorë që kanë problematika dhe ankesat. Patjetër që ne bëjmë detyrën tonë, por puna jonë është me risk. Inspektorati nuk afron shërbim. Të gjithë pjesën voluminoze për të garantuar sigurinë duhet ta bëjnë instaluesit dhe në vazhdimësi trupat e autorizuara, administratorët nëpërmjet mirëmbajtjes duhet të bëjnë mirëmbajtjen e ashensorëve. Inspektoriati punon vetëm mbi bazë risku; përmes një plani pune vjetor në bazë. Nuk kontrollojmë çdo ashensor. Këto institucione janë krijuar vetëm për të funksionuar me bazë risku.”-shpjegon Lupo për gazetën “Si”.

Sipas tij procesi ka si kosto financiare ashtu edhe sociale. Për pjesën financiare është në proces diskutimi që të jetë pjesë edhe pushteti vendor, pasi sipas Lupo edhe bashkitë janë pjesë e mëkatit të mos kontrollit të ashensorëve, pasi mendësia e përgjithshme e qytetarëve, që jetojnë në pallate, është refuzuese për pagesën për kontrollet fillestare e mandej për riparimet e mundshme që mund të kushtojnë deri në mijëra euro.

“Afati është fundi i këtij viti, por është tepër i vështirë procesi sidomos në mjediset e përbashkëta. Ne si fillim synojmë të mbyllim ato që janë me risk më të lartë, mjediset e bizneseve ku ashensorët kryejnë punë më voluminoze, të jenë super të kontrolluar, pastaj gjithë ashensorët e tjerë që kanë ankesa. Procesi në mjediset e përbashkëta kërkon kohë dhe ka kosto sociale. Nuk është çështje detyrimi, por janë mijëra banorë të cilët duhet të futen në një proces, që duhet të mendojnë së pari për sigurinë e mandej ka përgjegjësi qeveria që duhet të garantojë procesin.”- thotë Lupo.

Trupat e autorizuara që do të certifikojnë ashensorët për standardet do të kontrollohen nga Ministria e Financave e cila ka një strukturë të posaçme që bën vlerësimin e dosjeve dhe trupat raportojnë periodikisht. Trupat e akredituara në nivel europian dhe në nivel vendor kanë si detyrim kontrolli akreditimin. Për sa i përket standardeve që ata zbatojnë me bazë periodike, Drejtoria e Akreditimit që është në varësi të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, ose akreditimi i huaj në vendin që ai ka bërë kontrollin e punës së trupave në mënyrë të drejtpërdrejtë. Ky është procesi edhe në rang europian. Akreditimi është me aplikim. Gjithkush aplikon për të marrë një akreditim të caktuar dhe mbi bazën e akreditimit shkon tek Ministria për autorizim.

“Për të hyrë në treg në Shqipëri për këtë proces, ka dy momente, përs a i përket verifikimit periodik, mund të merret autorizimi dhe akreditimi në Shqipëri nga drejtoria jonë dhe autorizimi nga Ministria e Financave. Kurse markimi i CE dhe në instalim që janë ashensorët e rinj nga 2020, është aktiviteti i vetëm një trupe të huaj që ka akreditim të huaj. Me legjislacionin që kemi ne në fuqi nuk i lejohet një trupe shqiptare. Është një trup transitore derisa Shqipëria të jetë pjesë e BE-së, ky është standardi. Markimi CE dhe standardet europiane mund të vendosen në prodhim ose instalim nga trupa që kanë akreditim europian.”- sqaron Lupo.

Reagimi i ndërtuesve ishte pozitiv në lidhje me procesin, por ata kërkuan që ta përtypin një herë dhe të shohin se si do të procedohet me raste të veçanta, pasi ka shumë ashensorë stok në përdorim që shfaqin probleme serioze.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë