Analize

Ballkani pa dogana, një ide e vjetër! Kush humbet e kush fiton

Kryeministri Edi Rama do të udhëtojë këtë javë për në Novi Sad, për të marrë pjesë në takimin me Aleksandër Vuçiç dhe Zoran Zaev, ku në tryezë është projekti i një hapësire të përbashkët ekonomike në Ballkanin Perëndimor. Ideja nuk është e re dhe në këtë tryezë ajo që kërkohet është dakordësimi politik në parim për këtë hap.

Projekti për një zonë ekonomike të lirë në Ballkanin Perëndimor qarkullon prej fillimit të viteve ’90, por zhvillimet e dhunshme që pasuan, e lanë në harresë. Zëra brenda Bashkimit Europian e rikthyen në vitet 2000 duke e propozuar si një mekanizëm që do të rriste konkurrueshmërinë ekonomike të vendeve të rajonit, përafronte ekonomitë e tyre me ato të vendeve anëtare të BE-së, do të rriste punësimin dhe mirëqënien e qytetarëve të Ballkanit dhe zbuste mëritë historike mes vendeve të fqinje.

BE e kishte të vështirë që të bindte të gjitha shtetet për t’i ulur në një tryezë dhe të nënshkruanin një hapësirë të përbashkët të lëvizjes së lirë të njerëzve, mallrave dhe shërbimeve. Për këtë u përzgjodh si strategji nxitja e vendeve të rajonit që të nënshkruanin marrëdhënie dypalëshe. Shqipëria nënshkroi me Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut gjatë qeverisjes së Fatos Nanos.

Efektet e marrëveshjeve dypalëshe të nënshkruara mes vendeve të rajonit u ndjenë, por ato nuk ishin të mjaftueshme për BE-në, që krahas kritereve politike nisi të përforcojë kërkesën për një treg të përbashkët ballkanik. Por, mosmarrëveshjet politike mes vendeve ishin një pengesë e pakapërcyeshme dhe si zgjidhje e përkohshme u propozua anëtarësimi në një marrëveshje ekzistuese.

Bëhej fjalë për zgjerimin gjeografik të paktit të Vishegradit, një marrëveshje e tregtisë së lirë të nënshkruar nga Polonia, Hungaria, Çekia dhe Sllovakia që në vitin 1992. Kësaj marrëveshjeje iu bashkuan me radhë Sllovenia (1996), Rumania (1997), Bullgaria (1999) dhe në fund Kroacia. Ndryshimet gjeografike i ndryshuan edhe emrin dhe nga pakti i Vishegradit me disa modifikime u quajt CEFTA, (Central European Free Trade Agreement ose Marrëveshje e Tregtisë së Lirë në Europën Qendrore).

Në 2004, katër vendet ideatore u larguan pasi u bënë anëtare të Bashkimit Europian dhe rrjedhimisht edhe të tregut të përbashkët të unionit. Në 2006, marrëveshjes iu bashkua Maqedonia dhe një vit më vonë Shqipëria, Kosova, Bosnja, Serbia, Mali i Zi dhe Moldavia.

Megjithatë, CEFTA është e kufizuar vetëm tek tregtia e lirë, që do të thotë se vendet anëtare nuk aplikojnë tarifa doganore për produktet e njëra-tjetrës. Por, kjo nuk pengon vendet anëtare që të zbatojnë shpesh procedura doganore kontrolli dhe burokraci të tjera, shpesh artificiale, ndaj Bashkimi Europian dhe institucione financiare që nga Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Botërore, këmbëngulnin për një zonë ekonomike të përbashkët.

Arsyet që jepeshin dhe jepen akoma, është se një treg me 20 mln banorë është shumë herë më joshës për investitorët e huaj madhorë se sa minitregjet me pak milionë banorë që ofrojnë ekonomitë përkatëse të vendeve të rajonit. Në 2010, presidentët e asaj kohe të katër vendeve, Bamir Topi i Shqipërisë, Filip Vujanovic i Malit të Zi, Gjorge Ivanov i Maqedonisë dhe Fatmir Sejdiu i Kosovës kërkuan realizimin e këtij projekti.

Ideja u përforcua edhe me nisjen e të ashtuquajturit si “Procesi i Berlinit” dhe nxitësja më e madhe për realizimin e tij u shndërrua kancelarja gjermane, Angela Merkel, që e kërkoi që në takimet e Berlinit në 2014 dhe një vit më pas në atë të Vjenës. Në këmbim, Gjermania dhe Bashkimit Europian premtonin investime madhore sidomos në infrastrukturë.

Kërkesa u përsërit në samitin e Parisit në vitin 2016, ndërkohë që vendime konkrete u morën një vit më vonë në samitin e Triestes. BE kishte vendosur në pjatë 500 milionë euro për projekte kryesisht në infrastrukturën rrugore, hekurudhore dhe energjitike për të lidhur vendet e rajonit. Por, Shqipëria nuk a doli mbanë që të përfitojë me asnjë projekt të dorëzuar, ndërsa Serbia, Bosnja, Maqedonia dhe Mali i Zi ia dolën mbanë që të tërhiqnin miliona euro fonde për projekte strategjike.

Kryeministri Edi Rama tërhoqi vëmendjen me atletet në Samitin e Triestes, por jo fonde nga BE. Gazeta Si, 8 tetor 2019

Me nisjen e punës për këto projekte, Bashkimi Europian pret tashmë nga vendet e rajonint që të realizojnë premtimin e dhënë për një Zonë Ekonomike Rajonale. Serbia, si përfituesja më e madhe e fondeve të Brukselit në kuadër të këtij projekti, sot me të drejtë kërkon me këmbëngulje përmbushjen e këtij premtimi.

Po Shqipëria, çfarë përfiton? Ekspertët në këtë pikë janë të ndarë. Një pjesë vlerëson se pa konsoliduar ekonominë e brendshme, për ta shndërruar atë në mjaftueshëm konkurruese me ekonomitë e vendeve të rajonit, sidomos të Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut, ky hap do të ishte i dëmshëm.

Që ekonomia shqiptare nuk është në gjendje që të konkurrojë ekonominë serbe dhe atë maqedonase konfirmohet edhe nga Banka Botërore në muajin mars të këtij vitit në draft-propozimin për një hua prej 90 mln dollarësh që do t’i jepet Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë.

“Integrimi i brendshëm i ekonomive të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor është relativisht i ngadaltë. Eksportet përbëjnë një pjesë të ulët të Prodhimit të Brendshëm Bruto në krahasim me ekonomitë e tjera përreth. Me eksportin e mallrave dhe të shërbimeve pranë 40 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto, Serbia dhe Maqedonia e Veriut kanë ekonomitë më të integruara. BE është tregu kryesor i eksporteve, që kap 60 deri në 70 për qind të totalit të eksporteve të Ballkanit Perëndimor. Vetëm 20 për qind e eksporteve shkojnë në vendet fqinje. Eksportet drejt Azisë janë të vogla, rreth 5 për qind nga Shqipëria dhe po aq nga Maqedonia e Veriut”, thuhet në këtë dokument.

Kryeministri Edi Rama dhe Presidenti serb, Aleksandër Vucic. Gazeta Si, 8 tetor 2019

Sa për krahasim me Serbinë dhe Maqedoninë e Veriut, për vitin 2018, eksportet shqiptare përbënin rreth 32 për qind të PBB-së dhe veç kësaj, ku një pjesë e rëndësishme është energjia elektrike.

Duke pasur parasysh këto të dhëna, në 2017 Konfindustria Shqiptare, fill pas samitit të Triestes apelonte për kujdes nga Shqipëria dhe Kosova, duke zbehur entuziazmin e një Zone Ekonomike Rajonale. Konfindustria deklaronte se BE po favorizonte Serbinë me projekte, çka thellonte epërsinë dhe avantazhin e Beogradit në një treg të përbashkët me vendet e rajonit.

“Krijimi i Tregut të Përbashkët të Ballkanit Perëndimor është e vështirë të jetë e suksesshme, nëse nuk mbahet parasysh se roli i BE duhet të mbështetet para se gjithash në parimin e paanësisë dhe mosfavorizimit të asnjë prej 6 shteteve anëtare. Sa më sipër duhet të shprehet edhe në shpërndarjen e investimeve prej 1 miliard eurosh të premtuara në mënyrë, që të zbuten ndryshimet e thella të sotme në infrastrukture dhe ekonomi ndërmjet vendeve të Rajonit. Kihet parasysh, se tashmë prej vitit 2013 në krye të Sekretariatit të Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal/KBR është Ministri i Jashtëm serb i ish-Jugosllavisë. Në takimin e Triestes pikërisht KBR-së iu ngarkua nga BE edhe detyra strategjike e mbikqyrjes së zbatimit të krijimit të Tregut te Perbashket te Rajonit, përveç detyrave të deritashme për ecurinë e zbatimit të marrëveshjes tregtare pothuajse të dështuara të CEFTA. Është e qartë, se në kushtet e sotme Serbia për shkak të shumë rrethanave infrastrukturore, ekonomike dhe financiare të trashëguara do të jetë në kushte shumë më të favorshme sesa shtetet e tjera të Rajonit në Tregun e Përbashkët të propozuar në Trieste”, thuhej në këtë reagim.

A ka ndryshuar gjë në këto dy vite? Vështirë të thuhet se po. Ekonomia shqiptare dhe ajo e Kosovës vazhdojnë të mbeten pas ekonomisë serbe dhe maqedonase, ndërsa Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç duket se po mundohet që ta shfrytëzojë këtë epërsi për të ngritur sa më parë tregun e përbashkët.

Kryeministri Edi Rama e mbron këtë projekt me arsye të tjera. Ai thotë se zona ekonomike rajonale do të rrisë konkurrencën dhe cilësinë, por edhe do të ulë çmimet dhe papunësinë. Me këtë bindje, ai do të udhëtojë drejt Novi Sadit për të konfirmuar edhe njëherë, të paktën publikisht, se Shqipëria është pro zonës ekonomike rajonale.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë