Futboll

“Baby” Apolonia në Superiore, strategjia ideale që shmang gropën e zezë

Kastrioti dhe Apolonia janë dy skuadrat e ngjitura direkt në Superiore, e kanë siguruar matematikisht elitën për sezonin e ri, ku do të zënë vendin e Flamurtarit dhe Luftëtarit. Janë dy klube me strategji të ndryshme: krutanët me një projekt afatshkurtër për kthimin e shpejtë në Superiore, kurse fiarëkët me një projekt afatgjatë. Këta të fundit kthehen në nivelin më të lartë të futbollit shqiptar pas 5 sezonesh dhe strategjia e zgjedhur prej tyre është vërtet interesante.

Apolonia është një shembull se si futbolli shqiptar mund të shmangë atë që të gjithë drejtuesit e klubeve në vendin tonë e quajnë “gropa e zezë”, për shkak se vetëm shpenzojnë dhe nuk fitojnë asgjë në kushtet aktuale, kur ligji për sportin vazhdon të zvarritet zyrave. Dëshira për të pasur një ekip pretendues sjell shpesh pasoja të rënda, sepse klubet akumulojnë borxhe, por Apolonia vepron ndryshe, me durim dhe guxim.

Apolonia feston një gol në derbin me Lushnjën. Gazeta Si, 7 korrik 2020

Klubi fierak mbështetet tek akademia e tij, tek ekipet e grupmoshave, që në këtë moment i ka thuajse të gjitha në nivel kryesues. Një punë këmbëngulëse që sjell suksesin pa investime pa sens. Dhe është një sukses që shijon më shumë ky që arrihet me produktin e shtëpisë. Edhe stafet teknike janë përzgjedhur për t’i rritur profesionalisht lojtarët me moshë të re, sipas filozofisë së grupit. Trajneri Artan Mërgjyshi, i njohur për punën e mirë me të rinjtë, ia doli të ngjitet në Superiore me një grup futbollistësh me moshë mesatare nën 20 vjeç. Mjafton të përmendim faktin që lojtari më “i moshuar” te fierakët është 24 vjeç (Denis Duda).

Trajneri Mërgjyshi, stafi i tij dhe lojtarët e stolit gjatë një ndeshjeje. Gazeta Si, 7 korrik 2020

“Superiorja ishte objektivi ynë këtë sezon dhe ia arritëm, nuk është as rastësi dhe as një pretendim egoist i yni. Apolonia ka rreth 15 skuadra meshkujsh dhe femrash në nivele kryesuese. Është një investim i gjithi në futbollin e bazës. Ata të rinj tashmë kanë nevojë të promovohen edhe në elitën e futbollit shqiptar, pasi u bën shumë mirë. Jemi një klub me financa të balancuara, jo një gropë e zezë, nuk kemi borxhe dhe nuk gënjejmë askënd. Çdo gjë bëhet në të bardhë. Kemi zgjedhur një model që bazohet mbi ekonominë. Nuk jemi një futboll i pasur dhe do rrisim futbollistë të rinj për t’i kaluar në vende të mëdha dhe për të fituar nga ta. Kjo është filozofia jonë, nuk bëjmë aventura.

Në Superiore duam ta konsolidojmë ekipin, por duke u bazuar te lojtarët që dalin nga moshat. Është esenciale të qëndrojmë në Superiore dhe t’i rrisim këta djem. Merkato do bëjmë vetëm për djem të rinj, nuk marrim futbollistë mbi 23 vjeç. Mërgjyshi është i konfirmuar që në fillim të sezonit, ngjiteshim apo jo në Superiore. Është një trajner i zoti, një trajner edhe për drejtuesit e ekipeve të moshave”, - tha presidenti i Apolonisë, Koço Kokëdhima, pas fitores në derbin me Lushnjën, që zyrtarizoi ngjitjen në Superiore.

Olsi Bregu, administratori i klubit fierak. Gazeta Si, 7 korrik 2020

Apolonia ia doli të kthehet në elitë me një buxhet prej 40 milionë lekësh, falë strategjisë së saj. Olsi Bregu, administratori i klubit fierak, për Gazeta Si shprehet: “Suksesi është plotësisht i merituar për Apoloninë, është një punë e madhe e bërë prej vitesh. Ne kemi zgjedhur të punojmë duke u mbështetur tek akademia dhe këta djem kanë vite që luajnë bashkë, edhe pse kanë një moshë shumë të re. Tek Apolonia ka lojtarë që kalojnë me ekipin e parë që 16-17-vjeç. Për shembull, me Kukësin në Kupë luajtën dy të rinj që janë pjesë edhe e Kombëtares U-17.

Ne mbështetemi te kjo strategji. Këtë vit kemi pasur një buxhet prej 40 milionë lekësh që mbulon shpenzimet e pagave të lojtarëve, stafit teknik dhe shpenzimet operative. Nuk kemi asnjë detyrim të prapambetur ndaj askujt, jemi shumë të rregullt në këtë pjesë, duke bërë pagesat e sigurimeve edhe në kohën e pandemisë. Çdo gjë është e pastër. Sigurisht që edhe në Superiore do të vazhdojmë me po të njëjtën linjë, sepse në të kundërt do të hidhnim poshtë gjithë punën që kemi bërë deri tani. Pra, do të mbështetemi te po ky grup, do të bëjmë ndonjë përmirësim, por gjithmonë me lojtarë që i përgjigjen strategjisë së Apolonisë, lojtarë të pastër sportivisht, sepse ka shumë rëndësi që skuadra të vazhdojë me këtë frymë.

Ne nuk mund të ndryshojmë ekipin meqënëse u ngjitëm në Superiore, të largojmë 15 lojtarë dhe të marrim 15 të tjerë. Apolonia e Superiores është kjo që kemi, me ndonjë afrim që mund të jetë edhe në moshë pak më të madhe. Objektivi është rritja e nivelit të këtij grupi futbollistësh, prandaj dhe kontratat tek Apolonia janë gjithmonë afatgjata, 3-4-vjeçare”.

Një ekip i moshave të Apolonisë. Gazeta Si, 7 korrik 2020

Gjatë sezoneve të fundit tek Apolonia kanë shpërthyer lojtarë të talentuar si Myrto Uzuni, Realdo Fili, Sodiq Atanda, Blerim Krasniqi etj. Që tani janë vënë në shënjestër të klubeve të tjera elementë me kualitet të kësaj skuadre, si portieri Harizaj, kapiteni Sota, Zaimaj, Mihana, Gjata dhe të tjerë. Nga shitja e tyre klubi fierak fiton financiarisht.

Fieri ofron një infrastrukturë mjaft të mirë sportive dhe një pjesë e suksesit vjen për këtë arsye. Tashmë ka edhe një projekt për një stadium të ri, që do t’i shërbente jo vetëm Fierit, por edhe qyteteve përreth. Investimi do të jetë një bashkëpunim mes FSHF-së, qeverisë, Bashkisë së Fierit dhe klubit të Apolonisë. Projekti është gati dhe është bërë nga arkitekti i “Air Albania Stadium”. Stadiumi “Loni Papuçiu”, kur të bëhet stadiumi i ri, do të shërbejë për stërvitjen, ekipet e moshave dhe të femrave, që gjithashtu Apolonia i ka në nivel të lartë. Një model gjithëpërfshirës, i suksesshëm dhe mbi të gjitha, pa borxhe.

Copyright © Gazeta “Si”

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë