Ngjarje

Artistët replika për Teatrin: Po shkelet Kushtetuta!

Aktorët kanë shkëmbyer sot një sërë replikash në lidhje me situatën e krijuar lidhur me Teatrin Kombëtar, duke kundërshtuar shembjen e tij, ndërsa një pjesë e artistëve janë ngujuar te godina në mbrojtje të saj.

Aktori Viktor Zhusti shkruan në “Facebook” se në këtë situatë është e nevojshme dhe e domosdoshme më shumë se kurrë qetësia dhe mirëkuptimi, pasi sipas tij, çdo gjë tjetër, qoftë deklarata, peticione, intervista e kërcënime, janë benzinë e hedhur, në një zjarr që vetëm shkatërron.

Mes rreshtash, Zhusti shkruan në një postim në Facebook se “sikur palët politike, të çdo drejtimi, të tërhiqen dhe presin, jam i bindur që vetë artistët, do dalin nga istikami, do hedhin armët që kane drejtuar kundër njëri-tjetrit, do shtrijnë e shtrëngojne dorën, pasi kane intelektin, qytetarinë dhe e njohin gjuhën e nevojshme të mirëkuptimit midis tyre”.

“S’ka pse shpërfytyrohemi. Në shfaqje të tilla, audicioni është tepër i vogël dhe i përkohshem e pas tyre, gjithkush do mbetet me një shije të hidhur. Kemi humbur shume kohë, është e pafalshme, të humbasim dhe njëri-tjetrin. My mesazh është shprehje e trishtimit, kur shoh qorrsokakun ku kemi hyre apo n’a kanë futur, neve që punën cdo herë e nisim kolektivisht rreth një tavoline, ku nis të hedh e hapat e para shfaqja teatrale”, shkruan ai.

Aktori Naun Shundi e cilëson shembjen e Teatrit Kombëtar shkelje të Kushtetutës. Ai pohoi se nuk është kundër ndërtimit të një godine të re, por në një vend tjetër, duke mos cenuar Teatrin Kombëtar.

“Unë kam qenë kundër prishjes, dhe vazhdoj të jem. Nuk kam asnjë argument tjetër. Me ç’thonë, duke nisur nga presidenti, se ka shkelje kushtetuese. Kjo punë vjen pak erë e keqe me thënë të drejtën. Të duket vetja sikur po merr pjesë dhe po hesht ë një maskaradë që po zhvillohet. Çdo qytetar i lirë i këtij vendi, duhet ti bashkohet kësaj nisme për projektligjet për prishje. Se di se si mund të arrihet kjo. Por me rëndësi është që mos të prishet. Më pas nëse e rregullon Europa Nostra apo qeveria, kjo ka të bëjë me të tjerët. Mua më intereson që kjo godinë të rregullohet, pasi ka nevojë për rregullime. Edhe sot siç është, është funksionale. Këtë e kam vërtetuar, pasi ajo sallë ka ofruar shfaqje edhe gjatë këtyre 2 viteve të bllokuara. Nuk jam kundër ndërtimit të një teatri bashkëkohor. Por le ta bëjnë ku të duan, por mos të prishin këtë. Të vinë disa specialistë dhe të nisi puna. Unë si dal para një buldozeri që të më shtypë, por të ngre zërin. Por të vetësakrifikohem?! S’jam nga ata.”, tha aktori.

Por drejtori i Teatrit Kombëtar, Hervin Çuli e cilësoi protestën artistëve një anarki të një grupimi që duan të stopojnë të ardhmen. Në një interviste, Çuli pohoi se teatri i ri që do të ndërtohet, do të jetë i veçuar nga kullat.

“Ata kanë kaluar në një lloj patologjie. Nuk dëgjojnë më. Ata duhan të bëhen ndofta sa më interesant kur të ndërrohen kahet politik. Kjo histori ka kaluar në një përçartje. Ka sharje, ofendime. Pra sipas tyre; ‘Kush mendon ndrydhe është armik’. Jemi në një situatë ku ai grupim atje, ku njoh vetëm 3-4, pasi pjesa tjetër s’kanë qenë kurrë në teatër duna me kokëfortësi që të bëhet; ‘Kështu si them unë’. Por kështu nuk funksionon! Dhe atëherë po shkoj dhe unë me disa kolegë me disa hunj e po themi; ‘kjo është tokë e xanun”, tha ai.

Edhe studiuesi Aurel Plasari është bërë pjesë e debatit të ashpër për prishjen ose jo të Teatrit Kombëtar. Përmes një mesazhi të gjatë në “Facebook”, Plasari thekson se i duhet shkuar krimit në zanafillë, për t’u marrë me përgjegjësit që e hoqën atë ndërtesë nga listat e monumenteve të kulturës, të cilat mbrohen nga shteti.

“Edi Rama i bën të gjitha sepse qeveris në Shqipëri, ku edhe rrënimi i monumenteve historike është punë e lehtë, në kuptimin që nuk kërkon ndonjë farë guximi a trimërie. Është ves që qeveritarëve rrënimtarë ua ka lënë lija. Janë rrënuar në Shqipëri deri edhe monumente ndër më të rrallat të Mesjetës arbërore”, shkruan mes të tjerash studiuesi. "Shfletoni historinë dhe hapni faqen e zezë të rrënimit të kishës së Shën Mërisë në Vaun e Dejës, asaj ngrehine të rrallë të kultit të shek. XIII, të vlerësuar nga specialistët për arkitekturën gotiko-romanike etj. Për të thoshte legjenda – jo Barleti – që aty pati vënë kurorë vetë Gjergj Kastrioti, Skënderbeu. Rrënimtarët shtetërorë e hodhën në erë me dinamit, ndonëse ajo ishte e përfshirë në listën e monumenteve të kulturës që mbroheshin nga “shteti”. Nëse nuk ia dini historikun, shfletoni dhe lexojeni diku. Dhe ngushëllohuni që e kemi ruajtur të stampuar si “souvenir” në kartëmonedhën 1000-lekëshe të Bankës sonë Kombëtare, emision i vitit 1996 dhe rishtypje e viteve 2001, 2007 etj. Pra mund të duhen pritur disa vite për ta pasur, të stampuar në një kartëmonedhë të ngjashme, edhe ndërtesën kulturore shumëfish historike – këtë që pret rrënimtarët – në mënyrë që të mburremi me çfarë na ishte një herë."


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë