Art dhe Kulture

Art në institucionet publike- Hapësirë e re apo centralizim?

Imagjinoni një ekspozitë që satirizon qeverisjen brenda mjediseve të COD! E vështirë, për të mos thënë e pamundur, edhe pse Qendra për Hapje dhe Dialog u krijua pikërisht si një hapësirë që rrëzonte barrierën mes ndërtesave të establishmentit dhe qytetarëve.

Me iniciativë të vetë kryeministrit, u synua përçimi i hapjes, tejpamjes dhe shndërrimit të asaj ndërtese historike me masa të larta sigurie, por kontrolli i imtë, shpesh lënia jashtë e telefonave celularë, verifikimi me kartë ID më shumë se hapje, të shkurajonte për të shkuar sërish në ngjarjet kulturore që nisnin nga ekspozitat e arteve pamore, tek shfaqja e filmave apo përurimi i librave dhe bashkëbisedime.

Nga ekspozita e Ornela Vorpsit në COD

Më shumë sesa hapej godina, mbyllej individi-publik brenda godinës, që sado një pjesë e saj të hapej për art e kulturë, mbetej e natyrës qeveritare.Por kjo nuk e ndali të veprojë si qendër alternative kulture, duke u bërë mikpritëse e ekspozitave me piktura të Edi Hilës, Flaka Halitit, fotografitë e Ornela Vorpsit apo të artistëve të huaj si Carsten Holler – me kërpudhën e famshme në oborrin e kryeministrisë  -, Philip Parreno me Tendën, në hyrje – dhe  fotografitë e Thomas Demand, që ishin edhe yjet ndërkombëtarë që i dhanë bujën e parë COD-it.

Shembullin e kryeministrit po e ndjek edhe ministrja e Kulturës, Elva Margariti, e cila në janar të këtij viti prezantoi projektin “Pavijoni”– Art në Institucionet Publike, me instalacionin e artistit Genti Korini.

Projekt, që synon promovimin dhe zhvillimin e artit në hapësirat e institucioneve publike shqiptare, me qëllim përfshirjen dhe aktivizimin e artistëve bashkëkohorë lokalë.  Për këtë, Ministria ka vendosur në dispozicion  hapësirën e hollit kryesor të saj, për të mirëpritur instalacionin multi-media “Rreth një peme” të artistes së re  Alketa Ramaj.

Ministrja Margariti në "Pavijoni", brenda mjediseve të MK

Ndërsa Ministria e Kulturës kërkon t’u japë një dorë e të mbështesë artisët lokalë, të rinjtë që ndoshta do ta kishin të vështirë të ekspozonin punët e tyre në institucione qendrore si  përshembull Galeria Kombëtare e Arteve, drejtori i saj Erzen Shkololli është i mendimit se shpërndarja e artit e bën skenën më aktive.

“Centralizimi asnjëherë nuk është pika më e dobishme për artin. Duhet që secili të marrë përgjegjësinë, jo të drejtojë gishtin. Shumë e kanë marrë këtë përgjegjësi; hapësirat që udhëhiqen nga artistë janë fenomen i njohur botëror dhe tani janë të pranishme edhe në Tiranë. Janë të formave të ndryshme; disa bëjnë biseda si “Harabeli”, “Bazamenti” ekspozon artistë të rinj, është “Zeta”, Galeria e Akademisë “Fab”, “Tirana Art lab” e shumë e shumë hapësira të tjera dhe, nuk do të duhet shumë kohë që secili të jetë i fokusuar në vizionin e vet se ç’do të ekspozojë në të ardhmen”, thoshte Shkololli në një intervistë dhënë Gazetës Si, vitin e kaluar.

Kërkimi i hapësirave të reja, ishte shqetësim edhe i ish-ministres së Kulturës, Mirela Kumbaro, që e artikulonte gjatë përurimit të “ArTurbina”. Ajo godinë dikur e rrënuar ndërronte funksion me rikonstruksionin, duke u shndërruar në skenë alternative për artet skenike, performuese edhe pamore. Një hapësirë që Tirana nuk e kishte pasur kurrë, sipas kryeministrit.  Kjo deri diku argumentonte edhe idenë e hershme të Tiranës policentrike, ku shumë-qendrat e reja të kryeqytetit duhet të kenë edhe mjedise dhe institucione lokale të artit dhe kulturës.

Ekspozita e Edi Hilës në COD

Ata që ishin  kundër shembjes së godinës së Teatrit Kombëtar, sugjeronin që i riu – ai i premtuar me kushte dhe standarde për artistët dhe publiku -, të ndërtohej në një zonë të re në zhvillim të kryeqytetit.

Pak metra më larg godinës së Ministrisë së Kulturës, dikur Kinostudioja “Shqipëria e Re”, është Akademia e Filmit dhe Multimedias Marubi, që para pak ditësh organizoi edicionin e 15-të të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit për të Drejtat e Njeriut.

“Ne e krijojmë periferiken sepse periferia është vendi më i denjë të dëshmosh shkeljen e të drejtave të njeriut, duhet të shkonte qendra drejt periferisë, jo të na thuhet të vijmë në qendër. Ka njerëz që e duan Tiranën të jetë e vogël”, shprehej disa vjet më parë Elvis Hoxha, pedagog i Akademisë Marubi dhe pjesë e IHRFFA, ndërsa një prej edicioneve të festivalit preku çështjen e nevojës së hapjes së dosjeve të regjimit të shkuar.

Kryeministri në COD, në aktivitetin "Lexo me mua"

“Kërkesa ka qenë gjithmonë: sillni aktivitetet në qendër. Është shoqëri moniste, sillini zërat e të persekutuarve në qendër dhe në njëfarë mënyre jemi një shtëpi e madhe e gjethes”, vijonte Hoxha, i mendimit për të mos e fokusuar aktivitetin kulturor rreth qendrës, ku ndodhen godinat e establishmentit.  

Por megjithë qëllimin e mirë të institucioneve si Ministria e Kulturës apo nisma e kryeministrit, që vjen vetë nga fusha e arteve dhe e di vështirësinë e artistit në kërkim të hapësirave për të shfaqur veprën e tij, qeveria duhet të bëjë atë për të cilën është votëbesuar; të merret me politikat përkatëse, që një artist – i cilësdo disiplinë-, të kishte sikletin e zgjedhjeve mes skenave alternative, që do të duhet të gëlonin nga veprimtaritë dhe  jo ta centralizonte atë brenda mjediseve të godinave qeveritare.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë