Sociale

Arsimi fillor dhe maturantët, të gjithë në shkollë. Të tjerët, 3 ditë në javë mësim online 2 ditë në klasë

Duke nisur nga udhëzimi i Komitetit të Ekspertëve për vijimin e mësimit të kombinuar, Ministrja e Arsimit, Rinisë dhe Sportit Evis Kushi, në një deklaratë për mediat njoftoi mënyrën se si do të zhvillohet mësimi i alternuar, midis shkollës dhe atij online.
"Kemi hartuar shtojcën e udhëzuesit të fillim-vitit 2020-2021 dhe do t’iu vihet menjëherë në dispozicion çdo institucioni arsimor në të gjithë vendin. Sipas këtij udhëzuesi, shkollat do të kenë fleksibilitet në përzgjedhjen e varianteve të mësimit të kombinuar, në varësi të situatës së pandemisë, numrit të nxënësve, apo kushteve të tyre specifike, por gjithmonë duke ruajtur të gjitha rregullat higjieno-sanitare dhe të distancimit fizik.
Skenari i mësimit të kombinuar do të nisë të zhvillohet nga data 1 dhjetor 2020 deri në një vendim tjetër, sipas rekomandimeve të Komitetit Teknik të Ekspertëve dhe Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale (MSHMS)," u shpreh Ministrja Kushi.
Më tej Kushi shpjegoi se gjatë kësaj periudhe, do të vazhdojë të zbatohet i njëjti program mësimor dhe rekomandohet të zbatohet orari mësimor që shkollat kanë aktualisht.
"Çdo të premte, shkollat në bashkëpunim edhe me Njësitë Vendore të Kujdesit Shëndetësor, do të raportojnë në Zyrat Arsimore lidhur me situatën e tyre, dhe më pas do të merret vendimi për çdo shkollë për mënyrën si do të zhvillohet mësimi.
Ky vendim do të merret nga MASR dhe do të përcillet nga Drejtoria e Përgjithshme e Arsimit Parauniversitar (DPAP) tek drejtoritë rajonale dhe Zyrat Arsimore përkatëse," shtoi Ministrja, ndërkaq shpjegoi se si do të vijojë mësimi.
Sipas skenarit mësimi do të vijojë:
- Klasat e arsimit fillor, nga e para në të pestën, dhe klasa e 12-të (pra maturantët) do të zhvillojnë normalisht procesin mësimor në mjediset fizike të shkollës - njësoj siç kanë vepruar deri më tani me SKENARIN 1 të Udhëzuesit për fillimin e vitit shkollor 2020 – 2021;
- Ndërsa klasat nga e 6 në të 9, si dhe klasat 10 dhe 11 do të zhvillojnë mësimin në këtë mënyrë:
- Në javën tek, pra javën e parë dhe të tretë të muajit: 2 ditët e para të javës në mjediset e shkollës, dhe 3 ditët e tjera të javës online.
- Në javën çift, pra në javën e dytë dhe të katërt, ditët këmbehen: pra 2 ditët e para të javës nxënësit janë online dhe 3 ditët e tjera të javës me prezencë fizike në shkollë.
-Në varësi të situatës së krijuar nga pandemia COVID-19, në rast se shkollat kanë situata të rënduara në stafet mësimore apo tek nxënësit, me urdhër të MASR, mund të aplikohet skenari kur vetëm klasat fillore (nga 1 tek e 5) dhe maturantët zhvillojnë mësimin në klasë. Ndërsa klasat e tjera bëhen online.
- Në raste më të rënduara, vetëm klasa 1 dhe klasa 12-të në mjediset fizike të shkollës, ndërsa të gjitha klasat e tjera do të zhvillojnë mësimin online.
Dua të theksoj gjithashtu që në raste të veçanta, kur ka raporte mjekësore, apo me kërkesë të prindit, nxënësit mund ta zhvillojnë mësimin tërësisht online, duke kaluar nga një grup në tjetrin brenda klasës.
Për ato shkolla, publike apo private, në qytet apo fshat, ku numri i nxënësve nëpër klasa është i ulët dhe nuk ka raste të infektuarish me COVID-19, mund të vazhdojë të zbatohet skenari i parë, siç është në fuqi, natyrisht në zbatim të rregullave dhe protokolleve shëndetësore dhe me mirëkuptimin e prindërve.
Më tej Ministrja shpjegoi se gjatë gjithë kësaj periudhe, kanali i dedikuar “RTSH Shkolla” dhe platforma online “Akademi.al” do të jenë në dispozicion të nxënësve dhe mësuesve në mbështetje të procesit mësimor.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë