Ka ndodhur

Arrestohet në Palasë Faruk Ozer, bosi i shumëkërkuar i Bitcoin-it nga Turqia

Gazeta Si - Bosi i shumëkërkuar i Bitcoin-it, turku Faruk Fatih Ozer është arrestuar në zonën turistike të Palasës në Himarë pas më shumë se një viti i shpallur në kërkim ndërkombëtar i akuzuar për mashtrim.

Ozer u kap këtë të martë në një vilë, të cilën e kishte marrë me qira në Palasë të Vlorës. Arrestimi u krye nga operacionalja e policisë se Elbasanit, pas informacioneve të marra për vendodhjen e tij.

LEXO EDHE:
- I shpallur në kërkim, bosi i kriptovalutave në një hotel në Tiranë. Mediat turke: E mbron mafia
- Një arrati e suksesshme. Disa të rinj që i bënë cirk policisë, por turku Ozer ende s’dihet ku është
- Video/ Si dhe ku fshihej bosi i kriptomonedhave, palës turke iu dërgua fotoja për konfirmim

Ai kërkohej nga Turqia për veprat penale  “Krijimi i organizatës kriminale” dhe “Mashtrimi me pasoja të rënda”.

Gjykata e Lartë e Stambollit ka lëshuar urdhër arresti në vitin 2021 ndaj Ozer. Në cilësinë e provës materiale policia sekuestroi laptopë, aparate celularë, karta bankash etj. 

Përgjimet kanë nisur me kërkesë të Prokurorisë së Elbasanit dhe me vendim të Gjykatës së këtij qarku, gjë e cila ka sjellë edhe zbulimin e vendndodhjes së saktë të mashtruesit turk.

Policia ka publikuar videon ku duket moment kur policia ndërhyn në banesë dhe I vënë prangat ndërsa ai është me pantallona të shkurtra dhe i ulur në divan.

Gjatë operacionit, bashkë me turkun, u shoqëruan dhe 2 shtetas te tjerë, Briken Shkëmbi, 36 vjeç, banues ne Tiranë dhe Elvaldo Haxhiu, 37 vjeç, banues në Durrës, të cilët janë shoqëruar për veprime të mëtejshme, për të sqaruar pozitën e tyre procedurale në raport me personin e shpallur në kërkim ndërkombëtar

Ai u arratis nga Turqia duke mashtruar dhjetëra mijëra turq, të cilët kishin investuar paratë e tyre në monedhën virtuale turke “Thodex”, ndërsa ishte parë të qarkullonte në Shqipëri.

Disa muaj më parë, për gjetjen e tij në vendin tonë kishin ardhur edhe oficerë të policisë turke, pasi kishte dyshime që ai fshihej në Shqipëri pas arratisjes nga Turqia.

Vitin e shkuar mediat turke raportuan se 28-vjeçari ishte parë në hollin e një hotelit i shoqëruar nga një person, i cili dyshohet ta ketë pritur kur ai mbërriti në aeroportin e Rinasit në 20 prill.

Sipas informacioneve, dyshohej se i riu turk, shmangte përdorimin e mjeteve të telekomunikimit dhe pagonte njerëz të paguar që e udhëzojnë ku të lëvizë dhe me kë të takohet.

Ozer kishte ndryshuar pamje ndryshe nga fotografitë që qarkullojnë. Ai ishte qethur thuajse zero dhe dukej më i shëndoshë.

Në shtator 2021, Edevaldo Haxhiu është arrestuar nga policia shqiptare, pasi dyshohet se kishte ndihmuar në arratisjen nga Tirana të bosit turk të kriptomonedhave.

Kompania përmes të cilës vepronte Ozer shpalli falimentin, ndërsa ai u shpall në kërkim ndërkombëtar.

Faruk Fatih Ozer drejtonte kompaninë "Thodex", e cila menaxhonte monedhat elektronike, si Bitcoin-i.

Dyshohet se rreth 400 mijë klientë janë mashtruar nga 27-vjeçari, i cili u ka përvetësuar të gjitha fondet prej 2 miliardë dollarë.

Autoritetet turke kanë shoqëruar dhjetëra persona, ndërsa 28-vjeçari ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar edhe nga Interpoli.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë