Ngjarje

Fshihet në Shqipëri, Turqia “rrethon” bosin e kriptomonedhave: E dimë se ku është!

Turqia vazhdon të këmbëngulë se bosi turk i kriptomonedhave, Faruk Fatih Özer fshihet në Shqipëri. Ministri i Brendshëm turk, Süleyman Soylu, ka deklaruar për shtypin vendas se policia ka bërë të mundur neutralizimin e zonës ku ndodhet supermashtruesi.

Soylu, ka theksuar se zhvillimet e fundit kanë sjellë rezultate të mira, ku rrethi i themeluesit të “Thodex” sa vjen e po ngushtohet.

“E dimë që është në Shqipëri. Megjithatë po mbajmë në kontakt edhe vendet e tjera. E dimë se ku është dhe do shkojmë aty. Është çështje kohe”, - ka thënë ministri turk.

Ozer është person i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet policore turke dhe nga Sekretariati i Përgjithshëm i Interpolit në Lion, pasi rezulton i dyshuar për mashtrim në shtetin turk nëpërmjet valutës elektronike Bitcoin.

Dyshohet se ai ka mashtruar qindra persona dhe biznesmenë, duke iu përvetësuar deri në 2 miliardë dollarë. Sipas mediave turke, 27-vjeçari rezulton të ketë hyrë në Shqipëri nga pika e kalimit kufitar të Rinasit më 20 prill të këtij viti.

Praninë e tij në Tiranë e dëshmojnë edhe disa foto nga momenti ku ai është akomoduar në një prej hoteleve të kryeqytetit shqiptar.

Mediat turke kanë raportuar se biznesmeni i ri po fshihet në Shqipëri nën mbrojtjen e mafies, duke e bërë më të vështirë edhe identifikimin e vendndodhjes së tij. Ato deklarojnë se ai po mbrohet në këmbim të ryshfetit.

Ndërkohë, në një postim në rrjetet sociale, Ozer ka mohuar akuzat, ku theksonte se kompania ishte në shënjestër të një fushate shpifjesh.

Për kapjen dhe arrestimin e tij, përveç Shqipërisë, janë momilizuar edhe disa agjenci ligjzbatguese nga vendet e rajonit, si Kosova, Mali i Zi, Kroacia dhe Bosnjë Hercegovina.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë