Ngjarje

I shpallur në kërkim, bosi i kriptovalutave në një hotel në Tiranë. Mediat turke: E mbron mafia

Çështja e milionerit të kriptomonedhave turke, Faruk Fatih Özer, i cili është shpallur në kërkim dhe dyshohet se fshihet ende në Shqipëri, sa vjen e bëhet më intriguese.

Së fundmi, mediat turke kanë publikuar një foto të Özer, i cili shihet teksa kryen procedurat e “Check In-it” në një hotel në Tiranë.

Por mediat turke vijojnë më tej në shkrimin e tyre ku theksojnë se themeluesi i shkëmbimit të monedhës kripto Thodex, shoqërohet nga një person tjetër.

27-vjeçari paraqitet duke bërë bërë prenotimin i shoqëruar nga një shtetas shqiptar i veshur me të kuqe që hetuesit thonë se e ndihmoi edhe kur ai mbërriti në aeroportin e Rinasit më 20 prill.

Ndërkohë që mediat turke bëjnë të ditur se biznesmeni turk po fshihet në Shqipëri i mbrojtur nga mafia, duke e bërë më të vështirë edhe identifikimin e vendndodhjes së tij. Ata deklarojnë se ai po mbrohet në këmbim të ryshfetit.

Sipas informacioneve, dyshohet se i riu turk, po shmang përdorimin e mjeteve të telekomunikimit dhe ka njerëz të paguar që e udhëzojnë ku të lëvizë dhe me kë të takohet.

Autoritetet turke në anën tjetër kanë vazhduar operacionet intensive për kapjen e bosit të kriptomonedhës turke “Thodex” që dyshohet se fshihet prej dy javësh në Shqipëri bashkë me një server, brenda të cilit mbahen 108 milionë dollarë në kriptomonedha. Operacionet për kapjen e tij po koordinohen me policinë shqiptare dhe atë turke.

Por kjo e fundit po bashkëpunon edhe me policitë e vendeve të tjera të rajonit në kufi me Shqipërinë, me dyshimin se i shumëkërkuari mund të arratiset.  

Faruk Fatih Ozer drejton kompaninë "Thodex", e cila menaxhon monedhat elektronike, si Bitcoin-i. Raportohet se rreth 400 mijë klientë janë mashtruar nga 27-vjeçari, i cili u ka përvetësuar të gjitha fondet prej 2 miliardë dollarë.

Autoritetet turke kanë shoqëruar dhjetëra persona, ndërsa 27-vjeçari është shpallur në kërkim ndërkombëtar edhe nga Interpoli.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë