Ngjarje

Ndihmoi bosin turk të kriptomonedhave të arratisej, arrestohet në Tiranë 36-vjeçari

Edevaldo Haxhiu është arrestuar nga policia shqiptare, pasi dyshohet se ka ndihmuar në arratisjen nga Tirana të bosit turk të kriptomonedhave, Faruk Fatih Ozer.

Fillimisht lajmi është raportuar mëngjesin e të enjtes nga gazeta turke "Sabah", që konfirmon se Haxhiu është  shoqëruar nga sektori i Krimit Kibernetik në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë. Sipas “Sabah”, ai është arrestuar në orën 00:30 të mesnatës së sotme.

Ndërkohë, vetëm disa orë më vonë, Policia e Shtetit ka konfirmuar arrestimin e 36-vjeçarit. Përmes një njoftimi zyrtar, thuhet se Haxhiu dyshohet se ka ndihmuar Ozer-in të fshihet në Tiranë dhe si pasojë, akuzohet për veprat penale “Përkrahja e autorit të krimit” dhe “Mashtrimit kompjuterik”.

Sipas policisë shqiptare, arrestimi i tij është bërë me dyshimin e arsyeshëm, se “disa shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë kryer veprime me qëllim ngritjen e një skeme të mashtrimit nëpërmjet krijimit dhe shitjes së monedhave virtuale nëpërmjet platformave të krijuara për këtë qëllim, duke rezultuar në mashtrimin e një numri të madh shtetasish të huaj (deri më tani)”.

Policia shqiptare sqaron se nga informacionet e marra, vlera e mashtrimit që shtetasi turk F.O., ka kryer si autori kryesor i kësaj vepre është rreth 2 miliard dollarë.

Nga ana tjetër, shtypi turk thekson se Haxhiu e kishte marrë Ozer-in nga aeroporti “Nënë Tereza”, e ka sjellë në një hotel dhe e ka ndihmuar të fshihej më pas.

"Haxhiu, i cili u zbulua se kishte qenë shpesh në Turqi, u kap nga kamerat e sigurisë, ndërsa hynte në hotel ku shoqëroi të arratisurin Özer. Haxhiu nuk ka folur në hetimin policor dhe nuk i ka pranuar akuzat, duke thënë se nuk e njihte Fatih Ozerin", - raporton gazeta "Sabah", e cila nënvizon po ashtu se ekzistojnë prova që Haxhiu është “personi që ndihmoi Fatih Özer të vinte në Shqipëri”.

Faruk Fatih Özer, u arratis nga Turqia në 20 prill dhe u strehua në Shqipëri. Autoritetet turke nisën një hetim më 22 prill, pas një raporti se përdoruesit nuk mund të hynin në llogaritë e tyre të kriptomonedhave Thodex dhe se pronari i kompanisë kishte ikur jashtë vendit.

Në Turqi , janë lëshuar në total 82 urdhër arresti, përfshirë Ozer, për të cilët u lëshua një urdhër arresti ndërkombëtar. Ai kishte mashtruar rreth 360 mijë përdorues të kompanisë së tij, me vlerë rreth 2 miliardë dollarë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë