Rend dhe Ligj

Ardian Çapja lë ambientet e QSUT, transferohet në spitalin e burgut

Ardian Çapja ka lënë ambientet e QSUT-së në repartin e kardiologjisë, ku ndodhej për shkak të disa probleme kardiake, për t’u transferuar në spitalin e burgut.

Përmes avokatit të tij, Çapja ka kërkuar lirinë në Gjykatën e Apelit Durrës, duke argumentuar për një masë më të butë.

Pikërisht në ambientet e QSUT-së pak ditë më parë, ndaj tij u caktua masa e sigurisë “arrest në burg”.

LEXO EDHE:
- Ardian Çapja lihet në burg, masa e sigurisë i jepet në spital (Foto)
- Si u arrestua Ardian Çapja në Elbasan, çfarë i gjeti policia në banesë (Video)

Ai u arrestua pak ditë më parë, gjatë operacionit “Krasta 2021”, i dyshuar si porositësi i vrasjes së babë e bir, Gentian dhe Nezir Beqirit në vitin 2012 në Elbasan.

Në kërkim për të njëjtën ngjarje, është edhe Florenc Çapja, edhe ky i dyshuar si organizator i vrasjes së dyfishtë, ku shkak pretendohet të jetë një seri hakmarrjesh mes dy familjeve.

Në fakt, hetimet për ngjarjen u rihapën në vitin 2018, ku prova më e fortë e Prokurorisë së Elbasanit, është dëshmia e Ervis Bardhit, i konsideruar si ekzekutuesi fizik i Gentian Beqirit në apartamentin e tij.

Bardhi, pasi u zbulua nga shenja e gishtit në targën e makinës së përdorur për vrasjen, zgjodhi të bashkëpunojë me drejtësinë duke treguar detaje. Dëshmia e tij u konsiderua e besueshme nga Prokuroria, teksa ai ka treguar me detaje mënyrën e vrasjes dhe faktin që ka marrë 50 mijë euro nga Çapjat për vrasjen.

Emri i Ardian Çapjes ka dalë shpesh në skedat e Policisë së Elbasanit, ku ai është shoqëruar disa herë. Vetëm në vitin 2017 ai u ka shpëtuar 3 atentateve me armë dhe eksploziv.

Çapja është arrestuar nga forcat speciale RENEA, pas një operacioni të zhvilluar në qytetin e Elbasanit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë