Ka ndodhur

Ardian Çapja lihet në burg, masa e sigurisë i jepet në spital (Foto)

Gjykata ka lënë në fuqi masën e sigurisë "arrest me burg" për Ardian Çapjan, i dyshuar si kreu i një grupi të fuqishëm kriminal në Elbasan dhe i akuzuar si bashkëpunëtor i vrasjes së dy personave para 9 vjetësh.

Ai është njohur me masën e sigurisë në ambientet e repartit të kardiologjisë në Tiranë, ku ndodhet prej ditësh i shtruar për probleme me zemrën.

Çapja ndodhet në gjende të qëndrueshme, por duhet të qëndrojë në kushte spitalore.

LEXO EDHE:
- Ardian Çapja arrestohet për vrasjen e Gentian Beqirit në 2012
- Ekskluzive / Dëshmitari i drejtësisë që i arrestoi Çapjat: E kisha shok Gentian Beqirin, më paguan ta vrisja

Më herët, QSUT është blinduar këtë të enjte nga forcat speciale, pasi kanë shoqëruar të pandehurin Çapja, i arrestuar para 4 ditësh në Elbasan gjatë një operacioni të kryer nga forcat RENEA.

Ai akuzohet si porositësi i vrasjes me armë zjarri në vitin 2012 të shtetasit Gentian Beqiri dhe Nezir Beqiri, babë e bir.

Avokatët e Ardian Çapjas, prokurori dhe gjyqtarja Pajtime Fetahu, e cila caktoi masën e sigurisë, kanë mbërritur në ambientet e QSUT-së nën mbrojtjen e forcave të shumta të policisë.

Arrestimi i Ardian Çapjas, është bërë pas dëshmisë së një bashkëpunëtori të drejtësisë të arrestuar pak kohë më parë në këtë qytet.

Vrasja e Gentian dhe Nezir Beqirit u krye në banesën e këtyre të fundit, pasi i riu ishte i paralizuar dhe në masën e sigurisë “arrest shtëpie”.

Edhe pse ruhej me policë në hyrje të shtëpisë, autorët mundën të shmangnin kontrollet dhe të kryenin krimin.

Të arrestuar për këtë ngjarje janë shtetasit: Ervis Bardhi, Olsi Leku, Etjen Cani dhe Klajdi Dokoli.

Burimet nga grupi hetimor bënë të ditur se përfshirja e Ardian dhe Florenc Çapjas në vrasjen e dyfishtë të ndodhur në vitin 2012, është zbardhur nga dëshmitë e një të penduari të drejtësisë që është arrestuar për këtë ngjarje.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë