Rend dhe Ligj

Arben Kraja, shkodrani që hetoi Lulzim Bashën, në krye të SPAK

Me gjashtë vota pro të anëtarëve të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Arben Kraja do të jetë drejtuesi i ri i Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion, i njohur ndryshe edhe me emrin SPAK.
Institucion i ri i drejtësisë do të hetojë dosjet e bujshme për korrupsion, duke përfshirë zyrtarët e lartë. Dy vite pas reformës në drejtësi, SPAK është gati dhe ka kompetenca tejet të fuqishme, duke lënë në “hije” Prokurorinë e Përgjithshme, që tashmë drejtohet nga Olsjan Çela.
Pro Krajës votuan anëtarët e KLP-së, Sandër Beci, Bujar Sheshi, Kostaq Beluri, Alfred Balla, Vate Staka dhe Nurihan Seiti.

Kreu i KLP-së, Gent Ibrahimi preferoi që të votonte Edvin Kondilin dhe se ishte vota e vetme pro këtij kandidati. Për tre vite më radhë Kraja do të jetë kreu i SPAK dhe ku e presin sfida tejet të vështira, pasi një pjesë e dosjeve të bujshme të lëna pezull nga Prokuroria e Krimeve të Rënda tashmë janë në duart e SPAK.

Kreu i SPAK duke u betuar përpara presidentit Ilir Meta. Gazeta "Si" 19 dhjetor 2019

Po kush është Arben Kraja?
Arben Kraja, i moshës 47 vjeç nga Shkodra, njihet për qetësinë dhe temperamentin e qetë. Ai ishte prokuror në Prokurorinë e Përgjithshme dhe çështja e tij më e fundit është ajo e akuzimit të ish-gjyqtares së lartë, Majlinda Andrea, e shpallur fajtore për afera korrupsioni. Prozhektorët e medias u kthyen ndaj tij vite më parë atëherë kur hetoi Lulzim Bashën në atë kohë Ministër i Jashtëm, por që iu nënshtrua hetimeve në pozicionin e ish-ministrit të Transporteve për Rrugën e Kombit. Basha së bashku me ish-zyrtarë të rrugëve, u vendos nën përgjegjësi për rrugën Durrës-Kukës, dosjen e Armando Prengës për incidentin e Lagunës së Patokut. Ai u mor edhe me deputetë e ish-deputetë të tjerë të gjykuar në Gjykatën e Lartë gjatë maratonës së dhjetëra çështjeve të gjykuara për akuzën e shpifjes. Arben Kraja është konfirmuar në detyrë dhe flet 3 gjuhë të huaja.

Pasuria e kreut të SPAK dhe kalimi në Vetting
Më 17 dhjetor të vitit të kaluar u dha vendimi pozitiv për prokurorin Arben Kraja nga trupa e parë e vlerësimit të procesit të vettingut. Komisioni i Pavarur i Kualifikimit vlerësoi se prokurori Arben Kraja kishte burime të ligjshme financiare për pronat e mësipërme. I njëjti konstatim u arrit edhe për një makinë të blerë për 2 mijë euro nga bashkëshortja dhe një autoveturë tip “Benz” me vlerë 500 mijë lekë. Prokurori Kraja ka deklaruar se ka paguar këstin e parë prej 15 mijë eurosh të një apartamenti në Gjirin e Lalzit, vlera totale e së cilës është 130 mijë euro. Sipas KPK, Kraja ka burime të ligjshme për pagesën e këstit të parë. Relatorja Shuli tha se pas verifikimit të pasurive, për subjektin nuk janë konstatuar deklarime të pamjaftueshme, ka pasur burime të ligjshme si dhe nuk ka fshehje të pasurisë. Prokurori Arben Kraja rezultoi i pastër edhe në kriterin e figurës.
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit hetoi nëse ai ka lidhje apo kontakte me krimin e organizuar, por nuk ka rezultuar diçka e tillë. Po ashtu, edhe Drejtoria e Informacionit të Klasifikuar kishte sjellë raport pozitiv për të. Ndërsa për kriterin e aftësive profesionale, ai është vlerësuar “shumë mirë” nga Prokuroria e Përgjithshme. I pyetur nga Komisioni për qëndrimin e tij, prokurori Arben Kraja u shpreh se falënderon trupën gjykuese për objektivitetin dhe kërkoi konfirmimin në detyrë. Trupi gjykues që shpalli këtë vendim përbëhej nga Roland Ilia, Etleda Çiftja dhe Firdes Shuli. Vendimi i KPK-sw nuk u apelua nga Komisioni i Posaçëm i Apelimit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë