Rend dhe Ligj

Vizioni i Arben Krajës për drejtimin e SPAK

Arben Kraja është i vetmi prokuror i Prokurorisë së Posaçme të SPAK që u zgjodh në këtë strukturë të re të parashikuar nga reforma në drejtësi nga radhët e prokurorëve të Prokurorisë së Përgjithshme.

Të gjithë kolegët e tij janë nga ish-Prokuroria për Krimet e Rënda. I pyetur nga anëtarët e Këshillit të Lartë të Prokurorisë nëse këtë fakt e shihte si disavantazh të tijin, Prokurori Kraja tha se jo. Ai u përgjigj duke thënë se ndjehej plotësisht i barabartë me 7 kolegët e tjerë të SPAK dhe se gëzonte respektin reciprok të tyre.

Por cili është vizioni i Arben Krajës në krye të Prokurorisë së Posaçme? Ditën e mërkurë, kur u mor në pyetje nga KLP, kreu i sapozgjedhur i Strukturës së Posaçme Antikorrupsion theksoi menaxhimin buxhetor, përzgjedhjen e një stafi me integritet dhe profesionist, transparencë me publikun për aq sa ja lejon ligji, mbrojtjen e prokurorëve nga sulmet e jashtme, zero tolerancë ndaj krimit dhe korrupsionit, si dhe bashkëpunim me ndërkombëtarët.

Përsa i takon menaxhimit të financave, ligji ngarkon drejtuesin e SPAK që të hartojë projektbuxhetin. Kraja tha se për këtë pikë do të shfrytëzojë përvojën e fituar në periudhën kur ka punuar si pjesë e Kontrollit të Lartë të Shtetit.

“Për ta realizuar me sukses këtë detyrë, do të shfrytëzoj të gjithë eksperiencën time të fituar në periudhën kur kam punuar pranë kLSH-së, duke synuar hartimin e një projektbuxheti sa më efektiv dhe të plotë, thithjen e sa më shumë fondeve nga donatorë të huaj, si dhe duke realizuar një menaxhim efektiv dhe transparent të buxhetit”, deklaroi ai.

Në seancën me pyetje-përgjigje, Kraja ishte i vetmi nga kandidatët që kërkoi që niveli i pagave të prokurorëve të posaçëm të përcaktohej me ligj nga ana e Kuvendit, duke deklaruar se përcaktimi i tyre përmes vendimeve të Këshillit të Ministrave mund të cenonte pavarësinë e SPAK-ut.

Në platformën e dorëzuar, prokurori Kraja premton transparencë në përzgjedhjen dhe plotësimin e stafit dhe organikës ndihmëse të SPAK. Ai tha se fillimisht duhet të përcaktohen strukturat e detyrat konkrete të tyre dhe më pas të vendosej për kriteret profesionale dhe të integritetit për rekrutimin e punonjësve në këto detyra.

Kraja kërkoi nga SHBA dhe BE që përmes misioneve të tyre, përkatësisht OPDAT dhe Euralius të dërgonin sa më shpejt ekspertët e tyre që do të ndihmojnë prokurorët e SPAK në hetimin dhe kopsitjen e dosjeve të bujshme që kjo prokurori pritet që të trashëgojë nga Krimet e Rënda.
Arben Kraja e vlerëson median si partnere të fuqishme në platformën e dorëzuar. Ai thotë se shpesh nga media mbërrijnë informacione të rëndësishme për nisjen e hetimeve dhe veç kësaj, institucionet publike kane detyrimet ligjore që të informojnë qytetarët mbi realizimin e detyrave që u ngarkohen me ligj.

Por, ai qortoi raportet e deritanishme mes organit të akuzës dhe medias. Ai thotë se shpesh prokurorët kanë shkelur ligjin duke mos dhënë informacion dhe po aq shpesh informacioni ka patur rrjedhje përmes kanaleve informale, duke nxjerrë në media edhe akte hetimore pa asnjë censurë.

Arben Kraja premton ndërtimin e raporteve të drejta ligjore dhe funksionale me strukturat e tjera shtetërore, duke e vënë theksin tek policia, shërbimet e inteligjencës, strukturat e hetimit të krimit financiar dhe të tjera institucione që zotërojnë, apo mund të ndihmojnë në zotërimin e informacioneve të vlefshme për punën e SPAK.

Drejtuesi i sapozgjedhur i SPAK premton gjithashtu edhe ngritjen e një sektori brenda Prokurorisë së Posaçme me detyrë bashkëpunimin dhe hetimet e përbashkëta me kolegët e vendeve partnere përmes kritereve të qarta ligjore dhe personale. Në këtë pjesë, ai këshillon që puna të nisë me rinovimin e të gjitha marrëveshjeve të bashkëpunimit që Prokuroria e Përgjithshme ka lidhur me strukturat homologe në vendet e tjera, pa nënvlerësuar kontaktet e reja.

Kraja thotë se do të mbështesë dhe nxisë pavarësinë e prokurorëve vartës të tij në SPAK në hetimin e dosjeve që do të kenë në dorë. Por kjo, sipas tij, nuk do të duhet të përkthehet në papërgjegjshmëri. Para KLP-së ai mbrojti parimin se sa më e madhe të jetë pavarësia e prokurorëve në hetimin e dosjeve, aq më e madhe do të jetë edhe përgjegjësia dhe llogaridhënia e tyre.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë