Këshilli i Lartë i Prokurorisë zhvilloi këtë të mërkurë intervistat me tre kandidatët për drejtues të Prokurorisë së Posaçme, që së bashku me Byronë Kombëtare të Hetimit përbëjnë Strukturën e Posaçme Antikorrupsion.
Altin Dumani, Arben Kraja dhe Edvin Kondilli dolën me radhë sipas rendit alfabetik duke prezantuar platformën dhe vizionin e tyre për drejtimin e SPAK-ut, si dhe duke treguar secili pikat e tyre të forta.
Prokurorët Dumani dhe Kraja cituan përvojën në drejtimin e strukturave në Prokurorinë e Përgjithshme dhe në Prokurorinë për Krimet e Rënda si avantazh të tyre, ndërsa Edvin Kondilli vlerësoi si avantazh të tijin pikërisht mungesën e përvojës në drejtim përgjatë 15 viteve karrierë si prokuror. Ai tha se në vlerësimin e tij, në të shkuarën emërimet e drejtuesve në prokurori janë bërë mbi vullnete personale të drejtuesve të prokurorisë.
Dumani dhe Kondilli u zgjodhën në SPAK pas karrierës së tyre tek Krimet e Rënda, ndërsa Arben Kraja është i vetmi anëtar i Prokurorisë së Posaçme që u zgjodh pjesë e kësaj strukture i ardhur nga radhët e Prokurorëve të Prokurorisë së Përgjithshme. Kraja nuk e vlerësonte si pengesë këtë fakt në ushtrimin e detyrës së drejtuesit, nëse KLP do ta zgjedhë për mandatin 3-vjeçar në krye të SPAK.
Platformat dhe pikat e forta
Altin Dumani, që vlerësohet si kandidat favorit në këtë garë vlerësoi si pikë të fortë të tijën vullnetin për të mos iu dorëzuar presioneve dhe kërcënimeve.
“Kam qenë 9 vjet nën mbrojtjen e policisë sepse pika ime e fortë është që nuk tërhiqem. E kam edhe unë një pikë të dobët dhe shpesh u kërkoj falje kolegëve, sepse kur punoj harroj menaxhimin e kohës. Fokusohem shumë dhe harroj elementin kohë. Nën shembullin tim privohen nga koha që duhet t’u kushtojnë familjes edhe prokurorët e tjerë”, deklaroi ai.
Sfidë për SPAK do të jetë edhe menaxhimi i fluksit të madh të dosjeve dhe denoncimeve që pritet të adresohen në këtë strukrurë. Si fillim, ai tha se do të ngrejë një mekanizëm që të vlerësojë nëse një dosje e caktuar është në kompetencë lëndore për SPAK, apo jo dhe më pas foli për organizimin që do t’i bëjë Prokurorisë së Posaçme.
“Prokurorë që kanë përvojë në luftën kundër korrupsionit do të jenë te seksioni i korrupsionit dhe ata që kanë përvojë në luftën kundër krimit të organizuar do të hetojnë krimin e organizuar. Edhe oficerët e policisë gjyqësore t’i ndaj sipas specializimeve. Ka prokurorë që fare mirë mund të investohen në përzgjedhjen e oficerëve të policisë gjyqësore sipas këtyre dy ndarjeve”, deklaroi Dumani.
Kandidati tjetër, Arben Kraja vlerësoi si pikë të fortë të tij përvojën e gjatë si Prokuror në Prokurorinë e Përgjithshme, ku ka drejtuar disa sektorë, përfshirë edhe task forcën kundër korrupsionit.
“Kam eksperiencë drejtimi, e cila garanton suksesin tim në drejtim të këtij institucioni. Drejtuesi duhet të ketë eksperienca menaxheriale, njohuri administrative, financiare. Kam bashkëpunuar me organizatat ndërkombëtare për draftimin për sekuestron parandaluese dhe imunitetin e zyrtarëve të lartë”, deklaroi Kraja.
Ai premtoi se si drejtues do të marrë në mbrojtje prokurorët nga sulmet e padrejta dhe do të realizojë një sjellje të ekuilibruar ndaj vartësve të tij.
Kandidati i fundit, Edvin Kondilli e interpretoi mungesën e përvojës në drejtimin e prokurorisë, apo strukturave të prokurorisë në të shkuarën, jo si penalizim, por si avantazh të tijin.
“Puna në menaxhimin e burimeve njerëzore dhe financiare gjatë hetimit të dosjeve të ndryshme është një përvojë. Në të shkuarën, emërimet në pozicione drejtuese, në pjesën më të madhe të tyre nuk bëheshin mbi bazën e meritokracisë, por zgjidheshin mbi vullnetet personale të drejtuesve të sistemit të prokurorisë”, tha ai.
Kondilli tha se në krye të SPAK do t’i kushtojë një rëndësi të veçantë hetimit pasuror, që sipas tij, do të çrrënjosë strukturat e krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Të tre kandidatët nënvizuan faktin pritshmëria e publikut ndaj Strukturës së Posaçme Antikorrupsion është e lartë. Por ata nënvizuan gjithashtu se SPAK nuk mund të japë rezultate konkrete nëse më parë nuk është e ngritur Byroja Kombëtare e Hetimit dhe administrata tjetër e kësaj strukture.
Megjithatë, të tre kandidatët premtuan se në përfundim të mandatit 3-vjeçar, SPAK do të kishte arritur rezultate konkrete të prekshme.
Një tjetër problematikë ishin edhe burimet njerëzore dhe financiare. Prokurori Arben Kraja kërkoi që paga e prokurorëve të posaçëm të vendosej me ligj dhe jo me vendim të Këshillit të Ministrave, pasi sipas tij, kjo do të cenonte pavarësinë e SPAK.
Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme, pjesë e SPAK zgjidhet me shumicë votash nga anëtarët e Këshillit të Lartë të Prokurorisë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.