Rend dhe Ligj

SPAK betohet para Metës, SHBA: Të paprekshmit para drejtësisë

Tetë anëtarët e parë të Prokurorisë së Posaçme hynë pas orës 09:00 të së enjtes në selinë e Presidencës për të kryer aktin final të ngritjes së hallkës kryesore të SPAK-ut. Prokurorët Altin Dumani, Arben Kraja, Behar Dibra, Edvin Kondilli, Elida Celami Kaçkini, Ened Nakuçi, Enkeleda Millonai dhe Klodian Braho kryen betimin para Presidentit Ilir Meta.

Në ceremoni e betimit ishin të pranishëm edhe kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi, Avokati i Popullit, Erinda Ballanca, anëtarja e Gjykatës Kushtetues Vitore Tusha, kryetarja e Këshillit të Lartë Gjyqësor, Naureda Llagami, kryetari i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Gent Ibrahimi, Ambasadori i Delegacionit të Bashkimit Europian, Luigi Soreca, përfaqësues të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të OPDAT-it, misionit EURALIUS V dhe anëtarët e KLP-së.

Ceremonia formale që zgjati pak minuta “zyrtarizon” tetë emrat e para të Prokurorisë së Posaçme, ndërsa për emrin që do të do të drejtojë këtë institucion do të vendosë Këshilli i Lartë i Prokurorisë me shumicë votash.

Në garë për të qenë drejtuesi i parë i Prokurorisë së Posaçme janë tre prokurorët Altin Dumani, Edvin Kondilli dhe Arben Kraja. Të tre ata paraqitën ditën e mërkurë platformat dhe pikat e tyre të forta duke kërkuar votën e anëtarëve të KLP-së për të drejtuar SPAK-un.

Megjithatë, gjatë seancës së pyetje-përgjigjeve me anëtarët e KLP-së, që të tre kandidatët theksuan se nuk parashikojnë që SPAK të jetë plotësisht funksional brenda një afati të shkurtër kohor. Ata përmenden mungesën e Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe plotësimin e administratës ndihmëse të Prokurorisë së Posaçme.

Përfaqësues ndërkombëtarë gjatë ceremonisë së betimit të anëtarëve të SPAK. Gazeta Si, 19 dhjetor 2019

SHBA përshëndetën betimin e tetë anëtarëve të SPAK.

“Nga dita e sotme, Shqipëria ka një organ prokurorësh të angazhuar për të identifikuar, hetuar dhe vënë përpara drejtësisë zyrtarë të kaluar, apo aktualë dhe bosë të krimit – individë që në kohët e vjetra janë konsideruar si të paprekshëm. Ndërsa Shqipëria nis një fazë të re të zhvillimit të saj demokratik dhe ligjor, Shtetet e Bashkuara do të mbeten një partner i palëkundur në mbështetje të SPAK dhe të të gjithë atyre që kërkojnë t'i japin fund pandëshkueshmërisë dhe të sjellin drejtësi për popullin shqiptar”, thotë ambasada amerikane në Tiranë përmes një reagimi të shkurtër.

https://www.facebook.com/usembassytirana/posts/10156912006530838

Ambasadori i Bashkimit Europian në Tiranë, Luigi Soreca reagoi përmes një postimi në profilin personal të tij në Twitter.

“Mirëpresim betimin e sotëm të 8 prokurorëve të SPAK para Presidentit. Ata tani janë gati për të nisur punën. Një tjetër hap i madh në zbatimin e reformës në drejtësi. Lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar është kryeprioritet për Shqipërinë në rrugën e saj drejt anëtarësimit në BE”, shkruan ai.

https://twitter.com/LSorecaEU/status/1207586199013150721

PD përshëndet ngritjen e SPAK

Edhe Partia Demokratike e ka përshëndetur nisjen e punës nga SPAK. Përmes një deklarate, PD kujton se ka miratuar në Kuvend ligjin për ngritjen e kësaj strukture dhe të Byrosë Kombëtare të Hetimit. PD thotë se pavarësisht vendimeve të disa prokurorëve të SPAK në të shkuarën, nuk paragjykon asnjërin prej tyre.

“Koha që prokurorët të ngrihen në lartësinë e detyrës dhe të përmbushin pritshmërinë e qytetarëve shqiptarë për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë së krimit të organizuar, promovuesve të kriminelëve në politikë dhe zyrtarëve të korruptuar. Shqipëria ka një shans të ri dhe real për të luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin në nivelet më të larta, nga kriminelët me mbështetje qeveritare, tek politikanët dhe zyrtarët e lartë”, thuhet në deklaratën e opozitës.

Në fund, PD falenderon SHBA për ndihmën në këtë drejtim dhe për gatishmërinë e treguar për të mbështetur funksionimin e pavarur të SPAK.

SPAK shkrin Krimet e Rënda

Ngritja e SPAK shkrin Prokurorinë për Krimet e Rënda, ndërkohë që ligjet në kuadër të reformës në drejtësi nuk parashikojnë të njëjtën gjë për dy shkallët e Gjykatës për Krimet e Rënda. Të dyja këto, pra si Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda, ashtu edhe ajo e Apelit konvertohen në gjykata të posaçme kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Vendimi është zyrtarizuar në një mbledhje të Këshillit të Lartë Gjyqësor. Në pikën e parë të këtij vendimi thuhet se nga dita e sotme (19 dhjetor 2019) nisin funksionimin Gjykatat e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.

Vendimi konverton Gjykatën e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda në Gjykatë të Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar dhe Gjykatën e Apelit për Krimet e Rënda në Gjykatë të Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.

Selitë e dy gjykatave nuk ndryshojnë, ndërsa trupa e gjyqtarëve është përcaktuar 16 për Shkallën e Parë dhe 11 për Apelin. KLGJ ka vendosur se kryetari i Shkallës së Parë për Krimet e Rënda, Sandër Simoni do të qëndrojë në detyrë deri në zgjedhjen e kryetarit të ri të kësaj gjykate, deri në zgjedhjen e kryetarit të ri, gjithmonë nëse do të kalojë procesin e vettingut.

Po ashtu, edhe kancelari Saimir Shyti do të vijojë në këtë detyrë. E njëjta rrugë do të ndiqet edhe për Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me dallimin që kjo gjykatë nuk ka kryetar, por kancelarja Elka Dajçi do të vazhdojë të qëndrojë në detyrë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë