Politike

“Antishpifja”, OSBE shpreson që PS ta përmirësojë pas kthimit nga Meta

OSBE shpreson se mazhoranca do ta shfrytëzojë rishqyrtimin e dy ligjeve, pjesë e asaj që njihet si “paketa antishpifje”, të kthyer në Kuvend nga ana e Presidentit Ilir Meta, për të korrigjuar dhe përmirësuar në përputhje me standardet ndërkombëtare.

Zyra e OSBE-së për shtypin e bëri këtë deklaratë pas marrjes së dokumentave shpjeguese nga Presidenti Ilir Meta, ku jepe arsyet e rikthimit për shqyrtim në Kuvend.

“Përfaqësuesi i medias përsërit se asnjë pjesë e legjislacionit të ri nuk duhet të pengojë lirinë e shprehjes dhe lirinë e shtypit. Ai shpreson se rivotimi i ligjit do t’u hapë rrugën sqarimeve dhe përmirësimeve të mëtejshme të këtij ligji në mënyrë që të jetë në përputhje me standardet ndërkombëtare”, thuhet në deklaratën e zyrës së OSBE-së për lirinë e medias.

Ilir Meta ktheu për rishqyrtim në Parlament ndryshimet në dy ligje “Për mediat audiovizive” dhe “Për komunikimet elektronike”. Sa i takon ligjit të parë, Presidenti Meta vlerëson se ai bie në kundërshtim me parimet themelore kushtetuese të ndërtimit të një shteti demokratik, sigurisë juridike dhe të proporcionalitetit, ndërsa lidhur me ndryshimet në ligjin “Për komunikimet elektronike”. Presidenti Meta shprehu shqetësim për fuqinë e tepërt ndëshkimore që merr AKEP ndaj mediave.

Qeveria dhe mazhoranca socialiste kanë këmbëngulur se kanë mbështetjen e plotë të OSBE-së në lidhje me këtë ligj, por nga deklaratat e bëra herë pas here nga përfaqësuesi i zyrës për median në OSBE, Harlem Desir janë shprehur shpesh rezervat e këtij institucioni për pjesë të caktuara të ligjeve në fjalë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë