Editorial

“Antishpifja” që nuk e shëron dot median nga sëmundja

Miratimi i ligjit të ashtuquajtur antishpifje nxori edhe një herë në pah problemet e pushtetit me median, por më shumë se kaq, ai nxori në shesh problemin më të madh, atë të vetë medias. I paraprirë nga një valë protestash verbale të disa shoqatave të gazetarëve, të disa OJF-ve të medias, beteja e paralajmëruar si apokaliptike media-qeveri përfundoi në një përballje në shesh të pak gazetarëve me kryeministrin në anën tjetër të sheshit, brenda sallës së Kuvendit, dhe në lajme u tha se ishte lufta e bashkimit të medias ndaj qeverisë që po dhunonte fjalën e lirë, ndërsa në ERTV si rregullimi i një kuadri ligjor për shpifjen ndaj mbrojtësve të saj. Në të dyja rastet, asnjëra me gjasë nuk qëndronte tek e vërteta. Nëse i hedhim një sy ligjit, projekti nisi një vit më parë si një mënyrë formalizimi dhe regjistrimi i medias online kryesisht, që vepronte pa adresë, pa numër punonjësish të regjistruar, siguruar e paguar në të zezë në shumë raste, pa një përgjegjës dhe pa një përgjegjësi direkte për atë çka shkruante, bënte dhe vidhte nga të tjerët, por një vit më pas ai përfundoi në një qerthull debatesh, polemikash dhe sherresh për etiketimin si shpifje të lajmeve të rreme dhe pikëpyetjeve se cilat ishin lajmet e rreme, kush do t’i vlerësonte, kush do t’i dënonte, kush do t’i gjykonte e kush do t’i ndëshkonte dhe sa do të ndëshkoheshin ato, para apo pas gjykatës. Pa hyrë në analizën se sa të ndershëm ishin ata që e luftonin në raport me të shkuarën e tyre dhe sa i ndershëm ishte ai që e propozonte në raport me qëllimin, ndryshimet ligjore që u miratuan të mërkurën në Kuvend, me gjithë ndryshimet e ndryshimeve ligjore, të ditës përpara apo të minutës së fundit, e bëjnë ligjin kakofonik, të rrëmujshëm dhe aspak të zbatueshëm, jo sepse ligji është i fortë, i ashpër dhe politik, por sepse zbatimi i ligjit futet në aq shumë hulli, aq shumë duar e aq shumë labirinthe burokratiko-ligjore sa përpos objektit evaziv, në fund të një procesi do të kemi një rezultat pa shumë rezultat: nga portalet që deri tani nuk mbanin përgjegjësi, asnjë nuk do të mbajë përgjegjësi edhe për portalet. Nëse objekti i ligjit ishte rregullimi i medias së re, duhet që së pari ligji të rregullonte marrëdhënien e medias së re si biznes me shtetin, transparencën e kësaj medie me shtetin dhe publikun, marrëdhënien brenda vetë këtyre mediave, të drejtën e autorit dhe pronësisë intelektuale dhe probleme që vërtet shqetësojnë një media që dëshiron të jetë serioze dhe konkurruese me produktin e saj në treg. Vetëm në këtë mënyrë do të mund të filtroheshin në një hap të parë moria e titujve që shfaqen në “Facebook”e web, dhe që paraqiten si agjenci lajmesh, por që më shumë se sa prodhojnë, vjedhin punën e medieve më serioze të llojit të tyre apo atyre audio-vizive. Transparenca e financimeve do të bënte që çdo medie të mbijetonte në treg falë produktit që ajo shet dhe të ishte e aftë të tregonte se mbijetonte jo përmes financimit të nëndheshëm nga burime joligjore apo më keq kriminale. Tregu i deformuar mediatik, financimi ilegal apo ai politik ka bërë që media të mos jetë një mundësi informimi e qytetarëve, por një mundësi e ndikimit politik të partive, grupeve të caktuara ekonomike dhe organizatave kriminale në opinion dhe në jetën publike të vendit. Mediat në mbarë botën, edhe ato që dikur quheshin tradicionale, por që kanë përqafuar qasjen e medias së re në internet, e kanë zgjidhur këtë problem. Ata i financon jo thjesht reklama, por vetë publiku. Është ai që e zgjedh përmes abonimit median që do të besojë, përmes së cilës do që të informohet, sepse beson në profesionalizmin e saj. Por në Shqipëri, kjo është ende diçka e vështirë, sepse për sa kohë produkti serioz i një media profesionale vidhet dhe përvetësohet edhe nga ata që bërtasin për fjalën e lirë edhe nga ata që nuk bërtasin, por thjesht përfitojnë punën e dikujt tjetër. Në këtë mënyrë, një ligj antishpifje as nuk ndihmon dhe as nuk realizon synimin e qeverisë për rregullimin e shpifjes. Vetëm mundësia për të mbijetuar me profesionalizëm e eliminon shpifjen nga media e re dhe e vjetër. Media është një i sëmurë që nuk vuan nga migrena që po t’i japim qetësues ajo shërohet, por ka organet kryesore, që nga zemra deri te mëlçia jofunksionale. Ndryshimet ligjore janë aspirinë për problemet e medias, por është e vështirë që një qeveri, në një ambient thellësisht të kontaminuar nga problematika të mëdha, që nga korrupsioni deri te varësia politike apo ekonomike e interesave të bizneseve të mëdha, të përmirësojë këtë ambient vetëm me disa amendamente ligjore. Për të shëruar median, duhet shëruar e gjithë shoqëria shqiptare, duhet përmirësuar ekonomia e qytetarëve, duhet luftuar krimi e korrupsioni edhe në nivelet më të larta, duhet që drejtësia të jetë funksionale sepse në mënyrë direkte dhe indirekte, të gjithë këta faktorë ndikojnë në të gjithë shoqërinë shqiptare, pjesë e të cilës është edhe media. Dhe nëse komponentët përbërës të shoqërisë funksionojnë normalisht, detyrimisht do të kemi edhe një media normale dhe të përgjegjshme. Në fund, një konstatim edhe për vetë median, gazetarët që ishin në protestë, ata që ishin pro dhe nuk dolën dhe ata që këtë protestë e panë si gjithmonë si një protestë më shumë politike se sa për vetë median. Me dhjetëra TV e radio të regjistruara, me dhjetëra apo qindra portale që operojnë me apo pa leje, në sheshin përpara Kuvendit duhet të kishte me qindra gazetarë. Por kjo nuk ndodhi. Kjo nuk ndodhi dhe arsyeja nuk ishte se gazetarët janë të frikësuar nga punëdhënësit e kapur nga qeveria apo politika e kujtdo krahu. Kjo nuk ndodhi sepse vetë gazetarët janë shumë herë më të zgjuar se disa prej atyre që drejtonin opinionin kundër ndryshimeve ligjore dhe protestën te Kuvendi. Gazetarët, ata që dalin çdo ditë në terren, në shi, në të ftohtë, në tërmet dhe në fatkeqësi, që punojnë me orë të zgjatuara, që paguhen keq ose në rastin më të mirë, paguhen më pak se sa kontributi që japin, janë ata që rrezikojnë më shumë çdo ditë, jo vetëm në rast proteste. Ndër vite ata kanë parë se protestat e gazetarëve kanë degjeneruar në anësi politike, pro dhe kundër një qeverie, një partie. Në çdo ngjarje të madhe ka pasur dy anë, ata që kanë protestuar karshi një shkeljeje dhe ata që kanë mbrojtur shkeljen. Prej vitesh ata kanë parë që media nuk është solidare, por është partizane. Shoqatat dhe OJF-të ndër vite nuk kanë qenë në bllok për të mbrojtur një reporter, por në rastin më të mirë kanë selektuar kë të mbrojnë dhe kë të injorojnë. Ata gazetarët e terrenit e dinë që jo punëdhënësi, por eprori i tyre gazetar shpeshherë ka fituar e përfituar nga politika e njërit krah dhe ka protestuar kundër politikës së krahut tjetër. Media është pushtet, dhe quhet edhe në Shqipëri pushteti i katërt. Por në shumicën e rasteve këtë pushtet, media e ka përforcuar për të ndikuar në fatet e atyre që duhet të na qeverisin, në fatet e atyre që duhet të përfitojnë llokmat e mëdha që të dhuron afërsia e pushtetit, që sot quhen biznese të konsoliduara me paratë publike të shqiptarëve në të gjitha qeveritë. Nëse media do ta kishte seriozisht protestën, atëherë duhet të përdorte pushtetin që ka teorikisht, atë të informimit. Nëse mediat dhe gazetarët një herë të vetme, të gjithë në bllok, do të kishin protestuar seriozisht duke mos informuar për qokat e politikës në TV, nëse ekranet do të kishin bërë pushim gjatë orareve të lajmeve, nëse gazetat do të ironizonin në faqet e para me qeveritë dhe duke refuzuar propagandën, qoftë për një ditë apo javë, atëherë pushteti do të matej disa herë të hapte betejë me gazetarët. Por fakti që gazetarët e mëdhenj, mbrojtësit e fjalës së lirë, janë edhe ata si tifozët e politikës, gjithmonë, pro dhe kundër, e bën figurën e tyre dhe protestën të pabesueshme te masa e gjerë e punëtorëve të shtypit. Sepse gazetari e di që nëse ai vendos të protestojë, duke ushtruar pushtetin e tij për të mos raportuar, kolegu tjetër apo ai më me pushtet, në po atë moment do të jetë duke bërë pazarin e radhës në zyrat e politikës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë