Arsim

Anketa zbulon defektet e mësimit online: 14% e nxënësve s’kanë fare internet

Ministria e Arsimit thotë se vetëm 2 për qind e nxënësve nuk kanë akses në internet për të ndjekur zhvillimin e mësimit online. Vetë ministrja Besa Shahini e ka theksuar në më shumë se një rast këtë shifër.

“Rreth 2 përqind e nxënësve nuk ndjekin dot mësimin online, për shkak se nuk kanë internet. Por, shumica dërrmuese normalisht janë përfshirë në mësimet online gjatë kësaj pandemie”, deklaroi ajo dy ditë më parë në një intervistë televizive.

Por, si shifra prej 2 për qind, ashtu edhe efektshmëria e platformave online të përzgjedhura për të zhvilluar mësimin në distancë vihet në pikëpyetje si nga nxënësit, ashtu edhe nga vetë mësuesit.

Një anketë e Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim, realizuar me bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit dhe “Swiss Contact” nxjerr në pah të gjitha problematikat e vërejtura nga mësuesit dhe nxënësit deri në këtë fazë të zhvillimit të procesit mësimor në distancë për shkak të masave të ndërmarra kundër koronavirusit.

Sipas rezultatit të kësaj ankete, përqindja e nxënësve që nuk kanë fare akses në internet është të paktën 7 herë më e lartë nga ajo që pretendon ministrja Besa Shahini.

“Vetëm 50 për qind e nxënësve shprehen se kanë akses të pandërprerë në internet, ndërkohë 36 për qind e tyre ka akses të kufizuar dhe 14 për qind nuk ka akses fare në internet”, thuhet në raportin e publikuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim.

Raporti vë në dukje mungesën e një strategjie, apo udhëzimi nga ana e Ministrisë së Arsimit që të përcaktojë qartë një platformë unike dhe më të përshtatshme për këtë qëllim dhe ngre pikëpyetje të mëdha mbi rezultatet që përftohen nga mësimdhënia online. Pjesa më e madhe e mësuesve përdorin “Whats App” dhe pjesa më e madhe e tyre e vlerësojnë si më të përshtatshmen këtë platformë.

“77 për qind e mësuesve e vlerësojnë WhatsApp si metoda e duhur në këtë situatë, por vetëm 14 për qind e atyre që e përdorin mendojnë se kjo është mënyra më rezultative. 11 për qind e mësuesve dhe 20 për qind e nxënësve kanë zgjedhur të përdorin platformën “MësoVet”, vetëm, ose të kombinuar me platforma të tjera digjitale”, thekson raporti.

Platforma “MësoVet” së bashku me “Google Classroom dhe “NetAcad” vlerësohet si më e efektshmja nga 15.4 për qind e mësuesve, megjithëse jo të gjithë e përdorin këtë.

Raporti nxjerr në pah edhe vështirësitë që lidhen me pajisjen që përdorin nxënësit për të ndjekur mësimet në distancë. Pjesa dërrmuese e tyre thonë se përdorin telefonat dhe një pakicë e vogël përdor pajisje të tjera më të përshtatshme si tabletë, laptopë apo kompjutera tavoline.

“89 për qind e nxënësve përdorin celularët për të komunikuar dhe siguruar pjesëmarrje në procesin mësimor dhe një pjesë e maadhe e tyre shprehen në pyetjet e hapura se kjo është e lodhshme, duke qenë se janë të detyruar të shpenzojnë shumë orë përpara celularit”, thotë raporti.

Vetë mësuesit kanë identifikuar disa sfida gjatë procesit të mësimdhënies në distancë, por kryesoret janë mungesa e materialeve mësimore online, mungesa e internetit dhe mungesa e pajisjeve elektronike e infrastrukturës fizike të përshtatshme.

Në anketë kanë marrë pjesë 242 mësues dhe 1393 nxënës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë