Futboll

Ançeloti-Guardiola, sot sfida titanike në Champions mes dy nxënësve të Sakit

Gazeta Si – Brazili, parajsa e lojës, për të fituar një Botëror pas më shumë se 20 vitesh, ka menduar si për Karlo Ançelotin, ashtu edhe për Pep Guardiolën. Dhe një arsye e ka. Përballja titanike mes trajnerëve të Real Madrid dhe Mançester Sitit, hap sot gjysmëfinalet e Ligës së Kampionëve.

Pritet të jetë spektakolar kryqëzimi mes dy trajnerëve fitues dhe karizmatikë në historinë e futbollit. Me Kupën e Mbretit, Anceloti ka shkuar në kuotën e 26 trofeve, nga të cilët 10 me Realin, që si klub ka shkuar në 100 trofe.

Në këto 2 vjet Ançeloti ka fituar të gjitha kompeticionet ku ka marrë pjesë: 6. Tani do sërish Championsin. Si lojtar ka fituar 2, si trajner 4, më shumë se kushdo tjetër. Guardiola ka fituar një Champions si mesfushor dhe dy si trajner, të gjithë me Barcelonën, e fundit në 2011-ën.

Ka një boshllëk prej 12 vitesh për katalanasin, asnjë triumf në Mynih dhe Mançester. Kush dyshon për një ‘alergji’ të Pep për trofeun me veshë të mëdhenj, duhet të ketë parasysh se vetëm një trajner ka arritur 10 herë në gjysmëfinale të Championsit: ai. Me 32 trofe, Guardiola është i pesti më fitues në histori, pas Ferguson (49), Luçesku (37), Stein (35), Lobanovskij (33).

Ançeloti dhe Guardiola janë ‘vëllezër’, sepse janë bij të futbollit të Arrigo Sakit. Karlo në mënyrë direkte, Pep nëpërmjet Krojfit. Ideja është e njëjtë: një lojë dominuese dhe e bukur, sulmuese dhe kolektive. Të dy janë ende të lidhur me Sakin.

Arrigo i kujton Karlos rëndësinë e zhvillimit të skuadrës, kur Reali duket shumë i varur nga lojërat individuale të Vinicius dhe Rodrigo. Kurse Pep Guardiolës Saki i ka kujtuar se mbajtja e topit nga Siti bëhet sterile, nëse mungon lëvizja, nëse topi shkon vetëm te këmbët dhe nuk shkon në hapësirë.

Lojtaret e Realit, duke festuar nje gol. Gazeta Si, 9 maj 2023

Por nëse Anceloti dhe Guardiola kanë shkuar kaq larg, si askush tjetër nga nxënësit e Sakit, është sepse kanë ditur ta pasurojnë leksionin me ide konkrete të vetat, në sintoni me kohën. Karlo është nisur nga një respekt religjioz i dogmës taktike që çonte në mosbesim ndaj anarkisë së numrave 10, aq sa t’u mbyllte portën e Parmës në fytyrë Xolës dhe Baxhos.

Me kalimin e kohës ai kuptoi magjinë dhe pushtoi botën me një Milan të mbushur me numra 10. Kishte njërin prapa (Pirlo), një në mes (Sedorf) deh një përpara (Rui Kosta-Kakà). Me kohën Ançeloti është bërë zhvilluesi më i mirë i talenteve. Nuk ka asnjë lojtar që të mos e ketë adhuruar, sepse ia ka rritur vlerat në maksimum. Nuk ekziston asnjë trajner më empatik se Karlo. Humanizimi është talenti i tij i vërtetë, fuqia e tij më e madhe.

Talenti i Guardiolës është sensibiliteti, me të cilin ka përmirësuar vazhdimisht idetë e tij për ta bërë të paparashikueshme lojën, duke ruajtur principet. Barcelona, Bajern Mynih, Mançester Sit janë botë të ndryshme, të firmosura nga e njëjta dorë.

Më shumë dogmatik, më pak empatik, Pep ka vuajtur më shumë se Ançeloti përballë madhështisë së një ylli. Domethënës rasti i Ibrahimoviçit te Barcelona e tij. Guardiolës i pëlqente më shumë hapësira bosh që krijonte Mesi si 9 flase. Ibra e quante ‘Filozofi’ për të vënë në dukje pandjeshmërinë e tij, shumë larg empatisë së Ançelotit.

Haland, 'arma' kryesore e Guardioles. Gazeta Si, 9 maj 2023

Edhe këtu katalanasi është rritur, është në rrugën e Ançelotit. Tani nuk jep shenja pandjeshmërie për popullaritetin e Erling Haland që po udhëheq Sitin. E di mirë që, nëse shumë vlerësojnë skuadrën e tij pas disa tentativash të dëshpëruara, është për shkak të norvegjezit.

‘Topi i Artë’ Benzema kundër Haland që do të bëhet; takimi i vizionarëve Modriç-De Bryjne; violinat e Ançelotit kundër orkestrës së Guardiolës; Real Madrid, që ka fituar më shumë trofe së të gjithë (14) dhe që në Champions luan me sy mbyllur, si në sallonin e shtëpisë, kundër Mançester Sitit që nuk ka fituar asnjë. Le të bëjmë gati sytë, spektakël më i mirë nuk ekziston.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë