Keshilla

Anashkalimi i pushimit të drekës përkeqëson rendimentin në punë

Numri i personave që nuk bëjnë pushim dreke është rritur që nga viti i kaluar.

Nga Gazeta 'Si' - Momenti më i bukur i ditës së punës, duhet thënë me sinqeritet, se është koha e drekës. (Ndoshta është momenti i dytë më i bukur, dhe i pari është ai kur vjen ora për të ikur).

E megjithatë, gjithnjë e më shpesh, ora e shenjtë e drekës duket se është në rrezik zhdukje.

EzCater, një kompani që u ofron korporatave zgjidhje ushqimore, anketoi 5.000 punonjës në lidhje me pushimin e drekës.

Këtu janë gjetjet kryesore:

– Dreka i bën (thuajse) të gjithë më të lumtur. 53% e personave thonë se dreka i bën më të lumtur, në rritje me 15% krahasuar me vitin e kaluar dhe 48% thonë se ndihen më pak të rraskapitur kur hanë drekën, në rritje me 26% krahasuar me vitin e kaluar.

Ndër të tjera, 78% e personave thonë se pushimi i drekës përmirëson rendimentin e tyre.

– Por gjithnjë e më shumë njerëz po e anashkalojnë drekën: 48% thonë se e anashkalojnë drekën të paktën një herë në javë, ndërkohë që numri i personave që lënë drekën tërësisht është rritur nga 10% në 14%.

Rreth 20% thonë se kjo ndodh për shkak të shumë takimeve (74% thonë se është joetike të hash drekë gjatë një videothirrje në Zoom), ndërsa 22% thonë se nuk kanë kohë të mjaftueshme.

Më shumë se një e treta e punonjësve thonë se e bëjnë pushimin e drekës më pak se 30 minuta.

– Gjenerata Z priret ta dojë më shumë – dhe ta anashkalojë – pushimin e drekës: 42% e punonjësve të gjeneratës Z (11 – 26 vjeç) thonë se dreka është pjesa më e dashur e ditës, krahasuar me 26% të baby boomer (59-77 vjeç).

Ndërkohë vetëm 30% e baby boomers e anashkalojnë drekën të paktën një herë në javë, ndërsa 70% e Gen Z priret të bëjë një pushim dreke më pak se gjysmë ore.

“Mund të ndodhë një herë në javë ose çdo ditë, por nxitja e punonjësve për të bërë pushimin e drekës prej 30 minutash ‘pa takime’ për të gjithë kompaninë (duke përfshirë edhe drejtuesit) krijon idenë se kompania juaj i jep përparësi shëndetit mendor dhe mirëqenies së punonjësve” – thonë autorët e raportit.

Ndaj për rendiment më të mirë dhe për të shmangur ezaurimin (burnout) në punë, ata këshillojnë që pushimi i drekës të merret seriozisht.

Burimi: Fast Company/ Përshtati: Gazeta Si


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë