Lajme

Ana Franku në Metropol dhe një rol i qepur për Marjana Kondin

Suadela Balliu - Në papafingon e fshehtë, ku hapësirat e vogla e të pamjaftueshme për tetë njerëz, sundohen nga ankthi e frika për jetën që kanoset nga ajo çka ndodh jashtë, në Amsterdamin e pushtuar prej nazistëve, çiltërsia, batutat dhe situatat shpesh komike, të krijuara nga personazhi i Petronela van Dan, janë një valvul çlirimi, për të gjithë atë tension që publikut i ka hyrë thellë nën lëkurë. Regjisorja Armela Demaj, ia ka besuar rolin aktores Marjana Kondi, në shfaqjen “Ditari i Ana Frankut”, e cila prej një muaji ngjitet në skenën e teatrit “Metropol”. I ka qëndruar besnike tekstit të vogëlushes 13 vjeçare, e cila më 1942-shin do të mbyllej në atë aneks të fshehtë, të fabrikës në pronësi të të atit, në kanalin Prinsengraht, në Amsterdamin qendror, derisa rreziku për jetën të ishte shuar, bashkë me Luftën e Dytë Botërore.

Bruno Shllaku dhe Marjana Kondi, si çifti Van Dan, në shfaqje "Ditari i Ana Frankut". Foto kortezi: Teatri Metropol


Skena e teatrit ka marrë formën e një apartamenti modest, ku banorët e saj, të shtrënguar në një bashkëjetesë të pazakontë, u duhet të përshtatin komunikimin, sjelljet e deri tek ritualet bazike, të të ngrënit, të të fjeturit apo të përdorimit të tualetit. Kostumografia, e Jonida Beqos, njëherazi drejtoreshë e teatrit, është rikrijuar sipas viteve ’40. Fundet prej stofi, trikot me kopsa, kostumet me kapele republikë apo peliçet prej gëzofi kafshësh si ajo e Petronelës, bashkëshortes me origjinë hebraike të Hans Van Dan-it, një ish-partner biznesi i Otto Frankut, të atit të Anës së vogël, që ia la trashëgim botës një memoar të tmerreve të nazizmit, në një epokë absurdi të përkufizuar prej mizorisë dhe dhunës çnjerëzore.

Marjana Kondi dhe Roerd Toçe, në rolin e Petronela dhe Piter Van Dan. Foto kortezi: Teatri Metropol


I ndjerë në një borxh moral, zoti Frank e fton familjen van Dan, brenda papafingos, duke u ofruar një dritë të mekët shprese – siç e kishin të gjithë – për jetë. Jetesa me Van Danët nuk do të rezultojë aq e lehtë… Hansi, i interpretuar nga aktori Bruno Shllaku është egoist, nervoz, kritik. Statura e Shllakut, toni i ligjërimit dhe qëndrimi skenik, e veshin personazhin, me vërtetësi. E shoqja, Petronela, një grua e zëshme dhe e përkëdhelur. I biri, Piteri, një djalosh i mbyllur, që parapëlqen shoqërinë e maces, më shumë sesa komunikimin dhe ndërveprimin me banorët e asaj familjeje të madhe.

Aktorja 15 -vjeçare Vanesa Guri, në rolin e Ana Frank


Nëse nuk do të bëhej fjalë për një nga dëshmitë – që flet fuqishëm edhe pas 70 vitesh largësi kohe nga lufta –e gjenocidit më të madh që ka parë historia e njerëzit ndaj një populli, ditari i Ana Frankut, i përshtatur për skenë më 1955-ën, mund të ishte një vepër “coming of age” e vajzës që pëson ndryshimet e adoleshencës, e izoluar brenda katër mureve, ku edhe të folurit bëhej me orar, vetëm pasi të ishte larguar dhe i fundit punonjës i fabrikës.

Aktori Myzafer Zifla dhe Vanesa Guri. 


Vajza e lidhur me të atin, që ka vështirësi të gjejë gjuhën me të ëmën, në këtë rritje të vështirë, që e sheh veten larg së paarritshmes e shembullores, motrës së madhe e që rebelohet ndaj më të rriturve, duke folur si e barabartë me ta, gjen një mik të besuar vetëm tek ditari, dhurata e prindërve për ditëlindje, të cilin e pagëzon me emrin “Kiti”, siç bën edhe me emrat e të gjithë bashkëjetuesve të saj, duke zgjedhur për secilin nga një pseudonim. Mënyrën e saj të vrullshme të të jetuarit dhe të parit të jetës, e gjen ndoshta vetëm tek Petronela, tek kujtimet e saj të vajzërisë, tek femininiteti që i fal butësia e asaj peliçeje. Nuk është vetëm tregues i kamjes, statusit social, por edhe lidhja e vetme me fëmijërinë e saj. I vetmi kujtim që kam nga babai, thotë ajo.

Kasta e aktorëve të shfaqjes "Ditari i Ana Frank", së bashku me regjisoren Armela Demaj dhe drejtoreshën e teatrit "Metropol", Jonida Beqo. Foto kortezi: Teatri Metropol


Regjisorja ka hapur dyert e papafingos, duke i lejuar publikut të shohë atë bashkëjetesë të çuditshme, përplasje karakteresh sa të larmishëm aq të ndryshëm nga njëri-tjetri. Jashtë është lufta, vdekja që i qaset çdo ditë e më pranë atij komuniteti të vogël hebrenjsh – si milionave të tjerë jashtë – paranoja në çdo zhurmë të vogël dhe shpresa tek Forcat Aleate, që kanë nisur të zbarkojnë. Loja e aktorëve është e thjeshtë, pa pompozitet, gjë që e bën shfaqjen të rrjedhë me vijueshmëri të pandërprerë nga ndonjë ekzagjerim, për të krijuar me artificë fatin e fundmë tragjik, që i pret të gjithë. Otto Frank, vjen përmes interpretimit të aktorit Myzafer Zifla, babai i sjellshëm, burri i familjes, që përpiqet të qetësojë frikërat e, të mundohet të fshehë sa më shumë të tijën.

Aktorët Ketjona Pecnikaj, Roerd Toçe, Myzafer Zifla, Bruno Shllaku dhe Marjana Kondi. 


Një qetësi dhe durim, që neutralizon pakënaqësitë e familjes. Klea Konomi është mishërimi i gruas së butë, të duruar të familjes, e rezervuar dhe me një mirësjellje që rri edhe mbi shterjen e nervave, në rolin e Edit Frankut. Margoja, motra e madhe e Anës, e ngjashme me të ëmën, vishet nga aktorja Ketjona Pecnikaj.

Roerd Toçe dhe macja, Mushi

Piteri, djaloshi i van Danëve, që fillimisht ka përplasje me Anën, por që më pas bëhet miku i saj, me të cilën ndajnë edhe një puthje – ndërsa eksplorojnë ndjesitë që po u sjell rritja – interpretohet nga Roerd Toçe, i shoqëruar nga Mushi, një kotele e vërtetë që mjaullin e stresuar, nga prania e publikut. Ian Dussel, një dentist hebre që ka lindur në Holandë, banori i fundit që i bashkohet papafingos, burri vetmitar me zakonet e tij, të vështira për t’u përshtatur, interpretohet nga aktori Marjus Dhrami.

Aktorja që vesh petkat e Ana Frankut është pesëmbëdhjetëvjeçarja Vanesa Guri, nxënëse në vitin e parë të gjimnazit.

Vanesa Guri dhe Roerd Toçe, si Ana dhe Piter


Vogëlushja kronikon gjithçka ndodh brenda atyre mureve, me shpresën se një ditë do ta botojë librin, si dëshmi e forcës për të mbijetuar. Aktorja që vesh petkat e Ana Frankut është pesëmbëdhjetëvjeçarja Vanesa Guri, nxënëse në vitin e parë të gjimnazit. Ngjashmëria fizike me Frankun është mbresëlënëse, po ashtu edhe lirshmëria e saj në interpretim dhe në komunikim me publikun, i cili është tashmë i përfshirë, në këtë ngjarje të vërtetë, të ndodhur dekada më parë. “Shpresoj të mos jetë e vërtetë, që vdes”, dëgjohen pëshpërimat e dy të rinjve në publik, që e gjykojnë shfaqjen si “shumë e dhimbshme” , “tejet prekëse”. Është hera e parë e Vanesës që interpreton me një kastë profesionistësh dhe me lojën e saj në skenë, padyshim që nuk do të jetë i fundit.

Vanesa Guri, si Ana Frank. Foto kortezi: Teatri Metropol


Ajo çka u parapa si strehim i përkohshëm lufte, u kthye në një bashkëjetese dyvjeçare, me shpërthimet dhe mosmarrëveshjet mes familjes. Në fund të qëndrimit aty brenda askush nuk është më i njëjti. Të gjithë kanë ndryshuar, të rriturit janë dorëzuar, ndërsa më të rinjtë, Ana, kanë fituar vetëdijen se kjo është koha e tyre, se është e dhimbshme që vitet më të bukura të veniten aty brenda. Petronela, është e vetmja që frikën e shpreh pa filtra, ashtu si edhe zemërimin apo qesëndisjet.

Humori i natyrshëm i Marjana Kondit, me shprehitë e njohura dhe të dashura nga publiku për rolet e saj në komedi –ka realizuar njëqind të tillë në karrierën e saj–i pa sforcuar, të ndërmend atë thënien se rolet më të mirë dramatike, i luajnë komedianët. E besueshme sa në humor, aq edhe në dramë, do ta komentonte aktorja Mimoza Marjanaku, interpretimin e Kondit, në “Ditari i Ana Frankut”, që të dielën e 9 dhjetorit, mbërrin në shfaqjen e fundit për këtë vit, me një plan për t’u rikthyer në janar, pas interesimit të madh të publikut, ku shfaqjet kanë qenë të gjitha të shitura.

Është shpesh ajo, Petronela, qendra e konfliktit në papafingo, ku lufta nga jashtë depërton edhe brenda e çon deri në thyerje. Zonja Frank kërkon që i shoqi t’i largojë çiftin Van Dan, sepse kanë thyer rendin e ndërtuar aty brenda, të rriskave të barabarta. “Nuk ka nevojë të na vrasin ata, po vrasim njëri-tjetrin” , thotë zoti Frank. Qëndrimi aty brenda për dy vite, pa mundur të shohin dritën e diellit, pa mundur të pipëtijnë pa rënë muzgu, pa komunikuar me botën jashtë përveçse përmes Kralerit dhe Miepit –interpretuar nga Edvin Mustafa dhe Paola Xhafa –që ndihmojnë tetë hebrenjtë në këtë fshehje të gjatë e rraskapitëse, mund të duket edhe si një eksperiment social, studimi i sjelljes njerëzore në kushte kufizimi dhe bashkëjetese të detyruar, nga rrethanat. E vogla Ana Frank, ka gdhendur një dramë karakteresh, nga ku, dhjetë vjet më vonë, dramaturgët Frances Goodrich dhe Albert Hackett, do të bazoheshin për të shkruar dramën, fituese të çmimit Pulitzer.

Tetë hebrenjtë festojnë Hanukan, festën  tipike të besimit judaik


Edhe regjisorja Demaj, ka dashur të sjellë universalen e kësaj vepre; atë çka njeriu mundet t’i bëjë njeriut, në luftëra absurde që ngjizen prej urrejtjes racore, ngjyrës, besimit fetar apo bindjeve politike. “Fatkeqësisht në këtë periudhë ku jetojmë, sistemi po kalon një lloj turbullire”, është shprehur regjisorja shqiptare, duke shtuar se kjo vepër është dëshmia e një lufte të llahtarshme. Pas dy vjet e gjysmë qëndrimi, familja Frank dhe hebrenjtë e tjerë më ta, tradhtohen. Nazistët mësojnë vendndodhjen dhe ata dërgohen në kampet e përqendrimit.

Aktorja Klea Konomi në rolin e Edit Frank 


Miep Gies, mikesha e familjes Frank, gjen në të, ditarin e Anës të cilën e ruan me shpresën për t’ia kthyer përsëri. Skena e fundit e shfaqjes është një fotografi rrëqethëse, që të ndërmend qindra dokumentarët, pamjet filmike e fotografike nga kampet e shfarosjes, ndërsa bëhet e qartë fati i tetë hebrenjve, që gjejnë kohën të kremtojnë zotin e tyre, ndezin tetë qirinjtë në shandanin tipik të Hanukas dhe të këndojnë lavde në hebraisht, me yllin dallues të Davidit, të qepur në veshjet e tyre.

Miep dhe Kraler, intrpretuar nga Paola Xhafa dhe Edvin Mustafa

Edit Frank vdes, e vrarë në Aushvic. Ana dhe e motra, nga Aushvic dërgohen në kampin e Bergen-Belsen dhe humbin jetën, mendohet nga tifoja, vetëm disa ditë përpara se ai kamp të çlirohej. Për tre muaj, Ana Frank do të festonte ditëlindjen e sa të gjashtëmbëdhjetë. I vetmi që shpëtoi nga familja ishte Otto Frank. Ana nuk mbajti thjesht ditar. Ajo shkroi gjithashtu rrëfenja dhe kishte në plan të botonte një libër, rreth kohës së kaluar në papafingon e fshehtë. Pas luftës, i ati, Otto Frank ia përmbushi dëshirën. Prej asaj kohe, Ditari i Ana Frankut është përkthyer në më shumë se 70 gjuhë.


Kur shkroi versionin e dytë të ditarit, pasi dëgjoi në radio një thirrje për të botuar rrëfime të luftës gjatë pushtimit gjerman, u frymëzua dhe nisi të redaktojë ditarin, duke rishkruar pasazhe dhe hedhur kujtime që i kishte anashkaluar si edhe duke u vënë pseudonime personazheve, përfshirë edhe veten, duke iu referuar si Ana Aulis dhe më vonë si, Ana Robin. Otto Frank vendosi ta quajë familjen e tij me emrat e vërtetë dhe të ndiqte dëshirën e Anës për personazhet e tjerë. Familja Van Dan ishte në të vërtetë Familja Van Pels, nga Osnabrik i Gjermanisë.

Familja Frank, interpretuar nga Myzafer Zifla, Klea Konomi, Ketjona Pecnikaj dhe Vanesa Guri. Foto kortezi Teatri Metropol

Auguste van Pels, Herman van Pels dhe Peter van Pels, Ana i pagëzoi si Petronela, Hans dhe Alfred Van Dan e më vonë, Piter van Dan. Fritz Pfeffer, quhet prej Anës Albert Dussel. Petronela emri i vërtetë i së cilës ishte Auguste, pësoi të njëjtin fat tragjik. Ndërsa dërgohej në Terezenshtad, më 1945-ën, rojat e shtynë në shinat përpara një treni që kalonte. I shoqi, Herman vdes në dhomat e gazit, në Aushvic, më 1944. Djali i tyre, Piteri, vdiq nga rraskapitja pas ecjeve të gjata, të quajtura “marshimet e vdekjes”. Ai mbërriti në kampin e Mathauzenit në janar të ’45 dhe vdiq në maj të atij viti. Zoti Dusel, emri i vërtetë i të cilit qe Fritz Pfeffer, vdiq nga një sëmundje në kampin e përqendrimit Neuengamme, në dhjetor të 1944-ës.

Zoti Dusel, interpretuar nga aktori Marjus Dhrami

Otto Frank, u nda nga jeta më 1981 nga kanceri në mushkëri, pasi i kishte rezistuar torturës në kampet e përqendrimit. Zoti Kraler, me emrin e vërtetë Victor Kougler vdiq më 1981-shin, ndërsa Miep Gies ishte e fundmit e mbijetuar, nga historia e Ana Frankut, u nda nga jeta më 2010-ën, në moshën 100-vjeçare. “Nuk isha heroinë”, do të thoshte ajo “isha një prej radhës së gjatë të holandezëve të mirë gjatë atyre viteve të errët e të tmerrshëm, por që ngjajnë si të kenë ndodhur dje në sytë e atyre që ishin dëshmitarë” . Gies i mbajti fletët e fshehura nën dysheme të vogëlushes, pa i lexuar, me shpresën se ajo do të kthehej.

Skena e fundit e shfaqjes "Ditari i Ana Frankut"

Teatri “Metropol” përmes regjisores dhe kastës së aktorëve janë ndalur në gjimnazet e Tiranës, duke dhuruar kopje të librit “Ditari i Ana Frankut”, për bibliotekat e shkollave, në një gjest për t’i afruar të rinjtë me historinë e një prej tragjedive më të mëdha të njerëzimit. Dëshira e Ana Frankut, ishte të jetonte edhe pas vdekjes. Ajo jeton dhe flet ende. Në kohë të errëta, njerëzimi, përmes artit i kthehet këtyre dëshmive për t’i folur qenies njerëzore, në anën e saj më të ndjeshme.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë