Menaxhim

AIS: Amnistia fiskale në kundërshtim me ligjin e parandalimit të pastrimit të parave. Duhet konsensus politik

Nga Gazeta "SI" - Organizata AIS, Albanian Institute of Science, ka publikuar një raport mbi mangësitë dhe efektet e ligjit të Amnistisë Fiskale në vendin tonë dhe duke sugjeruar zgjidhje të përkohshme.

Sipas raportit, në bashkëpunim me Komitetin shqiptar të Helsinkit, Center for the Study of Democracy and Governance CSDG, Instituti i Studimeve Politike, mangësia kryesore është amnistia penale, ku sipas draftit, nëse një individ deklaron paratë dhe pasi mbaron procesi ai mund të bëhet subjekt kriminial, pasuria e deklaruar nuk sekuestrohet, sepse tashmë është ligjëruar nga shteti shqiptar.

Raporti përmend rekomandimet e Komisionit Europian, për këtë draft, duke thënë se kjo do të ulte aftësinë e Shqipërisë për të luftuar parandalimin e pastrimit të parave.

“Një amnisti e tillë tatimore dhe penale do të ishte e vështirë për t’u zbatuar sepse përkufizimi i pasurive përfshin elementë të tillë si prona e paluajtshme në Shqipëri dhe jashtë Shqipërisë, paratë cash të mbajtura në monedhën vendase ose të huaj, monedhë digjitale, sende me vlerë prej ari ose gurë te çmuar etj.  dhe për to është e vështirë të garantohet se nuk rrjedhin nga aktivitete kriminale, deklarohen nga pronari i tyre përfitues, rezultojnë nga të ardhurat të cilat nuk i përkasin një periudhe tatimore që ose është ende subjekt i deklaratës tatimore ose subjekt i një kontrolli tashmë të kryer tatimor”,-shkruhet në raport.

AIS përcakton se është i paqartë për bankat dhe publikun se si do të zbatohet ligji për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit në kontekstin e kësaj amnistie, pasi ka një rrezik për të krijuar hapësira të evazionit fiskal dhe larjen e parave që vijnë nga jashtë. Sipas projektligjit të amnistisë parashikohet që pasuria që deklarohet nuk duhet të kalojë vlerën prej 2 milion Euro, kur ndërkohë në ligjin për pastrimin e parave dhe financimit të terrorizmit për një transaksion në vlerën 1 milion lekë kërkohet kontroll dhe hetim i plotë nga institucionet përkatëse

Ndërkohë bizneset vendase dhe të huaja publikisht kanë shprehur shqetësimin e tyre për konkurrencën e padrejtë nga ata që kanë krijuar pasuritë në mënyrë të kundërligjshme dhe/ose i kanë mbajtur ato jashtë sistemit deri më tani.

AIS sugjeron që ky ligj jetë i besueshëm dhe të jetë i zbatueshëm, përmbajtja e tij duhet të kombinohet me rritjen e zbatimit kundër tatimpaguesit që janë në shkelje të ligjit dhe administrata tatimore në vend është ende joprofesionale.

Në raport thuhet se ligji miratohet me 3/5 e të gjithë anëtarëve të Kuvendit, por duhet të sigurojë konsensus të gjerë politik dhe duhet të zhvendoset tek një Komision i përhershëm i Kuvendit.

Projektligji ka nevojë të rishihet në tërësinë e tij duke akomoduar si reflektim në përmbajtjen e vet si shqetësimet e ngritura deri më tani publikisht në lidhje me të, ashtu edhe ne mënyrë të veçantë të garantojë harmonizimin me legjislacionin penal, tatimor, etj.

Projektligji që duhet të miratohet duhet të jetë në frymën dhe eksperiencën e vendeve të tjera që kanë miratuar ligje për amnisti fiskale dhe penale, dhe duhet të ketë në përmbajtjen e vet edhe zgjidhjen e një sërë mësimesh apo problematikash që këto ligje kanë pasur në zbatim në vendet respektive.

Raporti përmend efektet pozitive të Amnistisë, si ajo e rritjes së të ardhurave në buxhetin e shtetit, por shton dhe efektet negative të saj, që janë më shumë në listë.

Përkeqësimi i klimës së biznesit në vend, dëmtimi i konkurrencës së ndershme, pastrimi i parave nga aktivitete të jashtëligjshme, rreziku i amnistisë penale, pasqyrat financiare jo shumë të sakta si edhe rreziku për të përfituar nga amnistia funksionarë të lartë politikë dhe publikë.

Po ashtu, raporti jep disa sugjerime si alternativa më të mira në periudhë afatshkurtër. Si p.sh, amnistia të jetë vetëm për rezidentë që banojnë në Shqipëri. Të përfshijë dhe faljen apo fshirjen e detyrimeve për tatimpaguesit e rregullt.  Është një nevojë kritike për të shlyer borxhin e pa arkëtueshëm kur është jo ekonomike të ndiqet ose nuk mund të rikuperohet ligjërisht.

Për të qenë i besueshëm dhe për të mos rrezikuar të humbasë besimin dhe pajtueshmërinë e tatimpaguesve, ligji i amnistisë fiskale duhet të plotësohet me udhëzime për rritjen e zbatimit të detyrimeve ndaj taksapaguesve që nuk janë në përputhje me ligjin. Është i domosdoshëm një konsensus politik për miratimin e ligjit dhe garancinë e qëndrueshmërisë të ligji gjatë zbatimit.

Drafti i ligjit për amnistinë duhet të ketë dakordësinë e partnerëve, dhe në veçanti të Bashkimit Europian dhe të Fondit Monetar Ndërkombëtarë.

AIS jep dhe disa alternativa për në periudhë afatgjatë, duke monitoruar ecurinë e e reformave të politikave dhe administrimit fiskal, të uljes së informalitetit, uljes së korrupsionit dhe masat për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit.

Në prani të informalitetit të lartë, sistemi tatimor duhet të bazohet në një numër relativisht të vogël taksash me një normë të vetme ose shumë të vogël tatimore mbi baza të gjera. Kjo do të lehtësonte vlerësimin dhe administrimin.

Shqipëria do të duhet të përfundojë reformën në përputhje me Strategjinë Afat Mesëm e të Ardhurave për të përmirësuar cilësinë dhe eficencën e sistemit fiskal për të ndërtuar një politikë fiskale gjithëpërfshirëse dhe neutrale, si dhe një administratë fiskale profesionale, e cila do të bllokonte mundësitë për pastrim parash dhe korrupsion.

Zbatimi i reformave të shënonte progres në uljen e informalitetit, të korrupsionit, dhe në parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë