Politike

Vlerësimi i MoneyVal, kuadri ligjor lë shteg për pastrimin e parave përmes amnistisë fiskale

Në tryezën e organizuar të premten me biznesin dhe aktorë të tjerë të shoqërisë civile, Qeveria mbrojti projektligjin për aministinë fiskale duke deklaruar se tashmë është momenti i duhur.

Sipas deklaratës së ministrit të Drejtësisë, Ulsi Manja, amnistia nuk mund të bëhej më parë për shkak të mungesës së kuadrit ligjor dhe rregullator, por se sot vendi ka të gjithë kuadrin ligjor dhe rregullator për të parandaluar pastrimin e parave të drogës dhe korrupsionit.

Në fakt, në raportin e pranverës agjencia europiane kundër pastrimit të parave të pista, MoneyVal vlerëson disa nisma ligjore dhe masa të tjera rregullatore të ndërmarra nga Shqipëria përgjatë 2021 dhe në fillim të 2022.

Raporti përmend mes këtyre masave ligjin e regjistrit të pronarëve përfitues fundorë, qartësimin e rregullave për hyrjen në treg të institucioneve financiare dhe në praktikë konfiskimet e aseteve të krimit të organizuar.

Por, po në të njëjtin raport agjencia thotë se koha për të vlerësuar zbatimin në praktikë të këtyre masave është e pamjaftueshme.

“Për shkak të kufizimeve proceduriale, trupa e Këshillit të Europës (Moneyval) nuk mund të përcaktojë se cilat masa janë zbatuar më me efektivitet në praktikë”, thuhet në raport.

Në përgjithësi raporti thotë se Shqipëria ka adresuar shqetësimet kryesore që MoneyVal ngriti tre vite më parë, kur u miratua raporti i përbashkët i vlerësimit, duke bërë përparime në 36 rekomandime.

Por, mbeten katër rekomandime për të cilat MoneyVal e klasifikon Shqipërinë në listën e vendeve gri dhe që mund të krijojnë shtigje për pastrimin e parave përmes amnistisë fiskale. Problematik mbetet shënjestrimi përmes sanksioneve financiare i bizneseve, apo aktiviteteve që zgjerohen befas pa justifikuar burimin e të ardhurave të kësaj rritjeje, burimin e financimit të teknologjive të reja, transparenca e marrëveshjeve tregtare mes privatëve dhe në mbikëqyrjen e bizneseve, apo profesioneve jofinanciare.

Ndërsa nga një pjesë e biznesit në Shqipëri amnistia fiskale është mirëpritur, ajo është pritur me rezerva dhe kundërshtime nga ndërkombëtarët. Dhoma Amerikane e Tregtisë thotë se projektligji lë shteg për pastrimin e parave, ndërsa i njëjti shqetësim është shprehur më herët edhe nga Bashkimi Europian.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë