Politike

Rama sulmon drejtuesit e Dhomave të Tregtisë: Çohen me flamur të vendeve partnere e bëjnë fletërrufe për Amnistinë, kanë bërë transaksione të fshehta

Nga Gazeta "SI" - Kryeministri Edi Rama kritikoi partnerët ndërkombëtare dhe dhomat e tregtisë në Shqipëri, për kundërshtim të Amnistisë fiskale duke i quajtur edhe si “goditje nën brez, të porositura”.

Kryeministri Rama tha se nuk është e drejtë dhe as e duhur, që vendet që na japin neve mësim, t’a trajtojnë Shqipërinë si bisht dhe t’i tregojnë mungesë respekti. Ai shtoi se dhe vetë drejtuesit e dhomave tregtare të vendeve të huaja në Shqipëri, kanë bërë transaksione të paligjshme.

“Të thuash se Amnistia është e papranueshme, është mungesë respekti për qeverinë dhe respekti reciprok është A-ja e punës sime. Pranojmë kritika dhe refuzime me respekt, por të çohen dhoma tregtie me flamur të vendeve partnere e të bëjnë fletërrufe për Amnistinë, është mungesë respekti. Më nxirrni një biznesmen në Shqipëri që është kundër Amnistisë. Më nxirrni njërin nga kryetarët e dhomave të tregtisë që nuk ka bërë transaksione të fshehta“, tha Rama, duke shënjestruar në mënyrë të veçantë, Kreun e Dhomës Amerikane, Enio Jaçe.

Po ashtu, kryeministri Rama, akuzoi se kryetarët e dhomave të tregtisë, kanë prona dhe shesin prona, ndërkohë që përfaqësojnë biznesin dhe flamuj të tjerë, sipas vendeve të origjinës.

Ai shtoi se nuk ekziston një dhomë reale tregtie që përfaqëson interesat e bizneset e ta kundërshtojë amnistinë.

“Kundërshtimi apriori është i papranueshëm. Le të çohet një sipërmarrës shqiptar apo i huaj e të thotë nuk e dua. Kryetarët e dhomave të tregtisë kanë prona e shesin prona. Pse duhet ta bëjnë këtë kur përfaqësojnë biznesin dhe përfaqësojnë flamuj të tjerë? Me Amnistinë ata ja heqin vetes këtë barrë”, -tha kryeministri.

Kryeministri rikujtoi se ideja e amnistisë është ide e vjetër në Shqipëri dhe asnjëherë nuk është materializuar, për shkak të një presioni të brendshëm dhe të jashtëm për arsye që nuk ekzistojnë më sot, njësoj siç nuk i kishte ardhur koha ligjit për kanabisin mjekësor.

“Pse nuk u bëka në Shqipëri? Shqiptarët që dikur trajtoheshin si drogaxhinj, sot janë motor kryesor i vendeve europiane. Paratë e zeza që ata kanë marrë, i kanë marrë nga pronarët e tyre europianë dhe nuk kanë mundësi t’i fusin në banka. Heqin picirin të sjellin disa euro në Shqipëri, apo të blejnë një apartament a një pronë në vendin e vet”, deklaroi Kryeministri.

Rama supozoi, se ata që kundërshtojnë këtë draft, kanë lexuar pak dhe nuk janë të informuar, njerëz që sipas tij, e kanë bërë Shqipërinë me bisht.

“Kjo ndodh sepse e marrin lehtë Shqipërinë, por ka një kufi. Vetëm për budallenj nuk na bën dot”, e mbylli Rama fjalën e tij.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë