Drejtësia

Afera ‘Partizani’, avokatët e Berishës: Vendimi për masën e sigurisë ka humbur vlefshmërinë

Gazeta Si - Avokatët e ish-kryeministrit Sali Berisha kundërshtojnë vendimin e caktimit të masës së sigurisë “detyrim paraqitje”, me pretendimin se ka humbur vlefshmërinë, duke tejkaluar afatet.

Sipas një njoftimi për mediat, njëri prej përfaqësuesve ligjorë, Genc Gjokutaj thotë se pas shkeljeve flagrante të Kushtetutës, GJKKO nuk heziton të cenojë edhe ligjet e tjera të vendit.

“Në shkelje flagrante dhe të rëndë te kodit te procedurës penale, GJKKO ende sot nuk ka zbardhur vendimin për konfirmimin e masës se sigurisë, të cilin sipas ligjit, ka pasur detyrim t’a zbardhte brenda 48 orësh nga dhënia e vendimit të masës së sigurisë”, thuhet në një njoftim.

Edhe pse nuk ka marrë pjesë si palë, Gjokutaj shton se ka marrë informacion gjatë dhënies së këtyre vendimeve.

LEXO EDHE:
Dosja ‘Partizani’, Berisha nuk paraqitet në SPAK: S'kam njoftim nga Kuvendi, Kushtetutën nuk e shkel (çfarë ndodh më pas)

“Deri në datën e paraqitjes së kësaj kërkese, kanë kaluar 12 ditë dhe ende nuk kemi një vendim të arsyetuar të depozituar nga ana e Gjykatës. Kjo përbën një shkelje të rëndë të ligjit procedurial penal, i cili në nenin 248 pika 2 fjalia e fundit, përcakton se “Gjykata depoziton vendimin e arsyetuar brenda 48 orëve. Mosekzistenca e një vendimi të zbardhur dhe të arsyetuar, ka sjellë si pasojë, moszbatimin e këtij vendimi brenda afatit të caktuar në ligj, - shpjegon avokati i Berishës. - Ligjvënësi e ka lidhur ngushtësisht vlefshmërinë e masave shtrënguese personale me shpalljen e vendimit dhe zbatimin e masave brenda afatit të caktuar procedurial dhe këtë rregull bazik për vendimet që caktojnë masa sigurimi shtrënguese e ka saktësuar në pikën 7 të nenit 249 K.Pr.P, e cila përcakton se “Kur vendimi nuk shpallet ose nuk zbatohet brenda afatit të caktuar, akti në bazë të të cilit është marrë masa shtrënguese e humbet fuqinë”.

Gjokutaj shpjegon se ligji procedurial penal, ka parashikuar afate strikte në rastin e masave shtrënguese, duke qenë se këto janë veprime proceduriale që cenojnë të drejtat dhe liritë themelore të individit, në një moment kur personi prezumohet i pafajshëm.

Sipas afateve proceduriale, vendimi do të duhej të ishte arsyetuar dhe depozituar brenda 48 orëve, nisur nga data 26 tetor 2023.

Në rastin konkret, Gjokutaj nënvizon se shkelja e afateve për zbardhjen dhe depozitimin e vendimit nga GJKKO, i ka humbur fuqinë vendimit të caktimit të masave shtrënguese “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” dhe “Ndalimi i daljes jashtë shtetit”, caktuar ndaj ish-kryeministrit Berisha.

Ish-kryeministri Sali Berisha akuzohet për korrupsion pasiv në lidhje me procedurat e privatizimit të ish-kompleksit “Partizani”, çështje për të cilën akuzohet edhe dhëndri i tij Jamarbër Malltezi, i cili është me masë sigurie arrest në burg, si dhe ndërtuesi Fatmir Bektashi me masë sigurie detyrim paraqitje dhe ndalim për të dalë jashtë Shqipërisë.

Kufizimin e lirisë, Sali Berisha e konsideron antikushtetuese, pasi sipas tij SPAK duhet të kishte marrë më parë autorizim nga Parlamenti për t’i kufizuar lirinë një deputeti.

Edhe avokatët e dhëndrit të ish-kryeministrit, Jamarbër Malltezi, kanë kundërshtuar masën e sigurisë së klientit të tyre me “arrest në burg”, i akuzuar për "korrupsion pasiv në bashkëpunim" për aferën e privatizimit të klubit "Partizani".

Në një njoftim për mediat, ata kërkojnë lirimin e menjëhershëm nga paraburgimi, pasi “është shkelur afati për zbardhjen dhe depozitimin e vendimit nga Gjykata e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë