Histori

Adolf Hitler: Dështimi i gjatë politik dhe pushteti i dhuruar nga sistemi

Adolf Hitler nuk duhej të kishte ardhur në pushtet. Në fakt, gjatë përpjekjes së tij 13- vjeçare për udhëheqjen e Gjermanisë, thuajse dështoi shumë herë.

Në fund, megjithatë, suksesi i tij mahnitës tregoi se si demagogjia mund të kapërcejë sfidat e mundshme të përfundimit të karrierës - dhe të ndryshojë thellësisht historinë. Një njeri i fortë i vendosur, jo i marrë seriozisht nga elitat, por i mundësuar nga një bërthamë mbështetësish të zjarrtë, mund t'i përkulte ngjarjet në mënyrën e tij, ndërsa vendi hynte në recesion të thellë. Ngjitja në dukje e pamundur e Hitlerit është një objekt leksioni, në paqëndrueshmërinë e historisë.

Ndërsa hulumtoja librin tim të ri mbi ngritjen e nazistit radikal, u  shtanga  sesi  përpjekjet e Hitlerit për pushtet gati sa s’erdhën në fund - dhe sa afër i shkoi bota shmangies së  terrorit  që ai shkaktoi. E para ishte në vitin 1923, kur ai organizoi një grusht shteti të  pafat, që u bë i njohur si Beer Hall Putsch. Dështoi brenda 17 orësh. Njëzet burra u vranë dhe Hitleri i shpëtoi një breshërie e plumbash policie. Njeriu pranë tij vdiq. Hitleri kërcënoi të vetëvritej dhe, në burg, tentoi një grevë urie. Në fund, ai u gjykua dhe u dënua për tradhti.

Ajo ngjarje duhet t’i kishte dhënë fund karrierës politike të Hitlerit. Por shefi nazist ishte një fanatik. I bindur për misionin e tij mesianik për të shpëtuar Gjermaninë nga rënia e pashmangshme, ai shkroi një manifest autobiografik të quajtur “Mein Kampf”, mori lirinë e parakohshme nga burgu dhe ringriti lëvizjen naziste,  më 1925-n. Partia e Hitlerit tërhoqi ndjekës të vërtetë dhe u rrit. Megjithatë, në vitin 1926, ai u përball me një kryengritje të brendshme dhe një copëtim të mundshëm partiak. Në minutën e fundit, ai e shoi  sfidën me një fjalim katërorësh,  në një takim të mbyllur nazistësh.

Një vit më vonë, Partia Naziste ishte trokë. Hitleri konsideroi edhe njëherë  vetëvrasjen, duke i thënë ndihmësit të tij të ri, Joseph Goebbels, se ai më mirë ia fuste  një plumb kokës sesa të pranonte falimentimin. Ai u shpëtua nga një industrialist i pasur, Emil Kirdorf. I motivuar nga një monolog katër-orësh i Hitlerit, mbajtur në një rezidencë të Mynihut, Kirdorf thuhet se i dha Partisë Naziste 100 mijë  marka , ose 350 mijë dollarë në paratë e sotme.

Në vitin 1928, Hitleri udhëhoqi bandën e tij radikale në zgjedhjet kombëtare  dhe humbi thellë. Duke predikuar fundin e botës dhe rënien, Hitleri notoi kundër baticës historike. Ekonomia e Gjermanisë po tkurrej. Nazistët fituan vetëm 2.6% të votave, duke arritur fundin.

Edhe pasi Depresioni i Madh solli kthesë të madhe  për partinë humbëse – nga  1930, nazistët kishin fituar 18.3% në një  palë zgjedhje kombëtare –ai  u përball me një tjetër kryengritje brenda partisë dhe më pas, më 1931-shin  me  një skandal të nxitur nga vetëvrasja e mbesës së tij 23- vjeçare, Geli Raubal, e cila hamendësohej  se ishte e dashura e tij. Udhëtimi politik me ulje-ngritje vazhdoi. Në vitin 1932, nazistët e Hitlerit arritën një kulm prej 37% të votave parlamentare, por refuzimi i Hitlerit për të qenë pjesë e një koalicioni,  bëri që partia të çonte dëm dy milion vota në zgjedhjet përfundimtare të vitit.

Pasi  togeri i lartë i Hitlerit, Gregor Strasser, u largua në mënyrë dramatike, duke kërcënuar një thyerje të partisë, ngritja politike meteorike e udhëheqësit nazist u duk se ishte drejt  fundit. “Ishte e qartë se Hitleri po  shkon drejt greminës", shkroi një gazetë kryesore. “Republika shpëtoi”.

Edhe Goebbels ishte shkatërruar. “Viti 1932 ka qenë një periudhë e  gjatë e  fatit të keq”, shkruante  ai. "Ne thjesht duhet ta bëjmë copash”. Por për habinë e shumë njerëzve, Hitleri nuk kishte vdekur ende.

Hitleri mirëpritet nga mbështetësit si kancelar i Gjermanisë, Nuremberg, 1933.

Në janar të vitit 1933, politika gjermane po shkonte kokëposhtë - papunësia kishte arritur 24%, me 6 milion të papunë. Nevojitej dëshpërueshëm një qeveri e re. Pas një serie takimesh klandestine të lojtarëve politikë në prapaskenë në një vilë luksoze në Berlin, Hitleri doli si zgjedhje  e fshehtë për t'u emëruar kancelar,  nga Presidenti Paul von Hindenburg.

Sidoqoftë, marrëveshja e fshehtë varej nga një kabinet shumëpartiak,  me ekuilibra të brishtë. Më pas, vetëm disa orë para betimit të tij të planifikuar nga Presidenti Hindenburg, lideri nazist kërkoi që ministrat e tij të kabinetit të ardhshëm të binin dakord për zgjedhje të reja brenda gjashtë javësh - një veprim që do të afirmonte mbajtjen e nazistëve në pushtet. Ishte një kusht mahnitës i sekondës së fundit. Të  gjithë ranë dakord përveç Alfred Hugenbergut, i cili do të ishte ministër i ekonomisë dhe bujqësisë. Politikani i vjetër e  kokëfortë, 24 vjet më i moshuar se   Hitleri, nuk i besoi nazistit të zhurmshëm dhe nuk donte t'i jepte edhe më shumë  dorë më të lirë.

Ujdia që Hitleri të merrte pushtetin rrezikonte të bëhej e paqartë, sërish. Pa Hugenbergun, të gjithë e dinin se nuk do të kishte asnjë kabinet, asnjë qeveri, asnjë betim.Ndërsa Hitleri dhe anëtarët e kabinetit hynë në kancelari, ku 84-vjeçari Hindenburg i priste, ndihmësi i lartë i presidentit nxori nxitimthi, orën e xhepit në dorë. “Zotërinj, ju nuk mund ta mbani presidentin më në pritje”, tha ai.

Papritmas Hugenberg, një njeri i shkollës së vjetër që respektonte manierat, autoritetin dhe moshën, pranoi kushtet e Hitlerit. Furça e fundit e Hitlerit me terr politik, e u shmang. Gjatë dy dekadave të mëparshme, ai ishte mbështetur në fat dhe retorikë për të shpëtuar  herë pas here karrierën e tij - por prapa atyre faktorëve qëndronte, gjithmonë, një kontekst më i gjerë i politikës gjermane që mundësoi ngritjen e tij. Fjalimet e tij mund të parandalonin  një kryengritje, por suksesi ose dështimi i ekonomisë gjermane ndikoi më shumë në fatin e Partisë Naziste. Dhe ky ishte sërish  një moment kur mania e Hitlerit për pushtet nuk pati sukses e vetme, por përkundrazi me ndihmën e një sistemi që e la të ndodhte. Brenda 15 minutash, ai ishte bërë kancelar i Gjermanisë, duke krijuar bazën për tmerret që pasuan.

Të nesërmen, Hugenberg i tha një shoku: “Dje, bëra gjënë më të pamend të jetës sime. Bashkova  forcat me demagogun më të madh në historinë botërore. ”

*Marrë nga TIME Magazine/ Peter Ross Range, ish-korrespodent i TIME,  është autor  i librit “Ngjitja më e parrokshme: Si Adolf Hitler erdhi në pushtet”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë