Treg

Abuzimet me çmimet: Gjoba nga 100 mijë deri në 5 mln lek

Rritja e çmimeve mallrave ushqimore, por edhe të barnave në këtë kohë beteje me koronavirusin ka detyruar qeverinë të nxjerrë një akt normativ duke i kërcënuar tregtarët me vendosje gjoba. Për të parandaluar rritjen e mëtejshme të çmimeve në treg, qeveria ka vendosur dy lloje gjobash te pikat e shumicës dhe ato të pakicës.
Për tregtarët me pakicë gjoba do të vendosen deri në 1 milionë lekë të vjetra, ndërsa për tregtarët e shitjes së mallrave me shumicë gjoba është 50 milionë lekë të vjetra. Sipas këtij akti normativ, të publikuar nga kryeministri Edi Rama, në rast se kjo përsëritet subjekti e mbyll aktivitetin e tij për 6 muaj.

Image may contain: 1 person, food


Në lupën e kontrollit të çmimeve janë të gjitha mallrat e produktet ushqimore, barneve, pajisjeve mjekësore dhe shërbimeve. Çmimet do të krahasohen me ato të një muaji më parë nga data e hyrjes në fuqi të këtij akti. Gjobat do të vendosen nga autoritet shtetërore në rast konstatohet rritja e çmimeve nuk vjen si pasojë e rritjes së çmimeve të vendosura nga importi.

https://www.facebook.com/edirama.al/posts/10157527616911523


Që prej shpalljes së kufizimit të lëvizjeve, dhe të vendosjen së shtetrrethimit janë parë rritje drastike të çmimeve, si te ushqimoret, ashtu edhe te maskat mbrojtëse. Ankesat për rritjen e çmimeve vërehen edhe te statuset e njerëzve në Facebook. "E papranueshme: Tek lagjia ime tani kishte këto çmime: Brokoli 380 lekë kur ishin 180 lekë para 4 ditësh, Portokallet 280 Lek kur ishin 90 lekë para 4 ditësh, limona 300 lekë kur ishihn 150 para 4 ditësh, avokado 780 kur ishin 600 lekë para 4 ditësh. Fajin kryesor nuk e kanë tregtarët e vegjel të lagjes, por ato që shesin me shumicë. E kur ankohemi ne….Po mendoj ato të tjeret që mezi mbijetojnë nga tregtitë e vogla- të cilat natyrshëm jane ndërprerë te gjitha", shkruan N.K në Facebook. Ndërsa në mungesë të maskave mbrojtëse nëpër faramaci është vërejtur rritje të çmimeve. Nëse një maskë të thjestë shitej 40 lekë dje në treg, i gjeje me vështirësi dhe kushonin 100 lekë.

Image may contain: food
Image may contain: food
Image may contain: food

Ndërkohë Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Bledi Çuçi deklaroi sot se një Task Forcë e përbashkët me prezencën e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, Policisë së Shtetit, Tatimeve dhe Agjencisë Kombëtare të Barnave nisi inspektimet në terren për të parandaluar abuzimin me çmimet nga subjektet që duhet të qëndrojnë hapur, kryesisht farmaci apo dyqane që tregtojnë artikuj ushqimorë, bukë, si dhe fruta e perime.

Sipas Çuçit, me Aktin Normativ që qeveria ka ndërmarrë për të përforcuar zbatimin e rregullave, vendimeve dhe urdhrave për parandalimin dhe luftimin e përhapjes së infeksionit të shkaktuar nga Covid-19, rritja e çmimit të shitjes të të gjitha mallrave dhe produkteve ushqimore, barnave, pajisjeve mjekësore dhe shërbimeve, në krahasim me çmimin e tyre në shitje të rregullt, të tregtuar në muajt paraardhës nga data e hyrjes në fuqi të këtij akti normativ, dënohet me gjobë në masën 5 000 000 (pesë milionë) lekë për tregtuesit me shumicë dhe 100 000 (njëqind mijë) lekë për tregtuesit me pakicë.

“Në rast përsëritjeje iu shtohet edhe mbyllja e veprimtarisë për një periudhë 6-mujore. Zero tolerancë për këdo që abuzon në këtë situatë kritike dhe tenton të përfitojë në mënyrë të paligjshme. Task Forca e përbashkët do të vijojë kontrollet në gjithë vendin. Në fokus të saj janë edhe kushtet higjeno-sanitare dhe gjithë elementët e tjerë që lidhen me sigurinë ushqimore. Ftoj qytetarët të bashkëpunojnë me autoritetet duke denoncuar çdo rast abuziv që hasin tek subjektet të cilat duhet të qëndrojnë hapur për të përmbushur nevojat për produkte dhe shërbime. Është shumë e rëndësishme që ne të vijojmë të zbatojmë këshillat e mjekëve, të kufizojmë lëvizjet dhe kontaktet”, thotë ministri Çuçi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë