Mendim

A mund të mbahen nën kontroll tensionet në Ballkan?

Çfarë po ndodh dhe çfarë pritet të ndodhë në Ballkan? A mund të mbahen nën kontroll tensionet rajonale dhe a ka humbur Perëndimi terren në Ballkan? Në një analizë, “International Politics” thotë se nëse Europa humb kontrollin e rajonit, Ballkani mund të zhytet sërish në luftë.

Pas agresionit të NATO-s kundër Serbisë dhe Malit të Zi në vitin 1999, Shtetet e Bashkuara të Amerikës vendosën kontroll të plotë mbi Ballkanin, por e zhvendosën vëmendjen e tyre pas vitit 2000 në Lindjen e Mesme. Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të jenë shumë të pranishme në Ballkan, por në mënyrë indirekte përmes aleatëve të tyre, të cilët vazhduan politikën e anëtarësimit në NATO-s dhe Bashkimin Europian. Ndarja e Malit të Zi nga bashkimi shtetëror me Serbinë në vitin 2006 dhe shpallja e pavarësisë së Kosovës në vitin 2008 ishin padyshim dy ngjarjet që formësuan marrëdhëniet gjeopolitike në rajon.

Por fuqia e Perëndimit po dobësohet. Kohët e fundit votimi kundër anëtarësimit të Kosovës në Interpol tregoi se Perëndimi nuk e ka më pushtetin që kishte dikur. Siç tha Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiq tanimë nuk është mjaftueshme që disa fuqi të mëdha të dërgojnë kërkesa, që të gjithë t'i përmbushin pa bërë pyetje. Për Perëndimin nuk mjaftoi as presioni ndaj disa vendeve, për të votuar pro anëtarësimit të Kosovës.

Ndërkohë që Perëndimi dobësohej ushtarakisht dhe ekonomikisht, në qarqet e harruara të Europës u shfaq Rusia dhe Kina. Kjo u pa më mirë në 19 tetor të vitit të shkuar në Maqedoni, ku pavarësisht lobimit të pashembullt të Perëndimit, numri i qytetarëve që dolën për të votuar në referendumin për ndryshimin e emrit, ishte qesharak.

Angela Merkel dhe Zoran Zaev

Sikur të mos mjaftonte, ministri grek i Mbrojtjes Panos Kamenos deklaroi në një postim në Twitter se shumica prej 80 deputetësh në parlamentin maqedonas u arrit duke kërcënuar me burg dhe u duke u dhënë rryshtet deputetëve të VMRO DPMNE-së

"Kush mund të mendonte se në sistemin europian të vlerave dhe demokracisë ata që nuk votojnë me urdhër arrestohen dhe atë që binden marrin një bonus prej dy milionë eurosh ‘para të pista’. Më vjen turp", shkroi ministrit grek. Rezultati i këtij votimi do të jetë që Maqedonia (e Veriut) do të nënshkruajë Protokollin e Anëtarësimit, duke bërë që unaza e NATO-s rreth Serbisë dhe Republikës Srbskatë jetë plotësisht e mbyllur.

Megjithatë sot në Ballkan, ka dy pika të nxehta: Bosnje Hercegovina dhe Kosova. Përkundrejt faktit se shumë analistë e konsiderojnë Kosovën si burimin e trazirave të mëdha, në realitet Bosnje Hercegovina është një kërcënim edhe më i madh. Në Kosovë janë të vendosura forca të fuqishme ndërkombëtare dhe sulmi ndaj saj do të ishte një sulm ndaj vetë Perëndimit. Por në Bosnjë Hercegovinë, gjërat janë shumë ndryshe. Bosnja e sotme është rezultat i Marrëveshjes së Dejtonit, një pakt që i dha fund luftës, por nuk ofroi një të ardhme më të mirë për qytetarët. Për më tepër, kjo është arsyeja për konfliktin e përhershëm ndërmjet serbëve, boshnjakëve dhe kroatëve atje. Një nga parimet më themelore në të cilat është bazuar Marrëveshja e Dejtonit është ndarja e Bosnjës dhe Hercegovinës (51% e territorit në Federatën e Bosnjës dhe Hercegovinës, 49% në Republikën Serbe). Por Republika Srpska nuk e ka pranuar kurrë Bosnjes si ‘atdheun’ e saj.

Policia e Republikës Srpska

Kohët e fundit, kreu i boshnjakëve Bakir Izetbegoviç foli për rrezikun qe vjen nga armatimi i Ballkanit: "Fqinjët tanë të varfër po shpenzojnë para për armë të shtrenjta. Po shohim sisteme raketash dhe aeroplanë modernë në Serbi dhe Kroaci, tha Izetbegoviç. Siç e ka treguar edhe historia, armatosja e rajonit ka çuar në përplasje të mëdha”.

Pentagoni i dhuroi Kroacisë 16 helikopterë “OH-58D Kiowa Warrior”, ndërkohë që detyrimi i Zagrebit ishte të paguante të gjitha taksat dhe trajnimet e pilotëve, të cilat shkonin deri në 30 milionë dollarë. Kroacia gjithashtu është pajisur me automjete të armatosura të dhe ka nënshkruar një kontratë për të blerë 12 avionë lufatarakë nga Izraeli.

Në NATO ekziston principi i mbrojtjes kolektive, që do të thotë se nëse dikush kërcënon sigurinë e Kroacisë, NATO është e detyruar ta mbrojë. Por përse Kroacia duhet të investojë kaq shumë para për blerjen e armatimeve, sidomos duke pasur parasysh se është vendi me rritjen më të vogël ekonomike të BE-së? Përgjigjja është shumë e qartë, duke parë se ky proces është bërë në bashkëpunim strategjik me Shtetet e Bashkuara. Uashingtoni ishte i pari që dërgoi armatime edhe për ushtrinë e re të Kosovës.

Armatosja dramatike e Kroacisë ka lëkundur balancën e pushtetit në Ballkan. Kështu që Serbia filloi me pajisjen serioze të armatimeve. Kjo u reflektua në stërvitjet e mëdha ushtarake nga ana e Serbisë, e cila shënoi 100 vjetorin e fitores në Luftën e Parë Botërore me parada të mëdha. Ishte një nga ushtrimet më të mëdha ushtarake në rajon, ku përfshiheshin 8,000 anëtarë të Forcave të Armatosura Serbe, me rreth 645 sisteme luftimi. Stërvitja u zhvillua në dhjetë zona të ndryshime në Serbi ku forcat ajrore dhe trupat e këmbësorisë kryenin aktivitete trajnuese dhe luftarake. Për këtë stërvitje, Serbisë iu deshën 100 tanke, 100 automjete luftarake, 100 sisteme artileri dhe sisteme të mbrojtjes tokësore dhe ajrore.

Ministri serb i Mbrojtjes Aleksandar Vulin deklaroi se Serbia ka futur në shërbim nëntë avionë luftarakë "MIG 29" dhe se në përputhje me marrëveshjen mbi bashkëpunimin ushtarak me Bjellorusinë do të marrë edhe katër avionë të tjerë. Marrëveshja për blerjen e katër helikopterë luftarakë “Mi-35” dhe tre transportuesve “Mi-17 B5” nga Rusia ka përfunduar po ashtu.

Po ashtu në Republikën Srpska, po zhvillohet një diskutim i vazhdueshëm për krijimin e një qendre “humanitare” ruse të ngjashme me atë që është vendosur tashmë në qytetin serb të Nishit. Zyrtarisht, qëllimi i tij është të ndihmojë qeverinë lokale në rast fatkeqësie natyrore, siç janë përmbytjet apo zjarret. Por qendra në Nish dyshohet se shërben si një qendër spiunazhi dhe si një bazë ushtarake jozyrtare.

Ndërkohë, normalizimi i marrëdhënieve mes Beogradit dhe Prishtinës është bllokuar për shkak se serbët nuk pranojnë të njohin pavarësinë e Kosovës, ndërsa bisedimet e udhëhequra nga Bashkimi Europian nuk po çojnë askund dhe dy vendet nuk mund të përparojnë drejt anëtarësimit në BE. Në këto kushte Uashingtoni është i mendimin se nëse Kosova dhe Serbia bien dakort për shkëmbimin territorial dhe të normalizojnë marrëdhëniet, pse duhet t'i pengojë Shtetet e Bashkuara apo Europa në rrugën e tyre.

Përgjigja është se pasojat e një marrëveshjeje midis Serbisë dhe Kosovës do të jenë të papërmbajtshme. Ky pakt do të intrigonte serbët e Bosnjës, shqiptarët e Maqedonisë dhe pak a shumë çdo pakicë tjetër në rajon.

Për fat të keq, në rastin e Bosnjes, nuk ka asnjë alternativë tjetër për ndarjen e vendit, përveç luftës. Shumica e boshnjakëve nuk do ta pranonin kurrë humbjen e lindjes së vendit, e cila përfshin edhe Srebrenicën. Në të njëjtën kohë, asnjë udhëheqës serb nuk do ta pranonte ta lëshonte këtë territor, i cili kufizohet me Serbinë. Sikur të mos mjaftonte kjo, ndryshe nga çdo grup tjetër etnik në rajon, ajo që i dallon boshnjakët nga Republika Srpska është feja. E mbërthyer nga Turqia dhe aktorë të tjerë të dyshimtë të Lindjes së Mesme, Bosnja do të përfshihej në një konflikt të përgjakshëm me serbët ortodoksë. Me siguri ajo do të mbetej pa dalje në det, pasi edhe kroatët e vendit do të këmbëngulin për t’u bashkuar me Zagrebin.

Ekspertët ngrenë alarmin se duke pasur parasysh përqindjen relativisht të lartë të rekrutëve të Shtetit Islamik nga rajoni dhe faktit se shumë prej tyre janë gati të kthehen, SHBA dhe mbështetësit e tjerë të shkëmbimit territorial duhet të marrin në konsideratë skenarin e frikshëm që i pret Kosovën dhe Bosnjën, dy shtete të gjunjëzuara ekonomikisht në zemër të Europës, të cilat me siguri do t’i nënshtrohen ndikimit ekstremist islamik.

Që Ballkani nuk po gjen qetësi e tregon edhe deklarata e shefit të komisionit të Bashkimit Evropian Jean-Claude Juncker i cili paralajmëroi për një luftë të re të mundshme në Ballkan në fillim të tetorit 2018 nëse Bosnja, Shqipëria, Serbia, Maqedonia , Mali i Zi dhe Kosova nuk e ndjejnë se BE-ja është serioze në lidhje me anëtarësimin e tyre. Me fjalë të tjera, Juncker paralajmëroi edhe njëherë se nëse Perëndimi nuk kontrollon Ballkanin, lufta mund të bëhet realitet. /International Politics/


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë