Mendim

A është e përshtatshme Rumania për presidencën e BE-së?

Mes përplasjeve me BE-në dhe protesatave për kapjen e drejtësisë, Rumania mori sot presidencën gjashtëmujore të radhës të Këshillit të Bashkimit Europian. Bukureshti e nisi kete presidence nën moton: “Kohezioni, një vlerë e përbashkët europiane”. Por vendi po merr detyrën mes disa polemikave dhe në një moment tepër delikat për Europën, pasi më 29 mars të këtij viti është parashikuar edhe largimi zyrtar i Britanisë së Madhe nga Bashkimi Europian. Në tjetër sfidë e rëndësishme do jenë zgjedhjet e Parlamentit Evropian në maj.

Në maj, Bukureshti do të organizojë një samit të posaçëm në qytetin e Sibiut për të ardhmen e BE. 27 udhëheqësit do të përcaktojnë strategjinë politike për vitet e ardhshme.

Kjo është hera e parë që Rumania ka marrë Presidencën e BE-së, por për shkak të problemeve me demokracinë, askush në BE nuk është entuziast. Presidenti i Komisionit Europian Jean-Claude Juncker tha se “qeveria e Bukureshtit nuk e ka kuptuar plotësisht se çfarë do të thotë të kryesojë vendet e BE”. “Roli kërkon një gatishmëri për të dëgjuar të tjerët dhe një gatishmëri për të vënë shqetësimet e veta në sfond”, tha Juncker.

Për më tepër, Rumania ka qenë anëtare e programit mbikëqyrës të Komisionit Europian për shkak të mangësive në sundimin e ligjit. Nënpresidenti Frans Timmermans mendon se situata është "shqetësuese". "Është thelbësore që Rumania të kthehet menjëherë në rrugën e duhur me luftën kundër korrupsionit dhe të garantojë një sistem gjyqësor të pavarur", tha ai në nëntor. Ai gjithashtu vuri në dukje rëndësinë e një shtypi të lirë.

Rumania dhe BE-ja janë përplasur ashpër për reformën e gjyqësorit , pasi Brukseli zyrtar mendon se është i motivuar politikisht dhe do të minonte luftën e vendit kundër korrupsionit. Korrupsioni është mbret Pesëdhjetë vjet pas shkatërrimit të Pragës dhe pothuajse 30 vjet pas trazirave revolucionare të vitit 1989, Europa Lindore po përjeton një rikthim të egër të autoritarizmit. Rumunët ishin të fundit që u përballën me “grushtin” e hekurt të shtetit, pasi policia përdori forcë brutale për të shtypur protestat masive në Bukuresht.

Rumania merr presidencën ë BE-së

Më shumë se 100,000 emigrantë rumunë erdhën nga e gjithë bota në “Sheshin e Fitores”, në kryeqytet, për të protestuar kundër korrupsionit të shfrenuar të qeverisë. Por askush prej tyre nuk e kishte imagjinuar tmerrin me të cilin do të përballej. Protestat kundër koalicionit qeverisës në Rumani nisën një vit më parë, por kulmuan më 10 gusht të këtij viti, ku një pjesë e madhe e protestuesve ishin emigrantë që akuzonin qeverinë se po punon për interesa të ngushta të politikanëve të akuzuar për afera korruptive.

Problemi më i madh i Rumanisë është korrupsioni gjithpërfshirës i klasës sunduese. Ai është kudo, në sistemin shëndetësor dhe arsimor të vendit, në rrjetet e tij të transportit në institucionet financiare, bujqësore dhe sociale. Korrupsioni duket se punon në kurriz të qytetarëve të thjeshtë dhe është bërë pjesë e jetës së përditshme të Rumansë postkomuniste.

Për të mbrojtur veten, partia në pushtet ka ndërmarrë një sërë përpjekjesh për të ndryshuar legjislacionin gjyqësor, përpjekje që patën kulmin në korrik të këtij viti me shkarkimin e prokurores kryesore të vendit, Laura Codruza Kovesit. Ajo që po planifikojnë baronët e partisë në pushtet këto ditë është kapja dhe kontrolli me forcë i shtetit, sado e vështirë dhe primitive të duket kjo. Revolucioni i qytetarëve, i cili ka vazhduar për më shumë se një vit e gjysmë, është rezultat i drejtpërdrejtë i sulmit të vazhdueshëm të qeverisë ndaj demokracisë dhe përpjekjeve të saj për të shkatërruar sundimin e ligjit.

Protestat janë një përplasje mes atyre që e duan një shoqëri të hapur dhe sundimin e ligjit, dhe ata që e urrejnë demokracinë. BE hesht Pyetja që ngrihet tani është se sa efikase janë instrumentat dhe mekanizmat e BE-së për këto raste? Brukseli duket se e ka humbur betejën me Poloninë dhe Hungarinë, e gjasat janë që ta humbasë edhe me qeverinë e Rumanisë. BE ka kompetenca të kufizuara për të ndërhyrë në këtë pjesë, por gjithmonë e më shumë po dobësohet edhe ndikimi i grupeve të Parlamentit Europian.

Në 2012, kur Victor Ponta pezulloi presidentin e asaj kohe, Traian Basescu përmes disa masave ligjore kontraverse u përball me kritika të ashpra nga Komisioni Europian, i udhëhequr në atë kohë nga Jose Manuel Barroso. Por, më i ashpër ishte qëndrimi i dhënë nga socialistët e Parlamentit Europian, të udhëhequr nga Martin Schulz. Kjo formë e kritikës ishte e vakët, për të mos thënë që mungoi fare gjatë 2018.

Sot nuk jemi dëshmitarë vetëm të bashkëfajësisë së BE-së, por edhe të ngurtësisë së grupeve politike tradicionale të saj që po dështojnë në përpjekjet për të ndikuar tek partnerët e vendeve anëtare për të izoluar aktorët problematikë. Në një periudhë afatgjatë, këta aktorë mund të shndërrohen në një kërcënim edhe për vetë politikanët tradicionalë të BE-së, të dobësuar ndjeshëm nga rritja e euroskepticizmit, populistëve dhe fraksioneve antisistem. Për më shumë se një viti e gjysmë rumunët po mbrojnë pavarësinë e sistemit të tyre të drejtësisë në rrugë, ndërsa Brukseli nuk ka zhgënjyer me qëndrimin e zbehtë dhe deklaratat tradicionale, ku shpreh shqetësimin për ato që po ndodhin.

Por, kur një protestë paqësore në rrugë përballet me dhunën e institucioneve qëndrore dhe kur politikanët e korruptuar po ja dalin mbanë që të intimidojnë dhe minojnë drejtësinë, me të drejtë shoqëria civile, aktivistët dhe qytetarët e thjeshtë rumunë presin më shumë nga Europa…shumë më shumë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë