Menaxhim

A e frynë në limite borxhin publik, tërmeti dhe pandemia?

Borxhi publik i Shqipërisë gjatë 2020-s arriti nivelin 77.8% të PBB-së së vendit duke kërcyer më një rritje prej 11.6 përqind krahasur me 2019. Deri dy muaj më parë ky borxh ishte 1.22 trilionë lekë.

Sipas Ministrisë së Financave rritja e borxhit publik në këto nivele u ndikua nga shpenzimet e ngjarjeve të papritura si rasti i tërmetit të 26 nëntorit dhe më pas pandemia . Sipas të dhënave nga vetë ministria e Financave  këto shpenzime që iu shtuan borxhit kapën vlerën e 111.7 miliardë lekë ose 908 milionë euro.

Mirëpo ky shpenzim i pretenduar se  rriti borxhin nuk  justifikon masën e tij të madhe. Ai përfaqëson vetëm një shtesë prej  rreth 1.4% të borxhit në total.

Për pasojë niveli i lartë i borxhit ka ekzistuar dhe pa praninë e pandemisë apo shpenzimet e tërmetit në nivelin  76.4%  kundrejt PBB-së.

Si ishte rrjedha e borxhit?

Gjatë dekadës së fundit, viti 2020 shënon nivelin më të lartë të borxhit publik, një rritje e ndjeshme nga viti paraardhës dhe pak më shumë se viti 2015 që shënoi borxhin 72.6% të Prodhimi të Brendshëm Bruto. Viti 2015 arriti në këtë shifër pasi qeveria duhet të paguante 600 milionë euro detyrime privatëve dhe mori një kredi prej 333 milionë euro tek Fondi Monetar Ndërkombëtar. Që nga ajo kohë qeveria shqiptare ka ndjekur politika të buta për të stabilizuar luhatjet e borxhit, derisa e uli në një nivel 60% dhe u rrit ekstremisht gjatë vitit të Covid, gjatë 2020-ës.

Pjesa më e  madhe e borxhit publik  është e krjuar nga huamarrja në tregun e  brendshëm, që kap dicka më shumë se  50 % të të gjithë “tortës”. Kryeson tregu i titujve qeveritarë yield-i i të cilëve pësoi një rënie të lehtë gjatë vitit të shkuar. Qeveria mori një borxh prej 117 miliardë lekësh nga FMN-ja. Një ndihmë e madhe për ekonominë e brendshme të shtetit shqiptar ishte emetimi i eurobondit prej 650 milionë lekësh, por rriti borxhin e jashtëm të vendit. Gjithashtu, 250 milionë euro nga 650 milionë euro të eurobondit shkuan për likujdimin e eurobondit të 2015-ës.

Procesi i një rikuperimi të borxhit u frenua nga një efekt domino në ekonominë e vendit.

Tërmeti i 26 nëntorit dëmtoi emocionalisht, fizikisht dhe ekonomikisht Shqipërinë duke krijuar kushtet e nevojës për mbështetje ekonomike nga të prekurit e tërmetit. Pandemia dhe masat kufizuese vazhduan t’i mëshojnë stanjacionit ekonomik të vendit. Bizneset e mbyllura, shkurtimi i vendeve të punës, rënia e konsumit, mungesa e qarkullimit të parave në treg,  ndikuan në uljen e inflacionit në nivele të frikshme, ulën normat e interesit dhe sigurisht PBB-ja pati rënie me 107 miliardë lekësh. Në një situatë të tillë qeveria kërkoi një kredi prej  174 milionë eurosh nga FMN-ja, prillin e shkuar, duke ia shtuar stokut të borxhit publik të vendit.

‘’Marrëdhënia’’e krijuar ishte midis qeverisë dhe qytetarëve ku njëra palë duhet të plotësonte detyrimet financiare të palës tjetër në mes të një pandemie dhe pala tjetër nuk po kontribuonte aspak. Shpenzimet ishin shumë herë më të mëdha se sa të ardhurat, (faktor që ndikoi në ndryshimet e bëra në buxhetin e shtetit 2020) dhe rrjedhimisht u rrit masa e deficitit buxhetor  ku parashikohej të ishte 132 miliardë lekëve, por iu shtua dhe vlera e 110 miliardë lekëve. Rënie e PBB-së dhe ngritja e borxhit publik krijoi një gropë të madhe midis raportit të pabalancuar të të dy elementëve.

Në analogjinë e efektit domino të ekonomisë në Shqipëri, tërmeti do të ishte guri i parë, por pandemia do të ishte dora që rrëzoi të gjithë gurët. Ky efekt i pashmangshëm në rritjen e borxhit  do të ishte më i vogël nëse para këtyre situatave shqipëria do të ishte në një pozicion më të mirë makroekonomik. Hapësira për borxh është ngushtuar dhe të paktën sipas të dhënave qeveritare nuk ishin shpenzimet e paparashikuara ato që ngushtuan mundësitë por një situatë me e koklavitur më parë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë