Treg

A do ulet numri i fluturimeve edhe në Shqipëri pas krizës së furnizimeve me pjesë këmbimi? Kompania që preket në Europë është Wizz Air

Nga Gazeta ‘Si’-Lajmi se dhe këtë verë industria e fluturimeve do të përballej me kaos është i vjetër por jo arsyeja kryesore që po e nxit atë.

Pas mungesës së stafit dhe motit të keq që shkaktuan disa stuhi, sfida e industrisë e cila po shkakton vonesa dhe ulje të numrit të fluturimeve në të gjithë botën, është mungesa e pjesëve të këmbimit.

Problemet me zinxhirin e furnizimit kanë alarmuar prodhuesit të cilëve për të gjetur pjesët dhe për të kryer kontrollet e mirëmbajtjes, iu duhet një periudhë nga 60-100 ditë.

Mes linjave ajrore në Europë dhe SHBA që kanë njoftuar ulje të numrit të fluturimeve, është dhe ajo e Wizz Air, e cila sipas një artikulli të Financial Times, po shqyrton heqjen e përkohshme të disa fluturimeve dhe ka theksuar se problemet e motorit po ushtrojnë presion mbi operacionet e mirëmbajtjes.

Gazetasi.al kërkoi informacion pranë Wizz Air nëse do të ketë një reduktim të numrit të fluturimeve në Shqipëri tani që fluksi i turistëve është në kulmet e tij, por deri në momentin e publikimit të këtij shkrimi, nuk ka marrë ende përgjigje.

Ndërkohë që FT shkruan se Wizz në Europë ka ulur objektivin nga 30 në 25%, Wizz Air Albania njoftoi se është shtuar një linjë e re fluturimi me Selanikun, me fluturime direkte katër herë në javë.

Çfarë po ndodh me krizën e furnizimeve?

Fajin kryesor linjat ajrore duket se e kanë hedhur nga prodhuesit e motorëve Pratt & Whitney të cilët në korrik njoftuan se më shumë se një mijë motorë duhet të hiqen nga aeroplanët Airbus dhe të inspektohen duke ndaluar kështu rreth gjysmën e flotës së saj.

Rreth 200 nga këto inspektime do të kryhen deri në mes të shtatorit.

Linja ajrore gjermane Lufthansa ka ndaluar disa avionë ndërsa është në pritje për pjesë të ndryshme.

Ndërsa grupi i linjës ajrore më parë kishte qenë në gjendje të siguronte artikujt e munguar brenda Europës, atij tani i është dashur të zgjerojë kërkimin për disa pjesë në të gjithë globin, veçanërisht për artikujt më të rrallë si panelet për brendësinë e kabinës së tij.

Disa transportues po marrin pjesë nga avionët e parkuar për të mbajtur të tjerët në fluturim dhe për të shmangur pjesërisht vonesat e mirëmbajtjes.

Prodhuesit e motorëve janë rreth dy muaj prapa në dërgesat e motorëve të rinj

"Po e kemi vërtet të vështirë të gjejmë pjesë," tha Steve Rossum, shefi ekzekutiv i Silver Airways LLC me bazë në Florida.

Rossum tha se një ose dy nga rreth 20 avionët e linjës së tij ajrore janë ndalur çdo ditë për shkak të nevojës për pjesë, shpesh ato që lidhen me ajrin e kondicionuar. 

“Një avion ishte i izoluar për më shumë se një javë me një bosht të thyer sepse ishte e vështirë për të gjetur pjesë, tha ai.

Mungesa e motorëve, sfida më e madhe

Motorët janë një pengesë e madhe. Prodhuesit e motorëve si CFM International, një sipërmarrje e përbashkët midis General Electric Co dhe Safran SA, janë rreth dy muaj prapa në dërgesat e motorëve të rinj.

CFM tha se po punonte me furnitorët e saj për të përshpejtuar dërgesat e motorëve tek prodhuesit e avionëve. Rolls-Royce tha se gjithashtu po punonte me klientët e saj për të mbështetur operacionet e tyre por situata mund të normalizohet pasi flukset turistike të jenë “shuar”.

Aktualisht, nxitur nga kjo krizë rreth 20% e fluturimeve në Europë dhe në Shtetet e Bashkuara po anulohen.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë