Mendim

A do të ndryshojë politika gjermane ndaj Ballkanit pas ikjes së Merkelit

Kur Angela Merkel u bë kancelare, ajo dinte shumë pak për Ballkanin Perëndimor. Vendet e rajonit nuk ishin midis prioriteteve të saj, por kjo ndryshoi shumë shpejt dhe ajo u kthye në një urë lidhëse për të ardhmen e Ballkanit në BE. Ajo ka qenë gjithmonë një mbrojtëse e idesë së anëtarësimit të plotë të vendeve të Ballkanit dhe ka ndërmarrë një sërë iniciativash për të përmirësuar jetën e qytetarëve në rajon.

Por ndërkohë që mandatit të saj po i vjen fundi, shumë ekspertë po pyesin veten nëse Gjermania do të vazhdojë të jetë jo vetëm si ndërmjetësuese e sinqertë midis  BE dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor pas ikjes së Merkelit.

Por edhe pse rajoni do të humbasë një aleate të vyer, diplomatët nuk presin që politika e Gjermanisë ndaj Ballkanit Perëndimor të ndryshojë ndjeshëm edhe nëse të Gjelbrit bëhen pjesë e Qeverisë së ardhshme. Pothuajse të gjitha palët politike në Gjermani bien dakord me vlerësimet e bëra nga Kancelarja Angela Merkel gjatë Procesit të Berlinit këtë muaj, se në rajon ka një sërë sfidash që duhen adresuar.

I pyetur nga gazeta Vijesti nëse politika e Gjermanisë ndaj Ballkanit Perëndimor do të ndryshojë pasi Merkel të largohet nga detyra, ish-Ministri i Punëve të Jashtme të Malit të Zi Branko Lukovac tha se ai nuk mendonte se kjo do të ndodhte.

Ai, megjithatë, tha se largimi i Merkel do të ndihet dhe se Kancelarit të ri do t'i duhet kohë për të fituar respektin, reputacionin dhe ndikimin që kancelarja në ikje gëzonte si në BE ashtu edhe në rajon.

"Unë besoj se Kancelari i ri do të vazhdojë politikën e mbështetjes së Gjermanisë për vendet e Ballkanit në përpjekjet e tyre për të bërë përparim më të shpejtë në plotësimin e kushteve për anëtarësimin në BE, por gjithashtu do të jetë një avokat i vazhdimit dhe përshpejtimit të procesit të zgjerimit", tha Lukovac.

Në fakt, Merkel nisi të merrej me Ballkanin menjëherë pas fitores së parë në zgjedhjet parlamentare. Përtej mbështetjes së vazhdueshme për anëtarësimin e Kroacisë në BE, përfshirja e Merkel në rajonin e Ballkanit Perëndimor u theksua edhe më tej në 2010.

Nga njëra anë, interesi ndaj rajonit erdhi si pasojë e procesit të suksesshëm të liberalizimit të vizave dhe një sërë aplikimesh për anëtarësim në BE nga vende si Shqipëria, Mali i Zi dhe Serbia. Nga ana tjetër, interesi u shtua edhe më shumë nga nevoja për të reaguar ndaj opinionit të Gjykatës Ndërkombëtare të  Drejtësisë pas deklaratës së pavarësisë nga Kosovës në vitin 2008.

Por vepra e fundit e Angela Merkel për sa i përket Ballkanit Perëndimor dhe Bosnjës ishte mbajtja e takimit të fundit në kuadër të Procesit të Berlinit disa javë më parë.

E ardhmja e këtij procesi mbetet për t’u vendosur, megjithëse ka dyshime, se si shumë iniciativa të tjera të Merkel, mund të transferohet drejt Brukselit dhe Komisionit Europian.

Në këtë pikë, është e vështirë të thuhet se si do të ndikojë largimi nga politika i Angela Merkel mbi Ballkanin. Pavarësisht gjithë fatkeqësive që ranë mbi botën e Europën, Merkel nuk ia ktheu kurrë kurrizin proceseve politike në Ballkanin Perëndimor.

Megjithatë, kur bie fjala tek rajoni, analistët kushdo që do të jetë pasardhësi i Merkel, qoftë Annalena Baerbock apo Olaf Zcholz ose Armin Laschet, do të përpiqet të ndjekë hapat e kancelares për anëtarësimit e plotë të rajonit në BE.

Ivo Visković, ish-ambasadori i Serbisë në Gjermani thotë po ashtu se nuk pret ndonjë ndryshim thelbësor në politikën e Gjermanisë ndaj Ballkanit. Megjithatë, sipas tij, nëse të Gjelbrit arrijnë të vijnë në pushtet, qasja e Berlinit zyrtar ka të ngjarë të

“Nëse CDU / CSU mbetet në pushtet, situata do të mbetet pak a shumë e njëjtë. Sidoqoftë, unë jam i intriguar nga ardhja e mundshme e të Gjelbërve në pushtet, sepse pikëpamjet e tyre janë shumë më kritike dhe kërkuese. Nëse ata drejtojnë politikën e jashtme, mund të ketë ndryshime më të lehta, por jo thelbësore ”, tha Visković.

Duke komentuar deklaratat e Merkelit në Samitin e Procesit të Berlinit në këto vite, të mbajtur në fillim të këtij muaji, Visković tha se ajo kishte të drejtë kur foli për sfidat e  shumta me të cilat po ballafaqohet rajoni.

“Ajo dikur ishte edhe më e ashpër, në një takim ajo tha se gjithçka në Ballkan po ndodh me një ritëm të papërfillshëm. Fatkeqësisht, ajo ka të drejtë. Ne humbasim kohë me gjëra të ndryshme të panevojshme dhe nuk bëjmë atë që është e nevojshme. Ne nuk i përshtatim shoqëritë me kërkesat e BE në mënyrë thelbësore ", tha Visković për Vijesti, duke shtuar se ai ishte i shqetësuar për tendencat jo-demokratike në disa vende të BE, duke vlerësuar se ata me siguri do të gjenin aleatë në Ballkan.

Procesi i Berlinit për Ballkanin Perëndimor është padyshim një ndër nismat më të mëdha të politikës së jashtme gjermane dhe lidhet ngushtë me emrin dhe angazhimin personal të Angela Merkelit. Por konstruktivitetit pragmatik të procesit, që është edhe meritë e Merkelit, i ka rënë hija e zhgënjimit, që po dominon prej kohësh në vendet e Ballkanit Perëndimor lidhur me pritshmëritë nga BE-ja. Proceset e zgjerimit prej vitesh kanë mbetur në vend-numëro, nga njëra anë sepse ka vazhdimisht veto dhe bllokada në Bruksel, nga ana tjetër sepse vetë vendet e Ballkanit Perëndimor nuk bëjnë përparime thelbësore.

Branko Lukovac tha se Merkel, përveç se tha se ka ende shumë punë përpara për plotësimin e kushteve nga vendet kandidate, në të njëjtën kohë tregoi mirëkuptim për shkak të ngadaltësimit të procesit të pranimit.

“Me fjalë të tjera, zgjerimi ka ardhur në një pikë që ose duhet të ndalet duhet të përshpejtohet. Si nga BE, ashtu edhe nga vendet kandidate ”, theksoi Lukovac. “Dhe kjo është diçka që pasardhësi i Merkel nuk do ta harrojë”.

*Burimet: "European Wesyern Balkans, "Euronews"


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë