Treg

A do ta kapë domatja shqiptare shansin bullgar?

Nga Megi Iskurti - Vendimi i Turqisë për të ndaluar eksportin e domateve në vendet e BE-së për shkak të prodhimit të saj të ulët, mund t’i japë një shans Shqipërisë.

Menjëherë pas njoftimit turk, Bullgaria në të cilën çmimi i një kg domate aktualisht po shitet rreth 4 euro, njoftoi se nevojat e tregut do t’i kompesonte me importe të domates shqiptare.

Koniuktura ndërkombëtare është një element i rëndësishëm sipas ekspertëve shqiptarë të bujqësisë, që gjithmonë ndikon në riformimin e tregjeve në afatgjatë.

Agim Rrapaj, kreu i Këshillit të Agrobiznesit Shqiptar, thotë për Gazetasi.al. se prej disa vitesh ka patur kërkesë nga tregjet e huaja për domaten shqiptare.

Në fakt, edhe sipas të dhënave, pavarësisht se me një sipërfaqe të vogël, Shqipëria është një prodhues i rëndësishëm i domates në rang global dhe një ndër eksportuesit kryesorë.

Për 2022-shin, të dhënat nga Ministria e Bujqësisë tregojnë se produktet më të eksportuara sipas sasisë, pas pjeprit dhe shalqinjve me 18.4%, ishin domatet me 15.5%.

Në 2020-n Banka Botërore theksoi në një analizë të saj se Shqipëria është në listën e 20 vendeve që kryesojnë si eksportues të domateve në botë.

Sipas saj, mesatarja e çmimit për njësi të domates shqiptare të eksportit është pesë herë më e ulët se çmimi për njësi i domates që eksporton Italia, (50 cent krahasuar me 2.40 dollarë).

Kjo do të thotë, argumentoi Banka Botërore se, vendi ka mundësi të pashfrytëzuara në rritjen e cilësisë së eksporteve, duke nënvizuar rëndësinë e certifikimit me standardet ndërkombëtare.

“Qoftë edhe një rritje e lehtë në cilësi/çmim do të kish një ndikim të madh në vlerë përgjatë gjithë zinxhirit”, thekson BB.

Gjithashtu analiza më të thelluara nga ajo diktojnë se Shqipëria ka ende potencial të pashfrytëzuar për prodhimin e domates si nga rritja e sipërfaqeve ashtu edhe nga zgjerimi i eksporteve.

Aktualisht, ndër vendet kryesore ku Shqipëria eksporton domate janë Serbia me rreth 41.2% e cila më pas i rieksporton, Italia me rreth 18%, Bullgaria me 13% dhe shtete të tjera të rajonit. Në pjesën dërrmuese, Shqipëria eksporton për subjekte të ndërmjetme që i përdorin për t’i përpunuar në formë salce.

“Me të njëjtën sasi dhe lloj domatesh fermerët shqiptare do të trefishonin fitimet nëse do të zhvendosnin eksportet nga rajoni drejt tregjeve të zhvilluara si Gjermania, Franca, Zvicra, Austria dhe SHBA”, thekson Banka Botërore.

Fermerët që kultivojnë domate ne sera arrijnë të mbjellin dhe të prodhojnë dy herë brenda një viti kalendarik, teksa problemet me certifikimin dhe cilësinë i pengojnë të eksportojnë në vende ku çmimet janë të larta.

Rrapaj i tha Gazetasi.al se që të mund të përfitojmë më lehtë nga ky rast, duhet që fermerët dhe eksportuesit shqiptarë të përmbushin ende disa kritere të kërkuara nga Bashkimi Europian.

“Atje nuk tolerohen mangësitë për standardin dhe cilësinë”, thotë ai.

Fermerët shtojnë pesticidet për të nxjerrë sa më shpejt nga sera në treg produktin dhe për të rritur fitimet, pasi nëse zbatojnë rekomandimet e agronomeve për afatet e përdorimit të pesticideve do t’i shesin prodhimet e tyre madje edhe nën kosto.

Në një investigim të publikuar nga Gazetasi.al, ku u analizuan mbetjet e pesticideve në produktet që tregtohen në raport me kuadrin ligjor në vend, ekspertët që interpretuan analizat deklaruan se normat e kontaminimit janë disafish më të larta se rregulloret e Ministrisë së Bujqësisë, por edhe direktivat e BE-së.

Sipas certifikimeve ndërkombëtare të specializuara për cilësinë, domatja shqiptare është vlerësuar me konkurueshmëri mbi mesataren dhe është një nga prodhimet më të denja për të gjetur tregje të reja eksporti në vendet e zhvilluara.

Programi Botëror i Ushqimit në Kombet e Bashkuara (FAO), përllogariti se në rreth 135 vende që janë më popullore në kultivimin e domates Shqipëria zuri vendin 52-të në botë.

Shqipëria eksporton në vit mbi 50 mijë ton perime, nga të cilat mbi 35 mijë ton janë domate. Pas saj, e dyta në rajon përsa i përket eksportit të domates është Maqedonia e Veriut.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë