Ushqim

Investigimi/ Skandal me perimet në tregje: Me pesticide mbi normat, të ndaluara në BE, por edhe me shumë lloje ngarkesash

Perimet janë produktet më të konsumuara, por edhe më të rekomanduarat për një shëndet të mirë. Por, nga ana tjetër, konsumatorët shqiptarë blejnë dhe konsumojnë çdo ditë domate dhe kastravecë me pesticide deri në 6 herë mbi normat e lejuara, duke rrezikuar rëndë shëndetin e tyre. Ndërsa luleshtrydhet dhe shalqini kanë prezencë të lartë të pesticideve për njësi produkti, duke shtuar përqendrimin e pesticideve dhe ekspozuar ato në një rrezik potencial për shëndetin dhe jetën e qytetarëve. Ndërkaq, institucionet nuk marrin masa, jo vetëm të parandalojnë shitjen e produkteve të kontaminuara, por edhe të ndëshkojnë përgjegjësit. Ato shiten si produkte normale në tregje anormale, por edhe tregje të licencuara me blerës të pandërgjegjësuar dhe të nxitur nga çmimi i favorshëm. Por edhe me blerës që për shumë arsye, nuk ka si ta dinë se brenda këtyre perimeve ka norma të larta pesticidesh, por edhe në disa kur ndodhen brenda limiteve, prezenca e 5 apo 6 pesticideve të ndryshme përbën rrezik serioz për shëndetin.
Fermerët shtojnë pesticidet për të nxjerr sa më shpejt nga sera në treg produktin, për të rritur fitimit, pasi nëse zbatojnë rekomandimet e agronomeve për afatet e përdorimit të pesticideve (karenca), ndoshta nuk do të marrin fitimin e kërkuar dhe do t’i shesin prodhimet e tyre madje edhe nën kosto. Shtrëngimi i masave ligjore në Kodin Penal i bërë dy vite më parë për “Sigurinë Ushqimore” nuk ka sjellë asnjë ndërgjegjësim, ndryshim të realitetit dhe masa ndëshkuese për të mbrojtur jetën e qytetarëve.


Për të vërtetuar abuzimet dhe riskun e lartë që përballen qytetarët përballë këtyre helmeve të pa absorbuara nga bimët, analiza e mbetjeve të pesticideve në perime është shumë e rëndësishme, pas këto produkte konsumohen në mënyrë të vijueshme, në sasi të konsiderueshme dhe janë pjesë e dietës ushqimore për të gjithë konsumatorët. Për më tepër, konsumi i tyre të “freskëta” mbart një rrezik të shtuar të mbetjeve të pesticideve, pasi koha që ndan përdorimin e një pesticidi në serë nga koha e konsumit shpesh nuk është e gjatë dhe është e pamjaftueshme për degradimin e tyre. Ndaj,në rastin e perimeve që konsumohen të freskëta rekomandohet përdorimi i pesticideve lehtësisht të degradueshme, ose me një karencë të shkurtër për të shmangur mbetjet e tyre në produkt. Por sido që të jetë afti i karencës, sipas llojit të pesticidit apo insekticidit, fermerët duhet ta zbatojnë atë.
Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, frutat dhe perimet janë kryesisht grupi i ushqimeve më të konsumuara në botë, me një mesatare rreth 30%. Ky konsum, vjen më tepër për arsyen se ky grup ushqimesh konsumohet i pa gatuar ose gjysmë i gatuar.
Nutricionistja Hyrida Basha, domaten dhe kastravecin i renditë si pjesë me rëndësi të dietës tonë ushqimore për shkak të përbërësve ushqimore që mbartin.
“Kastraveci dhe domatja na furnizojnë me sasi të larta të ujit, antioksidantëve, mineraleve dhe fibrave. Domatja na ofron një mbrojtje edhe prej rrezatimit diellor me gati 20%. Megjithatë, ky është grupi i ushqimeve me të cilat abuzohet më shumë. Nëpërmjet konsumit të këtyre ushqimeve, ne marrim edhe këto pesticide që lidhen në mënyrë të drejtpërdrejtë me sëmundje edhe gati vdekjeprurëse. Ndikim më të madh, këto kanë në zhvillimin e kancerit, defektet në lindje, çrregullime neurologjike, çrregullime endokrine dhe efekte ne riprodhim”, deklaroi nutricionistja Hyrida Basha

Hyrida Basha

Qendra “Alert” hulumtoi mbi tregtimin e produkteve të kërkuara nga qytetarët në këtë sezon, siç janë domatet, kastravecët, specat, luleshtrydhet dhe shalqiu. Në mënyrë rastësore, u blenë 5 kultura të ndryshme bujqësore në tregun Agro-Ushqimor të Tiranës, vend nga ku tregtarët apo fermerët e shumë rajoneve furnizojnë masivisht tregun e kryeqytetit me pakicë, por edhe nga ku shpërndahen në pjesën më të madhe te gjysmës së Shqipërisë.
Në bashkëpunim me laboratorin e akredituar “Noval”, analizuam mbetjet e pesticideve ne produktet që tregtohen në raport me kuadrin ligjor në vend, por i krahasuam edhe me atë të Bashkimit Europian.


Ekspertët që interpretuan analizat deklaruan se, normat e kontaminimit janë disa fish më të larta se rregulloret e Ministrisë së Bujqësisë, por edhe direktivat e BE-së, duke ngritur alarmin se, disa prej produkteve të analizuar duhet të asgjësoheshin dhe të niste gjurmueshmëria e produktit në zinxhirin prodhim-konsumator nga institucionet përgjegjëse.
Por, t’i analizojmë produktet me radhë dhe teknikisht se, cilat janë gjetjet e laboratorit mbi mostrat e dhëna. Ndërkohë, kontaktuam dy ekspertë të fushës për zbërthyer të dhënat për çdo mostër të analizuar.

Fredi Brahushi


Eksperti Fredi Brahushi, pedagog në Universitetin Bujqësor të Tiranës, bazuar tek përgjigjet e laboratorit “Noval” deklaron se, gjendja është kritike dhe kërkohet ndërhyrje e menjëhershme, pasi nga 5 mostrat e marra për analizim, 4 prej tyre ose 80% rezultojnë me ngarkesa pesticidesh, duke rrezikuar shëndetin e konsumatorëve.
Eksperti i inputeve bujqësore dhe bujqësisë organike, Arben Shytaj deklaron se, në domate janë gjetur 7 mbetje pesticidesh, në specat e analizuar nuk është gjetur asnjë lloj ngarkese pesticidi, në kastravecë u gjetën 3 lloje pesticidesh, në shalqi 2 lloje dhe në luleshtrydhe 6 lloje pesticidesh.
Për interpretimin e mbetjeve, iu referuam normave kombëtare, te deklaruara në udhëzimin Nr.11 dt.10.05.2021 “Për nivelin maksimal të mbetjeve të pesticideve në fruta, perime…” dhe rregullores së BE-së, “Regulation(EC) No 396/2005” dhe “Regulation (EC) No1107/2009”.
Fillimisht u bë krahasimi me listën e PMB-ve të regjistruara, të cilat janë të gjitha brenda listës së miratuar, por pjesa me e madhe janë tek lista Nr.2, ku janë PMB-të që lejohen të tregtohen, por nuk lejohen të importohen. Një praktikë e gabuara e institucioneve tona të cilat rrezikojnë shëndetin e konsumatorëve për të “pastruar” magazinat e farmacive bujqësore dhe plotësuar kërkesat e lobeve të importuesve të mëdhenj me kosto për shëndetin e qytetarëve.
Konkretisht nga domatja e analizuar rezultoi se, ka 7 lloje mbetjesh, nga të cilat, dy, përkatësisht Chlorpyrifos-Ethyl dhe Fenbuconazole, janë mbi normat e lejuara. Rezultati i analizës është 0.073 mg/kg, norma kombëtare është 0.05 mg/kg, norma e BE-së 0.01 mg/kg. Prania e Fenbuconazole, rezultati i analizës është 0.016 mg/kg peshë, norma kombëtare është 0.05 mg/kg, norma e BE-së 0.01 mg/kg, kjo lëndë aktive është në normë me normat kombëtare dhe mbi normë me ato të BE-së.
“Në bazë të legjislacionit, ky prodhim nuk lejohet të konsumohet, është i kontaminuar me pesticide mbi normat e lejuara, si i tillë duhet asgjësuar duke ndjekur gjurmueshmërinë derisa të shkohet tek prodhuesi. Është për t’u theksuar se normat kombëtare të deklaruara në udhëzimin e ministrit të Bujqësisë, duhet t’i referoheshin normave të BE-së, jo të vendosen norma në pamundësi studimesh”, - deklaroi Arben Shytaj.

Arben Shytaj


Tek kastraveci janë gjetur tre lloje mbetjesh, nga të cilat Chlorpyrifos-ethyl është në masë 0.054 mg/kg peshë, normat kombëtare është 0.01 mg/kg, normat e BE-së 0.01 mg/kg peshë. Edhe ky lot prodhimi i analizuar është i pa konsumueshëm dhe duhet asgjësuar.
Kulturat e tjera, i kanë mbetjet e pesticideve të deduktuara brenda normave të lejuara, si ato kombëtare, si ato te BE-së dhe janë të ngrënshme, edhe pse disa janë shumë afër me kufirin maksimal. Vlen për t’u theksuar se, për specin nuk u gjetën fare mbetje, gjë që do të thotë se është e mundur të realizohet siguria ushqimore, duke ju referuar rastit konkret.
Pedagogu i Universitetit Bujqësor të Tiranës Ferdi Brahushi bazuar në rezultatet e analizave të marra si dhe ne gjykimin si specialist i fushës doli në konkluzionin se, bimët e analizuara (përveç specit) rezultojnë me një ngarkesë të mbetjeve të pesticideve me më shumë se një lëndë aktive, duke përbërë në këtë mënyrë një rrezik potencial për shëndetin e konsumatorëve.
“Mbetjet e gjetura të pesticidit Chlorpyrifos-ethyl janë katër deri në gjashtë herë më të larta se normat e lejuara në domate dhe kastravec, duke e bërë me evidente dhe reale rrezikun për shëndetin e konsumatorëve, për më tepër ky pesticid është ndaluar të tregtohet dhe përdoret në BE, si një pesticid shumë i rrezikshëm për shëndetin e njeriut, ndërsa në vendin tonë lejohet akoma të tregtohet dhe përdoret, por jo të importohet.”- deklaroi Brahushi.
Në analizën e tij, eksperti Brahushi konfirmoi se, mbetjet e pesticidit Fenbuconazole në domate rezultojnë të jenë 60% më të larta se norma e lejuar, për më tepër ky pesticid është ndaluar të tregtohet në BE, si një pesticid shumë i rrezikshëm për shëndetin e njeriut, ndërsa në vendin tonë lejohet akoma të tregtohet, përdoret dhe të importohet.

“Duhen marrë në konsideratë këto rezultate, duhet intensifikuar analizimi i mbetjeve të pesticideve nga AKU dhe ISUV, e më pas të bëhen transparente rezultatet, pasi ndihmojnë më shumë problemin sesa të mbahen sekret në mënyrë të panevojshme. Të shikohet ndarja e përgjegjësive, nga fermeri tek institucionet, magazinat e grumbullimit dhe deri te supermarketet, duke parë mangësitë ligjore, dhe ato të përgjegjësive për moszbatim të kuadrit ligjor ekzistues.”- tha Arben Shytaj
Përqendrimi i shumë pesticideve brenda një produkti të vetëm pavarësisht se mund të jena normat e veçuara për secilin pesticide Brenda normave të lejuara, sasia e shumë pesticideve është e papranueshme për organizmin e konsumatorëve pasi shkakton probleme të shumta.
“Është i pa tolerueshëm tregtimi i perimeve ku përmbajtja e mbetjeve te pesticideve është mbi normat e lejuara, por edhe kur këto nuk e kalojnë kufirin për një pesticid të vetëm ato përmbajnë më shumë se një pesticid dhe shuma e mbetjeve të pesticideve është e konsiderueshme për të gjitha perimet e analizuara”, u shpreh Fredi Brahushi.

https://youtu.be/UTSn2Zm1zG4

Përdorimi i pesticideve të ndaluara në BE.
Në analizën e mbetjeve të pesticideve janë gjetur lëndë aktive të pesticideve, të cilat janë të ndaluara në BE, si Thiacloprid dhe Chlorpyrifos-ethyl, të cilat fatkeqësisht tregtohen dhe përdoren akoma në vendin tonë, sasitë e importuara duke përbërë një rrezik të shtuar për konsumatorët, kështu këto pesticide duhet të ndalohen përdorimi i mëtejshëm i tyre dhe asgjësimi i gjendjeve të mundshme fizike në vendin tonë pasi janë pesticide vrastare për mjedisin dhe njerëzit.
Për ekspertin Ferdi Brahushi, ky fakt përbën një shqetësim serioz pasi kompanitë importuese të pesticideve mund të importojnë sasira të konsiderueshme të lëndëve aktive për të cilat fillon ndalimi i tyre në BE dhe kërkojnë që përdorin sasitë e importuara. Kështu, duhet që kur miratohet lista e PMB-ve që nuk lejohen të importohen, por vetëm të tregtohen dhe përdoren në Republikën e Shqipërisë duhet të jetë me afat kohor përdorimi i mëtejshëm i tyre, dhe sasisë që mbetet tej këtij afati duhen asgjësuar dhe në mënyrë absolute nuk duhet të përdoren.
Për një tjetër lëndë aktive të gjetur tek produkteve e analizuara si “Fenbuconazole”, Brahushi thotë se, për këtë pesticid është ndaluar përdorimi i mëtejshëm në BE, ndërsa në vendin tonë ky pesticid është akoma tek “Lista e PMB-ve të regjistruara për t'u importuar dhe tregtuar në Republikën e Shqipërisë / Qershor 2021”. Ndaj, thotë ai, se ky fakt përbën një shqetësim të shtuar, pasi akoma miratohen pesticide që nuk aprovohen në BE.
Eksperti tjetër Arben Shytaj thotë se, duhet parë mundësia e largimit nga tregu të të gjithë PMB-ve me përmbajtje Chlorpyrifos, pasi ai është i ndaluar në BE, në Shqipëri vazhdon dhe shitet, mbetjet e tij janë problem si në prodhimet konvencionale si në ato organike.

Si të mbrohen konsumatorët nga perimet me pesticide.
Në sy të lirë, sasia e pesticideve nuk duket, por ajo që do këshilloja është që konsumatori të jetë më i kujdesshëm në blerje. Pra nëse një frut apo perim nuk i përket stinës, atëherë le të shmanget blerja e tij. Sugjerohet përdorimi i metodës së ngrirjes së produkteve në mënyrë që të konsumosh ushqimin e preferuar edhe jashtë stinës.
Por, edhe kur ndoshta ke blerë produkte dhe në një moment ke pasur dyshime mbi vërtetësinë e tyre, nutricionistrja Hyrida Basha këshillon trajtimin e tyre në kushte shtëpie për të shmangur aq sa mundet sasinë e pesticideve.
“Nuk duhet absolutisht shmangur larja me ujë të bollshëm e fruta-perimeve. Këshillohet lënia në ujë me uthull për të paktën 40 minuta. Përdorimi i detergjenteve për ushqime, fruta perime, të cilat ndihmojnë deri diku këtë proces. Të përdoret një furçë enkas për pastrimin e perimeve. Dhe, të thahen para se të futen në frigorifer”, deklaroi nutricionistrja.
Efektet që pesticidet japin janë akute ose kronike. Mikrobiologët dhe mjekët thonë se efektet akute manifestohen me problem dermatologjike, kruajtje, skuqje, me diarre, humbje të përqendrimit, turbullim të shikimit ndërsa efektet kronike, përfshijnë sëmundje të tilla si; parkinson, kanceri, riprodhimi, tiroidja e të tjera problem endokrine. Sipas disa studimeve të fundit, disa organofosfate si malathion, terbufos, dhe chlorpyrifos, janë të lidhura ngushtë me zhvillimin e kancerit të gjirit dhe ovareve. Ndërkohë lloje të tjera të pesticideve mund të zhvillojnë tumore në organe si mushkëria, pankreasi, zorra e trashë etj. Ky dëm nuk është vetëm në organizëm, por kalon edhe në mjedis nëpërmjet mbeturinave të këtyre produkteve.

Institucioni që ka për detyrë garantimin e sigurisë ushqimore, është Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, i cili bën vlerësimin e riskut, menaxhimin e riskut, por edhe komunikimin e riskut. Në faqet zyrtare të këtij institucioni ka çdo ditë njoftime për punën e përditshme, ku ndër të tjera thuhet se, janë marrë X mostra produktesh të ndryshme ushqimore. Por, njoftimi mbetet me kaq. Në asnjë rast të vetëm, AKU nuk ka publikuar rezultatet e analizave të produkteve që mund të kenë rezultuar pozitive, apo të njoftojë konsumatorët për raste të ndryshme problematike.
Pak ditë më parë, Qendra ALERT publikoi dhe një material investigues për cilësinë e pesticideve, ku në disa raste, lëndët aktive rezultojnë ndryshe nga deklarimi në etiketën e tyre. Ndërsa më pas publikuam dhe një "Memo" të brendshme, ku thuhej qartë që, ISUV (Instituti i Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë), laborator reference, nuk bënte analizat e pesticideve për llogari të AKU.
Në këto kushte, duket që prodhimet me standarde janë ato që eksportohen jashtë Shqipërisë. Kjo për shkak të çmimit të mirë, por edhe të kontrolleve rigoroze që iu bëhen nga autoritetet në vendet pritëse. Për këto arsye, prodhuesit, të detyruar dhe nga kontraktuesit e tyre (pikat dhe kompanitë e grumbullimit dhe eksportimit) nuk luajnë me sigurinë ushqimore. Ana tjetër e medaljes duket se serviret për konsumatorët në Shqipëri: Perime me persicide shumë herë më të larta se norma, por edhe ku janë brenda limiteve, në një produkt dedektohen 6-7 lloje pesticidesh, që në totalin e tyre, përbëjnë sasi shumë të mëdha që futen në organizimin tonë. Në të dy rastet, me prezencë mbi apo brenda norme, nga analizat kanë rezultuar lëndë aktive, pesticide, të ndaluara për përdorim në vendet e Bashkimit Evropian.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë