Politike

VV në krah të Metës: Cakaj i rrezikshëm për interesin kombëtar

Vendimi i Presidentit Ilir Meta për të refuzuar emrin e Gent Cakajt si ministër të Jashtëm të Shqipërisë ka përçarë klasën politike dhe opinionin publik në Tiranë e Prishtinë. Pas opozitës shqiptare, refuzimi i kreut të shtetit është përshëndetur edhe nga opozita në Kosovë.

Lëvizja Vetëvendosje thotë se Shqipërisë nuk i duhen ministra të Jashtëm të Baton Haxhiut dhe Hashim Thaçit, që sipas saj kanë dalë hapur në mbështetje të idesë së coptimit të Kosovës. Në deklaratën e shpërndarë përmes rrjeteve sociale, Vetëvendosje njeh të shkuarën si anëtar të kësaj lëvizjeje të Gent Cakajt.

“Dëshirojmë ta sqarojmë opinionin e gjerë publik se Cakaj ka qenë i anëtarësuar formalisht në Lëvizjen Vetëvendosje para vitit 2011. Ne nuk e dimë datën e saktë të largimit të tij nga Lëvizja, sepse ai nuk i ka dhënë asnjë shpjegim organizatës”, thuhet aty.

https://www.facebook.com/vetevendosje/posts/10155641288882000

Më pas analizohen të gjitha deklaratat publike të të propozuarit nga Edi Rama për ministër të Jashtëm të dhëna kryesisht në emisionin e Baton Haxhiut në Klan Kosova. Për Haxhiun hedh akuza të forta, madje e cilëson edhe si të përfshirë në përçarjen e Vetëvendosjes vitin e kaluar.

Gent Cakaj gjate nje interviste ne emisionin Zona e Debatit te Baton Haxhiut

“Në emisionin e datës 3 janar 2018, në Klan Kosova, drejtori Baton Haxhiu tregon se si e ka njohur Gent Cakajn që prej moshës 15 vjeçare, dhe se si e ka ndjekur më tej zhvillimin e tij. Kujtojmë se Haxhiu ka qenë bashkëpunëtor i UDB-së para dhe gjatë lufte, vartës i krerëve të saj, Jovica Stanishiq dhe Zoran Stijoviq dhe i përfshirë direkt në planin për largimin e disa deputetetëve që u shkëputën nga Lëvizja Vetëvendosje vitin e kaluar, pasi morën padrejtësisht mandatet e fituara në emër të Lëvizjes”, vijon deklarata.

Më tej, Vetëvendosje akuzon gazetarin e Klan Kosovës se ka kërcënuar Presidentin Ilir Meta, “i shqetësuar për fatin e investimit të tij shumëvjeçar”.

“Në datën 11 janar 2018, në intervistën e dytë të Cakajt në Klan Kosova me Baton Haxhiun, sqarohen disa qëndrime edhe më të rrezikshme. Aty ai mbron me të gjitha kapacitetet që ka idenë e Thaçit për copëtimin e Kosovës. Ai shkon aq larg sa merret edhe me ndarjen e aseteve të Trepçës, por përdor edhe shprehje si “Veriu i Mitrovicës, nëse mbetet në Kosovë …”. Ai lë të nënkuptohet se nuk është kundër copëtimit të veriut dhe instalimit të një forme të “Zajednicës” në pjesët e tjerat të vendit”, thotë Vetëvendosje.

Kjo lëvizje thotë se vlerëson disa politika e deklarata të Edi Ramës, përfshirë deklaratën e bërë në Beograd në konferencën me Vuçiçin, por deklaron se emërimi i Gent Cakajt ka qenë krejt i pavend.

Rastësi apo jo, po rrëzimi i Gent Cakajt nga Presidenti Ilir Meta dhe më pas deklarata mbështetëse e Vetëvendosjes që pasoi këtë vendim mbërritën njëra pas tjetër pas takimit mes Ilir Metës dhe Albin Kurtit në Presidencën shqiptare.

https://www.facebook.com/ilirmetazyrtar/photos/a.1479540228758912/2079573508755578/?type=3&theater

Përmes rrjeteve sociale Presidenti Ilir Meta thotë se temë e diskutimit ka qenë forcimi i bashkëpunimit mes dy vendeve tona dhe rëndësinë e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.

“Në këtë drejtim theksova rëndësinë e dialogut Kosovë-Serbi që t’i shërbejë të ardhmes europiane të të dy vendeve dhe konsolidimit të bashkëjetesës e paqes në rajon. Vlerësova se Vetëvendosja si forcë kryesore politike duhet të luajë rol të rëndësishëm për forcimin e shtetit të Kosovës dhe arritjen e konsensusit të plotë për një dialog të suksesshëm dhe të qëndrueshëm me Serbinë”, deklaron Meta.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë