Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku akuzon qeverinë se korrupsioni dhe politikat e saj ekonomike po rëndojnë xhepat e qytetarëve dhe po godasin biznesin vendas. Duke iu referuar të dhënave të INSTAT-it, ajo thotë se krahasuar me fundin e vitit 2020, çmimet në dhjetor 2025 ishin rritur me 20,9%, ndërsa vetëm për ushqimet dhe pijet joalkoolike rritja arrinte në 35,6%.
“Korrupsioni nuk është një zarf që kalon fshehurazi nga një dorë në tjetrën dhe që nuk ka lidhje me jetën tonë. Korrupsioni është një taksë e fshehtë. Kur një tender fryhet, diferencën e paguan qytetari. Kur paratë publike shkojnë te klientët e pushtetit, mungojnë për pensionet, shkollat, shëndetësinë dhe mbështetjen e prodhimit. Prandaj korrupsioni nuk është një temë larg tryezës së familjes. Ai ulet çdo ditë në atë tryezë dhe merr pjesën e vet nga të ardhurat e çdo shqiptari”, thotë Tabaku.
Tabaku flet edhe për rënien e eksporteve, duke thënë se nga 430 miliardë lekë në vitin 2023, ato zbritën në 346 miliardë lekë në vitin 2025. Sipas saj, nën presion është veçanërisht industria e tekstileve dhe këpucëve, ku krahas rënies së eksporteve janë humbur edhe mijëra vende pune.
“Eksportet e përgjithshme ranë nga rreth 430 miliardë lekë në vitin 2023, në 369 miliardë në vitin 2024 dhe në 346 miliardë lekë në vitin 2025. Brenda dy vjetësh, vendi humbi afërsisht një të pestën e vlerës së eksporteve të mallrave. Ky nuk është modeli i një ekonomie që prodhon më shumë. Është modeli i një ekonomie që importon gjithnjë e më shumë dhe e ka gjithnjë e më të vështirë të konkurrojë jashtë”, vijon Tabaku.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje