Kryeministri Edi Rama ka njoftuar se 10 grupe verifikimi nga tatimet do të dalin në terren për të bërë bilancin e dëmeve të bizneseve të vogla që janë dëmtuar gjatë këtyre ditëve nga protestat.
“Çdo biznes që është dëmtuar nga vala e dhunës së verbër ka një dritare ku do të mund të regjistrojë dëmin. Siç u thashë miqve të dëmtuar në këtë biznes të vogël, 10 grupe verifikimi nga Tatimet do të jenë në terren për të mbledhur të dhënat e dëmeve mbi biznesin e vogël në kryeqytet. Do t’i kthejmë gërmadhat e verbërisë në shembuj të forcës”, tha Rama.
Rama njoftoi të gjithë bizneset e dëmtuara që përmes një “dritareje” të re të krijuar në e-Albania “DËMI IM”, subjektet mund të regjistrohen dhe të deklarojnë dëmin që iu është bërë.
“Do të shikohet edhe raporti me shtetin sa i përket pagesave të detyrimeve. Pasi të bëjmë verifikimet, do të mbledhim një regjistër të të gjitha dëmeve. Ne do t’ju vijmë në ndihmë të gjithëve”, tha Rama.
Por, përballë valës së protestave të dhunshme dhe thirrjes së opozitës për dorëheqjen, kryeministri Edi Rama e bën të qartë se nuk e ka në plan të tërhiqet.
“Përgjegjësia ime është më e qartë në këto orë të vështira se sa në çdo ditë të mirë; të mbrojë qytetarët tanë, të garantojë drejtësinë dhe ta çojë Shqipërinë përpara, së bashku me këtë shumicë qeverisëse që ka një mandat shumë të qartë: Shqipërinë 2030 në Bashkimin Europian”, tha Rama.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje