Kinema

Çfarë mendon politika dhe kritikët në Greqi për ‘Odisenë’?

Gazeta Si – Greqia ka një lidhje të veçantë me Odisean e Homerit – ndryshe nga çdo vend tjetër ku është diskutuar “Odisea” e regjisotit Christopher Nolan.

Kjo poemë epike është pjesë thelbësore e identitetit kombëtar dhe një gamë e gjerë njerëzish – që nga mediat, qarqet politike e institucionet kulturore e deri te publiku i gjerë – e ndienin veten të përfshirë personalisht në debat kur erdhi çasti për të komentuar filmin, i cili ka nxitur më shumë diskutime në mbarë botën sesa pothuajse çdo film tjetër vitet e fundit.

Megjithatë, në Greqi, reagimet ndaj Odisesë janë përqendruar kryesisht te politika. Filmi ofron një mundësi të madhe për dukshmëri kombëtare, duke i dhënë vendit mundësinë ta shfrytëzojë këtë sukses për të nxitur turizmin.

Vetëm pak ditë më parë, kryeministri Kyriakos Mitsotakis zhvilloi një bisedë me video me Nolan-in për ta përgëzuar dhe për ta falënderuar që “nxiti interesin global për kulturën e Greqisë së lashtë”.

Mitsotakis drejton një qeveri të krahut të djathtë, e cila kujdeset për imazhin ndërkombëtar të Greqisë dhe synon të heqë qafe reputacionin e një kombi të falimentuar e të zhytur në borxhe, të krijuar gjatë viteve të krizës ekonomike.

Fushata e tij promovuese, e përqendruar te Odiseja, është e zgjuar, por edhe e bazuar në fakte, pasi një pjesë e konsiderueshme e filmit u xhirua në Greqi.

Në shkollat ​​greke, epopeja e Homerit mësohet si në vitin e fundit të shkollës fillore, ashtu edhe në vitin e parë të shkollës së mesme të ulët – fazë në të cilën ajo shndërrohet praktikisht në një lëndë më vete, me dy orë mësimi në javë. Para miratimit të euros, monedha prej 50, mbante profilin e Homerit.

Megjithatë, filmi shkaktoi edhe një polemikë politike. Ajo u nxit nga Vittoria, një parti ultra-ortodokse dhe e ekstremit të djathtë që mban 8 nga 300 vendet në Parlamentin grek.

Lideri i saj, Dimitris Natsios, e ngriti çështjen duke pretenduar se shteti “nuk mund të financojë falsifikimin e Odisesë dhe të trashëgimisë sonë kulturore”.

Ai i referohej fondit publik prej 6 milionë eurosh të vënë në dispozicion për produksionet e xhiruara në Greqi – nga një buxhet total prej 230 milionë eurosh – dhe shprehu kundërshtime lidhur me kastin, veçanërisht për faktin se një aktore me ngjyrë, Lupita Nyong’o, luan rolin e Helenës së Trojës.

Natsios nuk e shpiku këtë nga hiçi. E djathta ekstreme në nivel global e ka përdorur zgjedhjen e Nyong’os në kast si pretekst për të kritikuar Nolanin, duke e akuzuar atë se ka tradhtuar veprën origjinale dhe se ka krijuar një film me qasje “woke” (të ndjeshme ndaj çështjeve të drejtësisë sociale dhe diversitetit).

Një mësues u mëson “Odisean” nxënësve të tij të shkollës së mesme në Athinë

Ky është i njëjti argument që përdori Elon Musk, kur pretendoi se do të përdorte Inteligjencën e tij Artificiale për të krijuar një version “historikisht të saktë” të Odisesëçfarëdo që të nënkuptojë kjo; duke gjykuar nga fragmentet e postuara në platformën X, ai duket në thelb si një version më i bardhë dhe i realizuar dobët i Odisesë.

Natsios paraqiti një pyetje parlamentare duke kërkuar qasje në korrespondencën me producentët, për të përcaktuar nëse qeveria ishte vënë në dijeni për “falsifikimin”.

Ministrja e Kulturës, Lina Mendoni – e cila zotëron një diplomë në Filologji Klasike dhe një doktoraturë në Arkeologji – u përgjigj duke theksuar se qeveria nuk ka asnjë ndikim mbi veprat artistike të financuara dhe se, në çdo rast, ideja nuk kishte kuptim: “Po flasim për një nga regjisorët më të rëndësishëm bashkëkohorë. A është vërtet e mendueshme të debatohet seriozisht nëse shteti duhet ta kishte censuruar Christopher Nolan-in?”.

Edhe ministri i Shëndetësisë, Andonis Georgiatis, anëtar i së njëjtës parti me Mitsotakis-in, gjithashtu shprehu pakënaqësi lidhur me mospërputhjet që kishin të bënin me poemën: “Nolan-i e teproi; nuk e di nëse po e bën këtë për të fituar një çmim ‘Oscar’.”

Një aspekt që e kapërcen shfrytëzimin politik – dhe që lidhet më tepër me krenarinë kombëtare – është mungesa e aktorëve apo aktoreve grekë në film.

Kjo ndodh herë pas here sa herë që shfaqet një film i madh i Hollivudit, ngjarjet e të cilit zhvillohen në Greqinë e lashtë ose bazohen në mitologjinë e saj: në çdo rast, roli kryesor nuk luhet nga një aktor grek.

Për shembull, skocezi Gerard Butler luajti Mbretin spartian Leonida te filmi “300 Spartanët”, amerikani Brad Pitt luajti Akilin te “Troja” dhe irlandezi Colin Farrell luajti Aleksandrin e Madh te filmi “Aleksandri”.

Kritiku me origjinë greke, Chris Cotonou, e konsideroi paradoksale faktin që ky aspekt u kishte shpëtuar si të djathtës, ashtu edhe atyre që mbanin qëndrime dogmatike mbi saktësinë.

“Nëse filmi juaj synon të pasqyrojë botën, a nuk do të ishte e natyrshme të zinit të paktën një vend në këtë tryezë të gjatë e tejet multikulturore me njerëz që kanë një lidhje më autentike me burimin e saj?”.

Cotonou shprehu gjithashtu keqardhjen që, sipas tij, portretizimi i grekëve në filma kufizohet në karikatura si Zorba – nga filmi me të njëjtin titull – një personazh që, në fakt, gëzon ende popullaritet të madh në Greqi.

Një mural i piktorit grek Giorgios Kordis që paraqet episodin e Polifemit, në hyrje të Fakultetit të Filozofisë në Universitetin Kombëtar dhe Kapodistrian të Athinës

Së fundmi, studiuesit grekë të klasikës kanë vënë në dukje gjithashtu mospërputhjet me poemën homerike që ishin evidentuar nga kolegët e tyre në mbarë botën, por në përgjithësi e kanë mirëpritur jehonën që ka krijuar filmi.

Për shembull, Christos Tsagalis nga Universiteti i Selanikut vuri në dukje se veprat e Homerit kanë arritur statusin e veprave universale pikërisht, sepse janë rrëfyer dhe interpretuar sërish ndër shekuj.

Dimitris Plantzos, nga Universiteti prestigjioz Kombëtar dhe Kapodistrian i Athinës, pranoi se ndonëse “ne ndiejmë një vazhdimësi me antikitetin, duke jetuar në të njëjtat peizazhe dhe vende”, personazhet homerike nuk janë figura historike dhe kanë frymëzuar krijime artistike jashtë Greqisë prej shekujsh.

“Në teatrin antik, vetëm burrat luanin role grash. Helena mund të ishte luajtur lehtësisht nga një burrë dhe askush nuk do të ishte tronditur siç ndodh sot”, tha Plantzos, duke komentuar polemikat rreth zgjedhjes së aktorëve.

@christinamavronas Watched The Odyssey with my German friend and this is all he experienced for 3 straight hours. 🤣 #greekmemes #theodyssey #comedyskit #greekmythology #balkantiktok ♬ original sound – Christina Mavronas

Edhe vlerësimet e kritikëve grekë të filmit ishin kryesisht pozitive, gjë që i bëri ato negative të binin edhe më shumë në sy.

Një nga kritikat më të ashpra – ndonëse më pak të argumentuara – u botua në gazetën e përditshme “Ethnos” (e cila anon nga e majta socialiste).

Aty thuhej se Nolani “ruajti vetëm thelbin e Homerit – thjesht guaskën e jashtme – ashtu siç bashkatdhetarët e tij, anglezët, hodhën poshtë mundësinë për të sjellë në shtëpi trofeun e artë të Kupës së Botës”, një aludim ky për një tjetër dështim të kombëtares angleze të futbollit.

Përshtati: Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë