Politike

Departamenti i Shtetit konfirmon huanë ushtarake për Shqipërinë

Nga Gazeta ‘Si‘- Departamenti amerikan i Shtetit ka njoftuar ratifikimin dhe nënshkrimin e marrëveshjes për një hua prej 302 milionë dollarësh për Shqipërinë, në kuadër të programit Foreign Military Financing (FMF), një financim që synon modernizimin e Forcave të Armatosura shqiptare dhe forcimin e mbrojtjes evropiane.

Sipas njoftimit zyrtar, huaja do ta ndihmojë Shqipërinë të përparojë drejt përmbushjes së Angazhimit të Hagës për Mbrojtjen, i cili parashikon që vendet anëtare të NATO-s të arrijnë shpenzime për mbrojtjen në nivelin 5 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto deri në vitin 2035.

Departamenti i Shtetit thekson se fondet do të përdoren për blerjen e kapaciteteve ushtarake me origjinë nga Shtetet e Bashkuara, duke kontribuar në modernizimin e ushtrisë shqiptare dhe në rritjen e aftësisë së Evropës për të marrë një rol më të madh në mbrojtjen e saj.

“Huaja në kuadër të programit FMF do të ndihmojë në modernizimin e Forcave të Armatosura të Shqipërisë përmes sigurimit të kapaciteteve kryesore ushtarake me origjinë amerikane dhe do të forcojë aftësinë e Europës për të udhëhequr mbrojtjen e saj”, thuhet në deklaratën e DASH-it.

Në të njëjtin njoftim vlerësohet edhe bashkëpunimi i ngushtë mes dy vendeve në politikën e jashtme.

“Si aleate e NATO-s, Shqipëria është rreshtuar ngushtë me Shtetet e Bashkuara në çështje kyçe të politikës së jashtme, përfshirë edhe si anëtare themeluese e Bordit të Paqes të presidentit Trump”, thekson Departamenti i Shtetit.

Edhe Ministria e Mbrojtjes e Shqipërisë e cilësoi marrëveshjen si një moment me rëndësi strategjike, duke e konsideruar atë një shprehje të besimit të Shteteve të Bashkuara ndaj Shqipërisë.

Në një reagim publik, ministria u shpreh se bëhet fjalë për “një votë besimi strategjike e SHBA-ve ndaj Shqipërisë dhe një hap historik në modernizimin e mbrojtjes shqiptare”.

Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, financimi do të përshpejtojë modernizimin e kapaciteteve ushtarake të vendit, do të rrisë gatishmërinë operacionale dhe do të forcojë kontributin e Shqipërisë në sigurinë kolektive të Aleancës së Atlantikut të Veriut.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë