Politike

Parlamenti kalon me procedurë të përshpejtuar huanë 302 milionë dollarë nga SHBA

Nga Gazeta ‘Si’- Parlamenti i Shqipërisë miratoi mëngjesin e kësaj të hëne, me 75 vota pro, kalimin me procedurë të përshpejtuar të marrëveshjes së huasë ndërmjet Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në kuadër të Financimit të Jashtëm Ushtarak (FMF).

Marrëveshja, e sjellë nga qeveria të premten, parashikon një hua në shumën 302 milionë dollarë amerikanë, e cila do të përdoret për nevojat e Forcave të Armatosura dhe forcimin e kapaciteteve mbrojtëse të vendit.

Në nisje të seancës plenare, kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, njoftoi për futjen e marrëveshjes në rendin e ditës për miratim me procedurë të përshpejtuar.

“Në rendin e ditës është miratimi, në parim, i marrëveshjes së huas direkte ndërmjet Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Ministria e Financave, dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, përfaqësuar nga Agjencia e Bashkëpunimit për Sigurinë e Mbrojtjes (DSCA), në kuadër të Financimit të Jashtëm Ushtarak (FMF), me një hua në shumën totale prej 302,000,000 (treqind e dy milionë) dollarësh amerikanë”, tha Peleshi.

Sipas tij, çdo deputet që dëshiron të njihet me deklaratën e konfidencialitetit të marrëveshjes duhet fillimisht ta firmosë atë dhe më pas mund të ketë akses në përmbajtjen e saj.

Gjatë prezantimit të marrëveshjes në Kuvend, kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, tha se huaja prej 302 milionë dollarësh përbën një hap të rëndësishëm për forcimin e kapaciteteve mbrojtëse të Shqipërisë dhe përforcon partneritetin strategjik me SHBA-në.

“Shqipëria shihet sot si një aleate e besueshme dhe një faktor stabiliteti në rajon. Sot vjen një marrëveshje për ratifikim me një vlerë prej 302 milionë dollarësh, kjo shumë do të përdoret për Forcat e Armatosura. Është edhe garancia që jep kjo marrëveshje. Kredia ka një afat deri në 12 vjet për t’u shlyer. Financimi do të disbursohet gradualisht për nevoja konkrete”, tha Balla.

Pas tij, fjalën e mori kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, i cili kritikoi mënyrën e procedimit të marrëveshjes, duke pretenduar se deputetët nuk janë njohur paraprakisht me përmbajtjen e saj.

“Na keni ftuar të diskutojmë për një marrëveshje për të cilën na njoftuat tani që mund ta marrim. Ndërkohë rregullorja të detyron t’ia shpërndash deputetëve. Mendoni se Kuvendin do ta shndërroni si grupin tuaj parlamentar, ku Rama ju ka thënë se jeni vetëm kartona, nuk duhet të mendoni, por vetëm të votoni. Kjo s’mund të jetë rregull për Kuvendin, aq më tepër për opozitën”, tha Bardhi.

Ai deklaroi se opozita e mbështet marrëveshjen në parim, por kritikoi qeverinë për vonesat, sipas tij, në përmbushjen e detyrimeve ndaj NATO-s.

“Jemi pro marrëveshjes që rrit investimet në fushën e sigurisë dhe përmbush detyrimet e vendit tonë ndaj NATO-s. Do ta votonim pro marrëveshjen, por ju në vend të NATO-s dhe partneritetit me SHBA zgjodhët inceneratorët. Nuk do të kishim nevojë të merrnim një hua të tillë”, tha Bardhi.

Ai propozoi që marrëveshja të shqyrtohej fillimisht në komisionet parlamentare dhe më pas të votohej në një seancë tjetër.

Pas njoftimit në sallën e Kuvendit, marrëveshja pritet të kalojë për shqyrtim në komisionet parlamentare, ndërsa deputetët do të rikthehen në një seancë të dytë plenare, të planifikuar në orën 15:00.

Marrëveshja

Më 19 qershor, Këshilli i Ministrave miratoi në parim marrëveshjen e huas me vlerë 302 milionë dollarë, e cila do të nënshkruhet ndërmjet Ministrisë së Financave të Shqipërisë dhe Agjencisë Amerikane për Bashkëpunimin në Sigurinë e Mbrojtjes (DSCA).

Sipas vendimit të qeverisë, fondet do të përdoren për projekte që synojnë forcimin e kapaciteteve mbrojtëse dhe përshpejtimin e modernizimit të Forcave të Armatosura.

Miratimi i marrëveshjes erdhi pak ditë pasi ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, zhvilloi një vizitë zyrtare në Washington, ku u takua me drejtoreshën në detyrë të DSCA-së, Mary Beth Morgan.

“Në vizitën time në Washington u takova me Mary Beth Morgan, me të cilën diskutuam avancimin e projekteve me interes të përbashkët. Partneriteti ynë strategjik me Shtetet e Bashkuara mbetet një shtyllë kyçe për modernizimin e Forcave të Armatosura shqiptare, forcimin e kapaciteteve mbrojtëse dhe rritjen e kontributit të vendit tonë në NATO”, pati deklaruar ministri Nufi.

Megjithëse nuk janë bërë ende publike detaje mbi sistemet apo pajisjet që do të financohen përmes kësaj huaje, marrëveshja konsiderohet një hap i rëndësishëm në përmbushjen e objektivave të NATO-s për rritjen e kapaciteteve ushtarake të Shqipërisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë