Bota

Kuba në ‘blackout’ total, vendi mbetet pa energji elektrike

Gazeta Si – Rrjeti elektrik i Kubës pësoi sërish kolaps mbrëmjen e së dielës, duke e lënë të gjithë ishullin pa energji.

Lajmi u bë i ditur nga “Unión Eléctrica”, kompania shtetërore që menaxhon rrjetin, ndonëse nuk u dhanë detaje të mëtejshme mbi shkaqet.

Ministria kubane e Energjisë deklaroi se kishte aktivizuar protokollet për rikthimin e shërbimit dhe njoftoi rifillimin e punës së dy termocentraleve pranë kryeqytetit, Havanës.

Ndërprerjet e energjisë në Kubë po bëhen gjithnjë e më të shpeshta – vetëm në muajin korrik pati tri të tilla – duke e bërë jetën gjithnjë e më të vështirë për rreth 10 milionë banorët e ishullit.

Rrjeti elektrik i Kubës është në gjendje tejet të amortizuar dhe situata është komplikuar më tej muajt e fundit nga presioni i fortë i presidentit amerikan Donald Trump; që nga janari, ai ka ndaluar vendet e tjera të shesin karburant në Kubë, duke i kërcënuar ato me tarifa doganore.

Për të përballuar këtë krizë, parlamenti kuban miratoi në korrik një sërë reformash të propozuara nga qeveria, të cilat, krahas masave të tjera, hapin rrugën për investime të huaja në sektorin e energjisë dhe autorizojnë rreth 200 kompani private që të merren me shpërndarjen me shumicë të karburantit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë