Gji dhënia është një fenomen që përndjek shumë nëna të reja. Rreth 90% e grave në vendet të pasura që nisin gji dhënien, çereku heqin dorë brenda pak javësh, zakonisht sepse i frikësohen nënprodhimit. Për shumë vite, mjekët kanë supozuar se rastet e vërteta të mungesës së qumështit janë të rralla, duke ndodhur në jo më shumë se 5% të nënave. Për këtë arsye, këshilla mbizotëruese për prindërit e shqetësuar nga autoritetet shëndetësore në vende si Anglia dhe Amerika ka qenë stimulimi i prodhimit të qumështit, ose duke e vendosur foshnjën më shpesh në gji, ose duke përdorur pompë gjiri.
Kjo këshillë, edhe pse me qëllim të mirë, po rezulton e pamjaftueshme. Shumë gra që e ndjekin atë përsëri përballen me foshnja që nuk arrijnë të shtojnë mjaftueshëm në peshë, një shenjë e qartë se nënat nuk po prodhojnë qumësht të mjaftueshëm. Studimet mbi prodhimin e qumështit të gjirit, të kryera vitet e fundit me qindra gra në Amerikë dhe Australi, sugjerojnë se përqindja e nënave që prodhojnë shumë pak qumësht është shumë më e lartë nga sa mendohej më parë: midis 10% dhe 20%.
Studiuesit po fillojnë të kuptojnë pse këto shifra janë kaq të larta. Për shumë gra, shpjegimi nuk lidhet me mënyrën se si ushqejnë foshnjën me gji, por me përbërjen dhe funksionin e qelizave specifike në gjëndrën e qumështit, mbi të cilat ato nuk kanë kontroll.
Kërkime të mëtejshme mund të çojnë një ditë në trajtime të reja. Por edhe në afat të shkurtër, këto zbulime duhet të ndihmojnë në uljen e paragjykimeve dhe stigmatizimit ndaj mungesës së qumështit të gjirit.
“Në dhjetë vitet e fundit është bërë më e pranueshme ideja se ekziston një arsye biologjike për këto raste,” thotë Yarden Golan Maor. “Dhe nuk është thjesht çështje se ‘nuk po përpiqesh mjaftueshëm’.”
Në qendër të kësaj çështjeje janë laktocitet, qeliza në gjëndrat e qumështit që shumohen në mënyrë dramatike gjatë shtatzënisë dhe fillojnë të sekretojnë qumësht gjiri rreth tre ditë pas lindjes së një gruaje.
Në të kaluarën, marrja e këtyre qelizave për studim do të kërkonte një biopsi të indeve nga një grua që ushqente foshnjën me gji. Kjo e bënte të vështirë kërkimin mbi biologjinë e laktacionit.
Megjithatë, në vitin 2010, studiuesit zbuluan se molekulat microRNA nga qelizat e gjirit të nënës, të cilat përmbajnë informacion mbi funksionin e këtyre qelizave, gjenden me bollëk në qumështin e gjirit.
Prandaj, mostrat e qumështit të gjirit mund të përdoren si “biopsi të lëngshme” për të kuptuar shkaqet e prodhimit të ulët të qumështit.
Këto kërkime kanë zbuluar rrugë biologjike të ndryshme për të kuptuar se çfarë po shkon keq. Disa gra kanë shumë pak laktocite. Të tjera mund të kenë laktocite joefikase, që sekretojnë shumë pak qumësht gjiri.
Lindsay Hinck në Universitetin e Kalifornisë në Santa Cruz ka bërë përparime në zbërthimin e problemit të parë. Problemi mund të nisë që gjatë shtatzënisë, kur laktocitet individuale ndahen vazhdimisht për të formuar çifte qelizash “bijë”, identike me qelizat mëmë. Megjithatë, disa laktocite janë të ndryshme: në vend që të krijojnë qeliza të reja, ato grumbullojnë brenda vetes kopje të shumta të ADN-së së tyre. një mekanizëm që u mundëson të prodhojnë më shumë qumësht.
Të dy popullatat e këtyre qelizave janë në rrezik të grumbullimit të mutacioneve të rastësishme të ADN-së, të cilat mund t’i bëjnë ato të vdesin ose të ndalojnë së funksionuari. Edhe pse ekziston një mekanizëm riparimi qelizor që mund t’i mbrojë këto qeliza “ruajtëse” për prodhimin e qumështit, ai nuk funksionon gjithmonë siç është parashikuar.
Në eksperimente të kryera te minjtë dhe të raportuara në revistën Nature Communications në vitin 2024, ekipi i Lindsay Hinck raportoi se nivelet e ulëta të një enzime të quajtur WEE1 bëjnë që ky mekanizëm riparimi të mos funksionojë siç duhet, duke çuar në më pak laktocite funksionale dhe rrjedhimisht në prodhim të ulët të qumështit.
Sipas Dr. Hinck, mungesa e WEE1 mund të jetë përgjegjëse edhe te njerëzit për nivele të ulëta të laktociteve.
Rachel Walker në Universitetin Shtetëror të Pensilvanisë po teston një hipotezë për një mekanizëm tjetër të mundshëm.
Shumë nga hormonet që i udhëzojnë laktocitet të shumohen dhe të përgatisin gjëndrën e qumështit për laktacion prodhohen në placentë.
Disa studime te kafshët kanë sugjeruar lidhje të mundshme mes dëmtimit të placentës dhe prodhimit të ulët të qumështit, ndaj ekipi i Dr. Walker po heton nëse kjo vlen edhe për njerëzit.
Ata po studiojnë placentat e nënave të reja në Ugandë për të parë nëse infeksionet dhe faktorë të tjerë janë të lidhur me mungesën e qumështit.
Nëse një lidhje e tillë konfirmohet, mund të bëhet e mundur parashikimi i rrezikut për prodhim të ulët të qumështit që në momentin e lindjes.
Ka një rrjedhje…
Është bërë gjithashtu përparim në kuptimin e arsyes pse laktocitet mund të mos funksionojnë në mënyrë efikase. Një shkak i mundshëm është mungesa e lëndëve ushqyese kritike në gjëndrën e qumështit. Këto lëndë sigurojnë energji për funksionimin normal të laktociteve dhe përdoren si përbërës në qumështin e gjirit që ato sekretojnë.
Studiuesit besojnë se një mungesë e tillë do t’i detyronte laktocitet ose të punonin më shumë për të kompensuar mungesën, ose të humbnin energji. Të dyja skenarët mund të çojnë në prodhim më të ulët të qumështit.
Këto mungesa nuk janë domosdoshmërisht pasojë e dietës së nënës; disa variante gjenetike dhe molekula inflamatore mund të luajnë gjithashtu rol.
Disa gra, për shembull, kanë një mutacion gjenetik që ndikon në transferimin e zinkut nga gjaku në qumështin e gjirit. Zinku nuk është vetëm një lëndë ushqyese e rëndësishme për foshnjat, por gjithashtu merr pjesë në zhvillimin e gjëndrës së qumështit dhe në sekretimin e tij. Studiuesit kanë gjetur se ky mutacion lidhet me prodhim të ulët të qumështit.
Studime gjenomike në shkallë të gjerë te lopët kanë identifikuar gjithashtu gjene që rregullojnë përmbajtjen e proteinave në qumësht, disa versione të të cilave mund të ekzistojnë edhe te njerëzit. Gratë me këto gjene mund të kenë vështirësi në ruajtjen e ekuilibrit të duhur të lëndëve ushqyese që aktivizojnë laktocitet.
Megjithatë, shkencëtarët mendojnë se shkaqet gjenetike të mungesës së qumështit janë ndoshta të rralla, pasi mutacionet përkatëse nuk ka gjasa të jenë favorizuar nga përzgjedhja natyrore. Me fjalë të tjera, gjenetika nuk mund të jetë e gjithë historia.
Një tjetër faktor i rëndësishëm duket të jetë inflamacioni. Në vitin 2022, Rachel Walker dhe kolegët e saj publikuan një studim që tregonte se inflamacioni kronik (i zakonshëm në obezitet dhe sëmundje autoimune si diabeti) pengon kalimin e acideve yndyrore nga gjaku në gjëndrat e qumështit dhe ul pasurimin e qumështit të gjirit.
Molekula specifike inflamatore mund të prishin gjithashtu sintezën e karbohidrateve, një tjetër përbërës i rëndësishëm i qumështit të gjirit.
Ky grup gjithnjë në rritje kërkimesh tregon një sërë faktorësh që mund të rrisin rrezikun e prodhimit të ulët të qumështit. Obeziteti, diabeti dhe sëmundjet autoimune, për shembull, shkaktojnë inflamacion kronik që mund të prishë funksionimin e shumë organeve në trup. Pre-eklampsia, një sëmundje e placentës që prek rreth 4% të grave, gjithashtu mund të shkaktojë dëmtime të shumë organeve.
Për gratë me disa nga këto gjendje, studimet tregojnë se deri në gjysma e tyre mund të përfundojnë me prodhim të ulët të qumështit.
Shkaqe të tjera janë më pak të qarta. Një faktor rreziku i identifikuar nga disa studime është forma e gjinjve që janë më të distancuar nga njëri-tjetri se mesatarja. Gratë në këtë kategori shpesh kanë më pak ind gjëndror dhe, rrjedhimisht, më pak laktocite.
Disa kërkime sugjerojnë se obeziteti në moshën e hershme mund të luajë rol, duke ndikuar në aftësinë e gjëndrës së qumështit për t’u zhvilluar në këtë periudhë kritike.
Por aktualisht, thotë Yarden Golan Maor, “janë të gjitha spekulime”. Është e qartë se ka ende shumë kërkime për t’u bërë.
Zbërthimi i biologjisë së laktacionit mund të sjellë përfitime të mëdha për nënat e reja. Më thjesht, teste për diagnostikimin e prodhimit të ulët të qumështit do të hapnin rrugën për këshilla më të personalizuara dhe trajtime të mundshme.
Disa prej këtyre testeve tashmë po zhvillohen. Në një punim të vitit 2025, një ekip studiuesish australianë tregoi se pajisjet portative mund të matin me saktësi nivelet e natriumit në qumështin e gjirit, një tregues i dobishëm i mosfunksionimit të laktociteve.
Kur fillon sekretimi i qumështit, hapësirat mes qelizave që veshin gjëndrën e qumështit normalisht mbyllen, duke parandaluar rrjedhjen e natriumit në qumësht. Nivelet anormalisht të larta të natriumit te një nënë me dyshim për prodhim të ulët do të sugjeronin një problem biologjik themelor.
Më shumë inovacione të tilla pritet të dalin në treg së shpejti. Nëse shkenca e laktacionit vazhdon në këtë drejtim, miliona gra që dyshojnë se nuk prodhojnë mjaftueshëm qumësht mund të marrin përgjigje të shpejta dhe të qarta nëse kjo është vërtet e saktë apo jo./TheEconomist
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje